Siguria rrugore, s’ka më furgona 10 ditë burg shoferëve të dehur

562
Sigal

EDMOND HAXHINASTO: FUND MARRJES SE PATENTES ME PARA NEN DORE
Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto foli dhe për ndryshime në Kodin Penal dhe Rrugor si dhe hartimit të një plani masash që do t’i japin fund pagesave nën dorë për marrjen e patentës.

“Masat tona janë kryesisht të dy sektorëve, atyre që merren me transportin. Do të forcojmë gjithë procedurën e kontrollit të mjeteve, do të liberalizojmë tregun që të rrisim shërbimin e kontrollit të automjeteve. Do të heqim korrupsionin nga kontrolli i mjeteve. Do të vendosim elementë të detyrueshëm edhe për kontrollin e motorrëve të automjeteve, të ndotjes me gazra nga këto motorrë.”- tha Haxhinasto.

Sipas ministrit të Transportit, “do të kemi një rikonceptim të gjithë procesit të testimit për shoferët. Do të ndryshojmë procedurat, që në vend të dikujt të mos shkojë dikush tjetër. Do të kemi një metodologji konkrete që askush të mos abuzojë dhe të marrin provimin për të tjerë persona”.

HAXHINASTO: TESTIM PSIKOFIZIK PËR TË GJITHË DREJTUESIT E MJETEVE 
“Do të prezantojmë edhe një testim tjetër, atë psikofizik dhe mendojmë se është shumë i rëndësishëm për të parë se sa janë të gatshëm të drejtojnë automjetet. Ndryshime do të ketë edhe në sinjalistikë në rrugë. Janë parashikuar rreth 6 milion dollarë për sinjalistikën dhe do të vendoset në zonat e rrezikshme. Ndërhyrje do të ketë edhe në ruajtjen e rrugës, si një aset i rëndësishëm kombëtar dhe i qytetarëve. Ta ruajmë rrugën nga dëmtimet, nga vjedhja e sinjalistikës, duke ashpërsuar masat”, theksoi gjatë fjalës së tij, Haxhinasto.

HAXHINASTO: DO TË ELEMINOJMË KRYQËZIMET HORIZONTALE
“Do të vendosim një standard shumë të qartë për hyrjet dhe daljet në rrugë që të mos jenë më pika të zeza ku shkaktohen aksidentet. Do të eleminojmë kryeqëzimet horizontale apo që janë në të njëjtin nivel. Kemi nevojë për një reformë të thellë, që transporti mes qyteteve të jetë i sigurtë, me mjete të sigurta, me shoferëve certefikuar për këtë qëllim”, përfundoi fjalën e tij ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto.

SAJMIR TAHIRI: KJO ËSHTË PAKETA MË E PLOTË PËR SIGURINË NË RRUGË
“Kjo është paketa më e plotë e ndërhyrjes në të gjitha hallkat të cilat pas kësaj ndërhyrjeje do të garantojnë siguri rrugore maksimale, për të garantuar jetën dhe shëndetin e drejtuesve të mjeteve, pasagjerëve dhe kalimtarëve. Siguria rrugore është një problem prandaj bashkë me kolegun Haxhinasto do të prezantojmë një paketë masash.

Çdo masë e pjesshme mund të ndikonte në sistem, por jo në mënyrë siç do të ndikojë kjo paketë. Ne jemi të vendosur që të luftojmë edhe shkaqet që çojnë në aksidente. Do të fillojmë edukimin që në shkollë për sigurinë rrugore. Ne jemi të vetëdijshëm që të gjitha këto masa do të ngelnin në letër nëse nuk do të përcaktohen dënimet për shkelësit e rregullave rrugore”, deklaroi ministri i Brendshëm gjatë fjalës së tij për sigurinë rrugore.

TAHIRI: NUMRI I TË VDEKURVE NGA AKSIDENTET MË I MADHI SE ÇDO VEND
Për ministrin e Brendshëm, “pasojat e aksidenteve e shprehur në shifra, në Republikën e Shqipërisë është më i madh se në çdo vend tjetër dhe kjo është e papranueshme. Deri më sot Policia dhe Ministria e Brendshme kanë bërë të mundur përgatitjen e një protokolli standard për efektivët e Policisë Rrugore. Ky protokoll është i hartuar dhe tani është në fuqi”.

“Kemi firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit për të bërë të mundur që para kolaudimit të mjetit, drejtuesi ti shlyejë të gjitha detyrimet që ka ndaj shtetit. Kjo garanton që instrumenti i sanksionit në rastin e shkeljes së rregullave të rëndojë mbi drejtuesit e mjeteve. Çdo gjobë e paguar në postë apo banka të reflektohet menjëherë në sistem dhe të mos rezultonte ende i gjobitur. Tani çdo gjobë që paguhet reflektohet menjëherë në sistemin e policisë”, tha Tahiri.

TAHIRI: FOTOGRAFIM DHE FILMIM TË ÇDO SHKELJEJE NË RRUGË
“Dokumentimin e çdo lloj shkeljeje nëpërmjet fotografimit dhe filmimit në çdo zonë, urbane dhe rurale. Respektimi i normave të shpejtësisë, përdorimi i alkoolit, drogës, i telefonit celular në drejtim të mjetit, mos përdorim i rripit të sigurimit, mbajtja e fëmijëve në vende të papërshtatshme në mjet dhe mos përdorimi i kaskave nga drejtuesit e motorrëve.

Këto janë shkeljet më të shpeshta dhe sjellin edhe pasoja fatale për jetën e njeriut dhe këto shkelje i kemi përcaktuar si prioritare, për shëndetin dhe jetën. Kemi numrim shumë herë më të lartë krahasuar me çdo vend të botës, ku në një aksident përfshihet një këmbësor. Në BE ky aksident nuk përfshihet fare në shifra. Në 295 aksidente me vdekje, 93 përfshijnë një këmbësor. Kalimtarët duhet të kenë respekt për shenjat e qarkullimit”, theksoi gjatë fjalës së tij, Ministri i Brendshëm.

TAHIRI: 10 DITË BURG KUSH DREJTON MAKINËN NË GJENEDJE TË DEHUR
“Kemi propozuar ndryshime në nenin 291 të kodit Penal: Drejtuesit e mjeteve pa patentë apo në gjendje të dehur, do të dënohen 10 ditë burg automatikisht. Në 4 muaj, Policia e Shtetit filloi praktikën e arrestimit të drejtuesve në gjendje të dehur. Deri më sot janë 660 drejtues mjetesh, të ndaluar janë 83. Kemi për detyrë të garantojmë jetën e qytetarit”, deklaroi Tahiri.

TAHIRI: NUK DO KETË MË TRANSPORT PASAGJERËSH ME FURGONA
“Së bashku me kolegun Haxhinasto do të marrim masa immediate për të sanksionuar rregullat e transportit qytetar. Transporti me furgon përbëjnë shkak për aksidentet, shpeshherë fatale për jetën e qytetarëve. Po e trajtojmë si një masë sigurie për të parandaluar aksidente me pasoja fatale. Një masë që kërkon një planifikim në kohë. Me kolegun Haxhinasto po aplikojmë aktet përkatëse dhe menjëherë do të thotë menjëherë. Kemi parashkikuar në planin e masave kontrollin e mjetëve me targa të huaja. Në BE kjo nuk është problem, por në Shqipëri është problem, duke përcaktuar një rregjim për mjetet që nuk mbajnë targa shqiptare. Jo per mjete që vijnë jashtë Shqipërisë për qëllime të përkohshme, por për ato që qëndrojnë për vite të tëra”, tha ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri.

TAHIRI: NUK MUND TË KETË NGA NJË POLIC NË ÇDO KRYQËZIM
“Në planin e masave kemi parashkikuar detyrimin në fazën e rregjistrimit të mjeteve rrugore dhe pagimin e taksave që drejtuesi i mjetit të jetë i detyruar të pajiset me kontratën. Për të garantuar shëndetin dhe jetën e njeriut së bashku me një proces konsultash për të përcaktuar detyrimin që bie mbi ta, lidhur me marrëdhënien me Ministrinë e Brendshme dhe Transporteve, lidhur me masat për parandalimin e aksidenteve. Kërkohet bashkëpunim nga qytetarët, nga drejtuesit e mjeteve, por edhe nga kalimtarët. Në asnjë vend të botës nuk bie barra mbi Policinë e Shtetit që të ketë polic që të jetë në çdo kryqëzim apo kthesë”, përfundoi fjalën e tij, ministri i Brendëshëm, Sajmir Tahiri.