Simbolet komuniste që duhen ndaluar dhe simbolet e tradhtisë kombëtare që dekorohen e u ngrihen statuja

936
Përparim HALILI
Në 25 vite politikë dhe 13 vite pushtet, PD ka ndërmarrë 213 nisma, ka miratuar 34 ligje e 27 VKM “anti-komuniste”, por nuk ka zbatuar asnjë
Këto ditë, PD ka rikthyer “betejën e ashpër” kundër simboleve komuniste, duke kërkuar jo vetëm heqjen dhe ndalimin e tyre, por edhe dënimin me 3 vite burg, për ata individë e grupe shoqërore, që në përvjetorë brigadash partizane dalin e tundin pankarta, flamuj me yllin e kuq dhe portrete të komandantëve të Luftës. Drafti i PD, parashikon dënim me burg edhe për ata që në ora dore, në kapele, në stema xhakete e celularë, vendosin figura dhe çdo lloj simboli të ish-regjimit komunist të para vitit 1991, apo që mbajnë në shtëpi buste ose fotografi drejtuesish ish-komunist, madje edhe ata që do të këndojnë këngë partizane në dasma, ekskursione e stane (nëse konstatohen)! PD është në të drejtën e saj propagandistike, që të propozojë projekt-ligje ideologjike kundër simboleve të komunizmit, sepse fundja, me këtë “kartë” po vazhdon të vetë-prezantohet. Por duket, sikur me këtë “aksion” të përsëritur shumë herë në këto 25 vite, PD po bën demagogji bajate me anti-komunizmin fals e të dalë boje! Me këtë projekt-ligj, krerët e PD ish-komunistë, bij, dhëndurë, krushq, nipër, vëllezër e nuse familjesh ekstremiste komuniste, nuk e kanë “hallin” tek “e keqja dhe rreziku” prej simboleve komuniste që publikohen nëpër përvjetorë Lufte, sepse ithtarët i kanë në zemër, në shtëpi e në fise. Me këtë rikthim beteje “kundër simboleve komuniste”, PD synon të rikthejë e të mbajë në “vathën” e saj, klasën e ish-pronarëve dhe ish-të përndjekurve politikë antikomunist që e kanë braktisur, të cilët i ka përdorur për vota pushteti dhe për fasadë si “parti anti-komuniste”, kur dihet që PD u krijua, u uzurpua dhe po mbahet peng nga ish-komunistët dhe bijtë e tyre, aq sa fakti është ky: Aktualisht, më shumë komunistë ka në PD, se sa në PS! 
PD, 25 vite “luftë false” kundër simboleve komuniste 
Në 25 vite politikë, nga të cilat 13 vite në pushtet, PD ka ndërmarrë 213 nisma, ka miratuar 34 ligje dhe 27 VKM me përmbajtje e ultimatume “lufte anti-komuniste”. Por nuk ka zbatuar asnjë prej tyre. Kujtojmë, që Statuti i parë i akt-themelimit të kësaj partie, nenin e parë e kishte me këtë përmbajte: “Ndalohet anëtarësimi në PD, i ish-anëtarëve dhe funksionarëve komunist dhe i familjarëve të tyre të afërt”! Por ky nen i statutit, nuk zbatua dhe u ndryshua 10 ditë pas kongresit të parë t PD, më 22 dhjetor 1990, duke u zëvendësuar me këtë nen: “PD është e hapur për të gjithë, pa dallime ideologjike!” Në nëntor të vitit 1992, u miratua ligji që ndalonte funksionarët e ish-regjimit komunist, të bëheshin pjesë e administratës publike dhe e politikës, por nuk u zbatua. Në shkurt të vitit 1993, u miratua ligji për heqjen e dekoratave të ish-funksionarëve të diktaturës komuniste, por nuk u zbatua. Në qershor 1995, u miratua ligji për prishjen e lapidarëve të luftës dhe emrat e ish-komunistëve nga institucionet, por udhëheqësit e e PD nderonin këto figura në çdo 5 Maj, shkonin e shkojnë në varrezat e dëshmorëve e çojnë lule në lapidarët e zonave! Në çdo 6 muaj, hartohej e miratohej një ligj “anti-komunist”, por nuk zbatohej! Ta lëmë historinë e luftës false të PD “kundër komunizmit” dhe të ndalemi tek drafti i 1 jave më parë, me të cilin kjo parti në opozitë, po kërkon të ndalojë me ligj përdorimin dhe publikimin e simboleve komuniste, kur me ata që i quan pasardhës të pushtetit komunist bën pazare dhe bashkë-qeveris, ulet në parlament dhe i voton ligjet që propozojnë! Drafti parashikon dënim me 3 vite burg, për cilindo që përdor publikisht simbolet komuniste, siç ndodhi në përkujtimin e Konferencës së Pezës, që vetë pushteti i PD nuk e ka shfuqizuar si Datë Historike Kombëtare! PD në opozitë dhe në pushtet, nuk e ndaloi përdorimin e simboleve kombëtare, një prej të cilave është ngjyra e kuqe, me të cilin krerët e PD kanë kollaret ceremoniale. Mirë në pushtetin e parë të saj 1992-1997, nuk i ndaloi dot, po në pushtetin e dytë 2005-2013, përse nuk i ndaloi këto simbole?! Në datën 30 tetor 2006, PD në pushtet miratoi në parlament, një rezolutë me 17 pika, për të cilën votuan 76 deputetët, me këtë objekt: “Dënimi i krimeve të komunizmit, pastrimi i përmbajtjes së teksteve dhe ndalimi simboleve të tij”, në pikën 9 të së cilës, thuhet: “Kuvendi i Shqipërisë të bëjë rishikimin e datave simbol të sistemit komunist, që shënojnë instalimin e diktaturës komuniste në Shqipëri, si dhe heqjen e këtyre datave nga protokollet zyrtare shtetërore!”
Simbolet komuniste të ndalohen, simbolet e tradhtisë të dekorohen!
Çdo periudhë e historisë ka simbolet, përfaqësuesit dhe mbështetësit e tyre. Vetëm bindja nuk ndalohet dot me ligj, por ja që PD kërkon ta ndaloj e madje ta dënoj me burgim. Simbolet mund të ndalohen në shkolla e institucione, por jo të dënosh me burg një person që tund një flamur, një portret, një simbol, të cilin ai e ka ideal personal. Nëse do të bëhej fjalë për ndalim simbolesh, duhen ndaluar simbolet e tradhtisë kombëtare e të pushtimit nazi-fashist! PD kërkon që simbolet komuniste të ndalohen, ndërkohë që simbolet e tradhtisë të dekorohen, të nderohen, t’u ngrihen lapidarë e t’u botohen libra, t’u mbahen konferenca shkencore, t’u këndohen himne e t’u ngrihen statuja. Gjysmës së bulevardit të Tiranës, i është vendosur emri i ish-mbretit që ia mbathi ditën e pushtimit fashist të vendit. Statuja e tij që iku nga Shqipëria dhe rrëzoi Flamurin e Pavarësisë është vendosur në hyrje të bulevardit qendror të Tiranës, ndërkohë që statuja e Ismail Qemalit që erdhi në Shqipëri dhe ngriti Flamurin e Pavarësisë është futur mes ferrave në anë të këtij bulevardi! Pushteti dhe institucionet politike të PD që kërkojnë bllokimin e simboleve komuniste, por nderon simbolet dhe figurat e atyre që tradhtuan interesat kombëtare, që u bën ministra, deputetë, zyrtarë, gjeneralë, zyrtarë e pjesë e partive fashiste dhe naziste! Dekoron ata që ishin pjesë e pushtetit të Musolinit e Hitlerit në Shqipëri, ata që prisnin e përcillnin me ceremoni nderimi dhëndrin e Duçes dhe ata që 3 ditë pas pushtimit dhe heqjes së Flamurit Shqiptar, shkuan e ulën në gjunjët e Viktor Emanuelit! Mijëra dekorata janë dhënë për figurat që bashkëpunuan me fashizmin e nazizmin, mijëra faqe janë futur në librat shkollorë e historikë zyrtarë, për ta! Nëse partizanët nderohen për Luftën Çlirimtare dhe jetët që kanë dhënë, ballistët e legalistët, për çfarë vlerash po nderohen? Një pyetje është me vend të bëhet: Cilin duhet të nderojmë më 7 prill, Zogun që i mbathi, apo Mujo Ulqinakun që luftoi kundër pushtimit? Më 28 Nëntor, cilin duhet të nderojmë: Ismail Qemalin që ngriti Flamurin e Pavarësisë, apo Ahmet Zogollin që e uli dhe e dorëzoi tek pushtuesi? Më 29 Nëntor, cilët duhet të nderojmë: ata që u futën çlirimtarë, apo ata që ia mbathën me pushtuesin?! Lidhur me këtë “histori”, që PD ka rikthyer në skenën politike e shoqërore shqiptare për t’u gjendur në “punë”, gazeta “Telegraf” është e hapur për debat të lirë! 
Sigal