Siguria dhe Mbrojtja e Përbashkët Evropiane

1201
Dr. Qemal LAME
Bashkimi Evropian, më 13 nëntor 2017, hodhi një hap të guximshëm dhe hapi një faqe të re në historinë evropiane të sigurisë e të mbrojtjes së përbashkët. 23 anëtarë të Bashkimit Evropian më në fund kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për krijimin e “Bashkëpunimit të Përhershëm të Strukturuar” (PESCO). Ky dokument parashikon të bëjë të përhershëm bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. Bashkëpunimi i përhershëm në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes është një arritje historike në konkretizimin e parimeve të Traktatit së Lisbonës, si dokumenti themelor me parime kushtetuese për ndërtimin dhe funksionimin e bashkësisë si mekanizëm shtetëror qëndror që merr vendime me karakter të detyrueshëm për shtetet anëtare. Me anë të këtij organizimi ushtarak, BE do të unifikojë politikën dhe do të marri funksione konkrete për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen evropiane. Traktati i Lisbonës dhe marrëveshja e realizuar me vullnetin e gjithë shteteve që e nënshkruan, hodhi bazat ligjore dhe hapi perspektivën më të qartë të konstituimit shtetëror dhe të federalizimit gradual të funksioneve më të rëndësishme të sovranitetit të bashkësisë në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Mbrojtja e përbashkët evropiane synon që ta bëjë Bashkimin Evropian të pavarur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe bashkëpunimin e ngushtë në projektet e armatimit ushtarak. Mbrojtja evropiane u shtrua si problem pas zgjedhjes së Presidentit Donald Trump. Në rast se do të krijohen situata krize në shtetet fqinje, evropianët kërkohet të kenë të përgatitura dhe të gatshme forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe të jenë të aftë për të vepruar ushtarakisht. Në një deklaratën me shkrim nga Këshilli i BE-së theksohet se 23 vendet anëtare të BE-së kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët për krijimin e PESCO-s, ku kjo deklaratë i është përcjellë Këshillit të BE-së dhe përfaqësueses së Lartë të BE-së për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Në deklaratën parashikohen 20 detyra kryesore të Bashkësisë. Nënshkrimi i deklaratës së përbashkët cilësohet si hapi i parë zyrtar ligjor me detyrime për shtetet pjesëmarrëse për formimin e PESCO. Struktura e bashkëpunimit të përhershëm në sipas parimeve të Traktatit të Lisbonës, fillimisht do t’iu njohë mundësinë vendeve anëtare të BE-së që të punojnë së bashku në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Shtetet anëtare mund të zhvillojnë aftësi të përbashkëta mbrojtëse, të investojnë në projekte të përbashkëta, mund të kontribuojnë në zhvillimin e ushtrive të tyre, thuhet ndër të tjera në deklaratë. Marrëveshja e përbashkët është arritur pas një veprimtarie intensive ndërshtetërore në një periudhë afro njëvjeçare. Pas diskutimeve të shumta deri në çastet e fundit, arritën të unifikojnë qëndrimet dhe të deklarojnë vullnetin shtetëror për marrëveshjen Austria, Belgjika, Bullgaria, Çekia, Kroacia, Qiproja Greke, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Holanda, Polonia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Spanja dhe Suedia janë vendet që kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët. Austria ishte kundër pjesëmarrjes në këtë marrëveshje. Qeveria austriake ndryshoi qëndrimin dhe ju bashkua shteteve të tjera në çastin e fundit, minutat e fundit që u mor vendimi për të nënshkruar deklaratën e përbashkët.

Nuk e nënshkruan deklaratën Danimarka, Britania e Madhe, Irlanda, Malta dhe Portugalia. Është e sigurt se Danimarka dhe Britania e Madhe nuk do të jenë pjesë e strukturës së bashkëpunimit të përhershëm. Danimarka tradicionalisht nuk bën pjesë në politikën e përbashkët evropiane të sigurisë e të mbrojtjes. Britania e Madhe do të shkëputet në vitin 2019 nga bashkësia. Ndërkohë që në këtë fazë nuk u arrit që të gjithë shtetet anëtare të marrin pjesë në këtë marrëveshje, theksohet se në të ardhmen është e hapur mundësia e bashkimit të vendeve që nuk marrin pjesë në PESCO. Me këtë përkufizim, kuptohet se edhe shtetet kandidate për anëtarësim si Shqipëria, Serbia, Maqedonia etj., do të kenë perspektivën e bashkimit me këtë strukturë të re të bashkësisë evropiane. Deklarata qartëson dhe theksohen se PESCO është një kornizë ligjore detyruese dhe gjithëpërfshirëse për rregullimin e investimeve në lidhje me mbrojtjen dhe thuhet se synimi i saj është “mbrojtja e territorit të BE-së dhe të qytetarëve të saj”. Politika e njëanshme e çdo shteti, vlerësohet se është efektivisht shumë e kushtueshme dhe kërkon investime të mëdha për të përballuar sfidat e kohës. Për këtë qëllim, shtetet anëtare konfirmuan interesin e përbashkët për ta bërë mbrojtjen më pak të kushtueshme duke investuar bashkërisht. Me këtë rast, ata deklaruan edhe rritjen e buxheteve shtetërore të mbrojtjes në këtë kuadër. Bashkimi Evropian nuk ka akoma funksionet kushtetuese të një shteti qendror federativ. Shtetet anëtare vazhdojnë të kenë sovranitetin e plotë në fushën e sigurisë e të mbrojtjes së integritetit territorial e shtetëror. Integrimi miqësor nuk ka arritur që shtetet sovrane ti japin delegojnë Brukselit të drejtën për të marrë vendime për luftën dhe paqen. Për këtë arsye, edhe Mbrojtja e Përbashkët nuk është dhe nuk kuptohet si Mbrojtja e Përbashkët Evropiane. Asnjë shtet anëtar nuk dëshiron të heqë nga duart e tij sovranitetin në marrjen e vendimeve për luftën dhe paqen. Nuk është krijuar Ministria e Mbrojtjes Evropiane. Në rast se do të ishte arritur marrëveshja për mbrojtjen e përbashkët, atëherë bashkësia do të ishte një aleancë ushtarake, e cila do të ishte hapi për krijimin e Ushtrisë Evropiane, Forcave të Armatosura Evropiane. Këto janë akoma shumë larg bashkësisë. Struktura e bashkëpunimit kuptohet si “organizëm jo konkret ushtarak dhe i kujdesshëm politikisht”. Qendra e koordinimit mjekësor, përgatitjes së trupave dhe austatung nuk e bëjnë BE fuqi ushtarake. Megjithatë, ka rëndësi të kuptohet se qëllimi i shteteve evropiane është të arrihet krijimi i Forcave të Armatosura të Evropës. Marrëveshja e bashkëpunimit të përbashkët është baza që do të krijojë kushtet objektive për këtë objektiv final, krijimin e përvojës, mënjanimin e pengesave dhe presioneve të grupimeve nacionaliste e konservatore që kundërshtojnë federalizimin e vazhdojnë të shpresojnë në një ‘brexit’ tjetër. Struktura e përhershme e bashkëpunimit do të fillojë të funksionojë në muajin dhjetor 2017. Projekti i parë është krijimi i Komandës Ndihmës Mjekësore, organizmit të Logjistikës së Përbashkët për Transportin e Trupave dhe të Armatimeve Ushtarake. 
Sigal