Sinaj: Aktiviteti evidenton vlerat më të mira të sportit në Berat

806
Nga Gëzim ZEMA
VEPRIMTARIA/ Bashkia e Baratit zhvillon edicionin e pestë i gjysmëmaratonës, marrin pjesë edhe atletë nga Greqia, Maqedonia e Kosova
E diela e fundit e muajit maj 2017, ka sjellë bashkë me temperaturat e larta edhe shumë maratonistë në Berat. Dje ka qenë dita e gjysmëmaratonës së kthyer në traditë tashmë në Berat, e cila ishte në edicionin e pestë të saj. Gjatësia 21 kilometra nga Berati në Urën Vajgurore dhe kthim, u përshkrua nga 45 maratonistë të ardhur nga gjithë vendi, por edhe nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Greqia. Ka qenë një organizim gati i përsosur kjo maratonë, e cila u përcoll edhe nga qytetarë dhe sportdashës të shumtë, të cilët kanë ndjekur dhe mbështetur sportistët në gjithë zhvillimin e saj. Me cilësinë e organizatorit, bashkia e Beratit kishte marrë një varg masash për maratonën, ndërsa kanë qenë në krye të detyrës në gjithë zhvillimin e saj edhe Policia Rrugore, ajo Bashkiake dhe ambulancat e Spitalit Rajonal. Në ceremoninë e organizuar në sheshin “Teodor Muzaka” në qendër të qytetit, ishin të pranishëm sportdashës, dashamirë të maratonës, qytetarë etj, e mes tyre edhe kandidatët për deputetë të LSI-së në Berat, Nasip Naço dhe Gledion Rehovica. Duke folur para të pranishmëve, kryetari i bashkisë Petrit Sinaj, përshëndeti pjesëmarrësit, jo vetëm për ti falënderuar për prezencën e tyre në këtë maratonë, por edhe si fitues të një aktiviteti, që për nga vlerat, është i shumanshëm. Ndërsa për kryebashkiakun beratas, në një plan më të gjerë, kjo maratonë e ka përcjellë emrin e Beratit për të disatin vit, në listën e qyteteve që organizojnë maratona. Me cilësinë e institucionit organizator, bashkisë Berat, të cilën Sinaj e drejton, ai ka veçuar se, ky aktivitet evidenton edhe vlerat më të mira të sportit në Berat. Pas përfundimit të maratonës u ndanë edhe kupat dhe medaljet për tri vendet e para. Kështu për meshkuj, vendin e parë e fitoi Ilir Këllezi i Skënderbeut, vendin e dytë Igor Jakimovski nga Maqedonia, dhe vendin e tretë e fitoi maratonisti nga Tirana, Genc Lugja. Për femra, vendin e parë e fitoi Liliana Kilzieva nga Maqedonia, vendin e dytë e fitoi Debora Keci nga Durrësi, dhe vendin e tretë Valbona Almetaj nga Elbasani. Për të gjashtë fituesit ka menduar sponsori beratas “Caterina Firence” me pronar Kriton Prendi, i cili shpërndau çmimet e premtuara. Maratona e Beratit mbetet kontribut edhe i maratonistit beratas Gazment Shehu, i cili përfaqëson qytetin e Beratit në mjaft maratona kombëtare e ndërkombëtare.
për kryebashkiakun beratas, Petrit Sinaj, kjo maratonë e ka përcjellë emrin e Beratit për të disatin vit, në listën e qyteteve që organizojnë maratona. Me cilësinë e institucionit organizator, bashkisë Berat, të cilën Sinaj e drejton, ai ka veçuar se, ky aktivitet evidenton edhe vlerat më të mira të sportit në Berat
Sigal