Sinaj: Maratona evidenton vlerat më të mira të sportit në Berat

535
Zhvillohet edicioni i pestë i gjysmë maratonës së Beratit
E diela e fundit e muajit Maj ka sjellë bashkë me temperaturat e larta edhe shumë maratoniste në Berat. Ka qenë dita e gjysmë maratonës së kthyër në traditë tashmë në Berat, e cila ishte në edicionin e pestë të saj.
Gjatësia 21 kilometra nga Berati në Uren Vajgurore dhe kthim u përshkrua nga 45 maratonistë të ardhur nga gjithë vendi, por edhe nga Kosova , Maqedonia,Mali iZi dhe Greqia.
Ka qenë një organizim gati i përsosur kjo maratonë, e cila u përcoll edhe nga qytetarë dhe sportdashës të shumtë, të cilët kanë ndjekur dhe mbështetur sportistët në gjithë zhvillimin e saj. 
Me cilesinë e organizatorit, bashkia e Beratit kish marrë një varg masash për maratonën, ndërsa kanë qenë në krye të detyrës në gjithë zhvillimin e maratonës edhe Policia Rrugore, ajo Bashkiake dhe ambulancat e Spitalit Rajonal.
Në ceremoninë e organizuar në sheshin Teodor Muzaka në qendër të qytetit ishin të pranishëm sportdashës, dashamirë të maratonës, qytetarë etj . Ishin të pranishëm edhe kandidatët për deputetë të LSI në Berat Nasip Naco dhe Gledion Reovica.
Duke folur para të pranishmëve kryetari i bashkisë Petrit Sinaj përshëndeti pjesëmarrësit, duke i falenderuar per prezencën në këtë maratonë, e duke i quajtur të gjithë fitues të një aktiviteti, që për nga vlerat është i shumëanshëm, ndërsa në një plan më të gjerë, e ka përcjellë emrin e Beratit për të disatin vit, në listën e qyteteve që organizojnë maratona.
Me cilësine e organizatorit kryebashkiaku Sinaj theksoi se ky aktivitet evidenton edhe vlerat më të mira të sportit në Berat.
Pas përfundimit të maratonës u ndanë edhe kupat dhe medaljet për tri vendet e para. Kështu për meshkuj vendin e parë e fitoi Ilir Kellezi i Skenderbeut, vendin e dytë Igor Jakimovski nga Maqedonia, dhe vendin e tretë e fitoi maratonisti nga Tirana Genc Lugja.
Për femra vendin e parë e fitoi Liliana Kilzieva nga Maqedonia, vendin e dytë e fitoi Debora Keci nga Durrësi dhe vendin e tretë Valbona Almetaj nga Elbasani. Për të 6 fituesit ka menduar sponsori beratas Caterina Firence me pronar Kriton Prendi i cili shpërndau premiot e premtuara.
Maratona e Beratit mbetet kontribut edhe i maratonistit beratas Gazment Shehu, i cili përfaqëson qytetin e Beratit në mjaft maratona kombëtare e ndërkombëtare
Sigal