Siguria ushqimore ka nevojë për spastrim urgjent të abuzatorëve nga zyrat e AKU

676
Nëse ka një sektor shërbimesh jetike që duhet “pastruar” nga drejtuesit, zyrtarët, shefat e sektorëve, inspektorët, laborantët dhe ekspertët shtetërorë në të gjithë nivelet e kësaj strukture shërbimi nga qendra e deri në zona skajore ku vepron ky shërbim e deri atje ku shitet edhe 1 kg ushqim, ky është sektori i kontrollit ushqimor, i cili zyrtarisht quhet: Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU). E theksojnë dhe e shtrojmë si emergjencë nisjen e këtij “operacioni spastrimi”, denoncimet e shumta që kanë ardhur në “telegraf” nga qytetarë e biznese, të cilët përmendim emra dhe raste abuzimi të nëpunësve e kontrollorëve të AKU! 

Është një shërbim, që duhet “pastruar” nga punonjësit e molepsur në abuzime, sepse që të pastrohet prodhimi dhe tregu nga ushqimet vrasëse, së pari duhet të spastrohet AKU ajo “bandë” e zyrtarësh dhe kontrollorësh abuzatorë që pasurohen nga abuzimi me sigurinë e ushqimeve. Këta abuzatorë, po vazhdojnë të “qelbin” punën drejtuese efiçente që ka nisur e po bënë kupola drejtuese! Këta zyrtarë të AKU, janë investiguar e janë skeduar si abuzatorë me detyrën. Abuzimin e tyre e tregon fakti që brenda 1, 2 e 3 vitesh pas punësimit në AKU, ata kanë ndryshuar “lëkurë” (nivel jetese), duke u kthyer nga ish-individë me këpucë të shtrembra e abone urbani “të blerë me të pritur”, në “zengjinë” me apartamente, vila e makina luksoze, me fëmijë që i shkollojnë jashtë Shqipërisë, me dreka e darka në restorante “VIP”. Natyrisht që e tillë nuk është gjithë administrata e AKU, por “tipikë” janë disa ekzemplarë me detyrë shefa, krye-kontrollorë e kontrollorë në AKU në qendër, në Tiranë e në qarqe, të cilët brenda 1, 2 e 4 vitesh “punë” (pazar) në AKU, kanë shtuar pasuri e llogari bankare, “befasisht” janë tjetërsuar nga individë që laheshin në përroin dhe kanalin vaditës të fshatit, në pushues nëpër plazhet luksoze jashtë Shqipërisë!

 Këta kanë detyrë të kontrollojnë e të garantojnë sigurinë ushqimore, por lejojnë prodhim e treg me produkte të pa sigurta, pa vlerë ushqyese, të kalbura prej ngurosjes 10, 20 e 30-vjeçare nëpër frigoriferë e depo. Mos kontrolli i tyre në treg e prodhim, konvertohet në miliona që përfitojnë prej abuzimit. Mjafton të shkosh në disa zyra të AKU në qendër, në Tiranë e qarqe dhe shikon nëpunës me kostume me vlerë sa 30 pensione pleqërie. Shikon punonjëse që vetëm manikyri i thonjve u kushton sa 1 pension pleqërie, vetëm krehja ditore e flokëve u kushton sa 2 ndihma ekonomike mujore, që vetëm një varëse floriri u kushton sa një pagë deputeti e ministri, që vetëm një veturë u kushton sa një apartament! Mos vallë i kanë blerë me pagën mujore që maksimalisht e kanë sa 5-6 pensione mujore invaliditeti? Pikërisht këta ekzemplarë që abuzojnë me detyrën, jo vetëm vazhdojnë të lejohen të abuzojnë në treg e prodhim, por edhe gradohen në poste drejtuese, ndërkohë që duhen përzënë urgjent “me daulle” prej shërbimit të AKU! Këtë detyrim nuk e ka mision populli që vazhdon e “ha çorbën e qelbur e të helmuar” që lejohet prej tyre në treg, por e ka drejtuesi aktual i AKU, të cilit këta “10-15 kokrra” po i nxijnë imazhin dhe po i shkatërrojnë punët drejtuese, të cilat siç na deklaroi, ai ka ideuar pas emërimit në këtë detyrë prej kryeministrit. 

Këtë fakt, ia bëmë prezent drejtorit të AKU zotit Isuf Shehu, gjatë një takimi “ballafaques”. I përmendëm fakte e emra konkret drejtuesish e nëpunësish të AKU në qendër, në Tiranë e në qarqe, të cilët përveçse nuk kontrollojnë në shkëmbim të ryshfeteve që shpesh i zhvatin edhe me presione ndaj prodhuesve e tregtarëve, kanë edhe biznese të tyre në farëra, fidanë, tregje mishi, peshku, në sera perimesh, dhoma frigoriferike, katering, fito-farmaci, importe ushqimore e pesticidesh, lëndësh të para, në pastiçeri, sallamra, bulmetra, pula, vezë, pije, bukë, miell e bazë ushqimore! Kush i kontrollon bizneset e këtyre zyrtarëve të AKU, që psh., kultivojnë e shesin farëra që mbillen për pjepër dhe nxjerrin kungull, që mbillen për sallatë dhe nxjerrin lakër foragjere, që mbillen për luleshtrydhe dhe nxjerrin jonxhë, që blihen për mish viçi e del mish hipopotami e elefanti? A ka “letra” kontrolli mbi bizneset e 82 shefave e kontrollorëve të AKU në qendër e në Tiranë? Po në rrethe, çfarë biznesesh private kanë drejtuesit edhe nëpunësit e AKU? Fakti është ky: Tregu ushqimor shqiptar ka probleme të shumta të pasigurisë, jo se ushqimet vetë-prodhohen “me magji” e jo se “kanë këmbë dhe shkojnë vetë” në tregje publike, në njësi tregtimi, në restorante, në mensa konviktesh, azilesh, çerdhesh, kopshtesh, apo në dhoma frigoriferike, në dyqane, në tezga e kudo. Por sepse lejohen të prodhohen e të futen në treg prej disa batakçinjve të graduar në funksione drejtuese e pozicione kontrolluese në AKU jo për aftësi profesionale e ndershmëri në kryerjen e detyrës, por vetëm për militantizëm politik, për lidhje familjare, krushqie, ortakërie e deri edhe për gjoja lidhje të afërta familjare me politikanë e shtetarë të lartë në pushtet e opozitë.

 Pa harruar ata shefa. zyrtarë e inspektorë të AKU që i kanë blerë këto pozicione me pagesa ryshfetesh, pagesa të cilat po i nxjerrin duke abuzuar me detyrën! Pa harruar as faktin, që afro 40% e punonjësve të AKU në qendër e në rrethe, nuk kanë asnjë lidhje profesioni me kolltukun që kanë “kapur”, ose që janë shpërblyer! Afro 50% punonjësve të AKU në Tiranë, qarqe e rrethe janë jashtë përputhshmërisë profesionale të vendit të punës ku paguhen. Nuk e teprojmë po të themi, se AKU, jo për shkak të drejtuesit kryesor, rezulton se është kthyer në një administratë e shërbim sektorial me përfaqësues “fisesh” politike e familjare dhe jo me profesionistë! Por kjo është e keqja më e vogël, përballë faktit skandaloz, që në kupolën e administratës qendrore e të administratave të AKU në Tiranë dhe qarqe, komandojnë e veprojnë edhe shefa, nëpunës e inspektorë terreni, të cilët tolerojnë në shkëmbim të “çeqeve” që zhvatin “nën dorë” për xhepat e tyre! Por edhe që tolerojnë e lejojnë “ushqime vrasëse” në prodhim e treg, në shkëmbim të produkteve që përlajnë pa pagesë prej prodhimit e tregjeve me shumicë të ushqimeve, për të furnizuar bizneset e tyre ushqimore. Këta “tipa” janë prezent me moskontrollin dhe kontrollet fiktive në çdo strukturë të “zinxhirit” të sektorit ushqimor në prodhim, në treg, në njësi konsumi ushqimor, në PIK në kufi e deri në njësinë më të vogël të tregut, të kafenesë e qofterisë në qytet, fshat e bllok banimi. Kjo “çetë” batakçinjsh duhet pastruar urgjent nga shërbimi i AKU. Nëse drejtuesi i ri ka menduar të jap një kontribut për sigurinë ushqimore në Shqipëri, ky kontribut duhet të nis me operacionin për “vetingun” që duhet bërë me urgjencë në administratën që ai ka pranuar të drejtoj! 
Sigal