Simon Mirakaj: Jeta në kampin e Tepelenës

981
Në një kohë kur vijojnë debatet për kushtet në kampin e Tepelenës, vjen një rrëfim i pazakontë në emisionin “Studio e Hapur”. I mbijetuari nga ky kamp, Simon Mirakaj në një ballafaqim me të shkuarën flet për jetën në atë “strehë”, moshën kur u dërgua atje bashkë me nënën dhe vëllanë dhe vuajtjet që ka kaluar. Mirakaj rrëfen se mësuesi e kishte pyetur nëse e donte babanë e tij dhe ai ishte përgjigjur me sinqeritetin e një fëmije se “po”. Por siç duket përgjigja e tij nuk i kishte pëlqyer mësuesit, e cila e kishte rrahur për orë të tëra, derisa në kthimin nga shkolla për në kamp, atij i kishte rënë të fikët. “Kam shkuar 2-javësh. Jemi internuar në 1945. Fillimisht jemi sistemuar në kalanë e Beratit. Në 1949 na hoqën nga Berati dhe na sistemuan në Turan, na vendosën në stane bagëtish. Brenda 24 orëve kanë vdekur 30 fëmijë nga mungesa e ushqimit dhe mungesa e higjienës. Kjo situatë alarmoi Ministrinë e Brendshme dhe atëherë na hoqën nga kampi i Turanit dhe na vendosën në kampin e Tepelenës. Në kampin e Tepelenës kam ndenjur nga mosha 4-vjeçare deri në moshën 8-vjeçare. Fëmija i regjistron ngjarjet dhe i mban mend të gjitha. Fëmijët janë engjëj dhe këta engjëj ishin të rrethuar me tela. E dhimbshme ishte për nënat të rritnin fëmijët mes telave. Kampi i Tepelenës ishte i përbërë nga pleq, plaka, fëmijë”, tha Mirakaj. Ai shtoi se e kishte kuptuar çfarë po ndodhte në klasën e parë. “Na u dha mundësia të shkojmë në shkollë, por e kishim të vështirë të ngjisnim kodrën për të vajtur në shkollë, se nuk ushqeheshim. Pasi mbaroi mësimi në klasë të parë, mësuesi më ndali dhe më tha: “A e do babain?” “Po, e dua”, i thashë. Nxirre dorën më tha. E nxora dorën dhe me tehun e vizores më godiste në dorë. Ai më thoshte thuaj që nuk e dua babain dhe unë i thosha: “E dua”. Kjo rrahje vazhdoi për orë të tëra. Kur mësuesi më liroi, rrugës për të shkuar në kamp mua më ra të fikët dhe më kanë mbajtur motra me vëllain. Jam bërë prind vonë dhe vonë e kam kuptuar ndjesinë prindërore”, u shpreh Mirakaj. Sipas tij, këto ngjarje janë rrëfime që shkaktojnë emocione të forta, jo që të japim satisfaksion apo të marrësh rolin e heroit. “Rrëfimet tona kanë një rëndësi për mua, pasi përcjellin një mesazh. Mesazhi është që të dëgjohet dhe kjo histori mos të përsëritet më. Është e domosdoshme që të njohim të kaluarën që mos të përsëritet më kjo histori. Fëmijët tanë duhet të kenë një të ardhme më të sigurt. Nëse nuk e njohim sëmundjen, nuk mund ta kurojmë”, tha ai. “Ne ishim vendosur nëpër kazerma që kishin përdorur italianët. Një kazermë mund të ishte e gjatë 50-60 metra dhe brenda saj kishte 500-600 veta. Krevatet ishin marinarë dhe jo të ndarë. Fillonte dhe mbaronte afër fundit të murit. Aty natë ishte gjithmonë, nuk ishte ditë nga dhimbja. Edhe sot kur i kthehem atyre faqeve të historisë, më duket sikur dëgjoj ato britma: “O nënë dua bukë”. Racioni ishte 400 gr për njeri”, u shpreh Mirakaj.
Sigal