Si u zbulua qyteza dasarete në kodrinën e fshatit Lin të Pogradecit?

2738
Gëzim Llojdia*

Në 22 shtator 1968 një arkeolog i vitlindjes 1921, diplomuar në Universitetin e Padovës, një nga katër themeluesit e arkeologjisë shqiptare, (H. Ceka, F.Prendi, S.Islami) quhej Skënder Anamali shkruan një artikull me vlerë spikatur shkencore te gazeta “Drita” duke sjellë disa të dhëna për një qytezë dasarete në kodrinën e fshatit Lin të Pogradecit. Prof. Anamali shkruan: “Kush ka udhëtuar dhe udhëton në drejtim të Pogradecit, duke ardhur nga Elbasani, porsa fillon të zbresë nga Qafthana, do të tërhiqet nga panorama që hapet para tij dhe në mënyrë’ të veçante nga fshati Lin me shtëpitë e struktura nën faqet shkëmbore të një gadishulli të vogël mbi liqen. Pa dyshim, që asnjërit nga udhëtarët nuk i ka vajtur mendja, se këtu e 3000 vjet më parë në kodrën mbi këtë fshat, gjithashtu mjaft shkëmbore kanë banuar njerëz, dikur aty kish një qytezë të dasaretëve ilire.” Prof. Anamali thotë, se duke kërkuar, të dijë diçka për dasaretët në burimet e shkruara të lashta, ai do të mësojë shume pak gjëra, sepse, sikurse edhe për ilirët e tjerë, ata kanë shume pak njoftime. Për të ditur më shumë u duhet drejtuar të dhënave të arkeologjisë, nëse ka të tilla. Dhe në kodrën e Linit gërmimet arkeologjike nxorën në dritë materiale mjaft interesante për qytezën dasarete. Gërmimet arkeologjike në zonën e Linit filluan pas zbulimit të disa mozaikëve. Arkeologët shqiptarë kishin ndërmarrë udhëtime eksplorimi dhe gërmime nëpër shumë qendra ilire duke sjellë si rezultate zbulime të mëdha në disa qytete ilire. S. Anamali thotë se në kodrën e Linit arkeologët erdhën e ngulën kazmat pas zbulimit të disa mozaikëve nga punonjësit e muzeut të Pogradecit dhe bashkëpunëtoret e tij, gjurmues të pasionuar të lashtësive ilire në këtë krahinë. Si gjithmonë gërmimet sjellin befasi të reja. Toka jonë ruan në brendësi të saj margaritarë. Dhe vetë arkeologu e pranon këtë fakt duke thanë: “Gërmimet i tejkaluan parashikimet. Në qytezën dasa¬rete të Linit, emrin e lashtë të së cilës tani për tani nuk e dimë, gjetjet arkeologjike treguan se jeta ka filluar herët, aty nga fundi i kohës së bronzit, domethënë ne gjysmën e dytë të mijëvjeçarit II p.e.s. Kultura materiale e banorëve të parë ishte po ajo, që arkeologet kishin zbuluar disa vjet më parë në banimet bashkëkohëse të Maliqit e të Trenit, në rrethin e Korçës. Banorët e qytezës së Li¬nit nuk patën nevojë të rrethojnë me mure vendbanimin e tyre. Kodra shkëmbore me faqet e saj, që binin thikë mbi liqen, ishte e mbrojtur shumë mirë nga natyra, për rreth saj kishte toka për kulturat bujqësore, për rritjen e gjësë së gjallë dhe një liqen të pasur me peshk. Vështirë është të thuhet, ende pas një fushate gërmimi, sa intensive ka qenë jeta në të kaluarën në këtë qytezë dasarete. Por materiali arkeologjik, i zbuluar në gërmimet, tregoi se në këtë qyte¬zë jeta ka vazhduar gjatë, deri në Mesjetën e hershme. Madje në këtë kohë ose nga fundi i kohës së lashtë, gjithmonë për sa vërehet nga gjetjet arkeologjike, ajo ka qenë një qendër e rëndësishme në këtë krahinë. Dy nga monumentet e zbuluara në gërmime i përkasin kësaj kohe, shek. V-VI të e. S. E para, është një godinë kulti, një bazilikë dhe e dyta, jo shumë larg së parës, një ndërtesë banimi. Çfarë janë mozaikët dhe çfarë vlere artistike përmbajnë ata? Megjithëse të rrënuara dhe të prishura keq, ato për ndërtimin e tyre janë me shumë interes, në mënyrë të veçantë bazilika, për dyshemetë, e saj me mozaikë. Mozaikët e zbuluar në kodrën e Linit kanë një vlerë të madhe artistike. Aty janë gjetur tetë dysheme me mozaikë. Piktori mozaicist i frymëzuar nga natyra përreth dhe në përputhje me botëkuptimin me kërkesat e artit të asaj kohe ka krijuar një kompleks të mrekullueshëm mozaikësh duke i dhenë çdo ambienti një vizatim e një kombinim të bukur e origjinal motivesh e ngjyrash. Aty gjejmë të gërshetuara, pa u përsëritur në mënyrë mekanike, fi¬gura gjeometrike, kryesisht në di¬sa korniza anësore e pragje, por edhe ornamente bimore, bisqe hardhie e vesh rrushi, shpezë e fruta të ndryshme. Duke i parë të gjitha këto, të krijohet përshtypja sikur e gjithë natyra për rreth, vreshtat, kopshtet me mollë, dardhë e qershi, shpendët shtëpiake dhe kafshët e bimët e liqenit, janë futur në mozaikë. Ata kanë qëndrime të ndryshme, nganjëherë shu¬më të natyrshme dhe nuk të lodhin duke i shikuar, sepse lidhen harmonishëm midis tyre. Në anën qendrore të bazilikës piktori mozaicist ka krijuar diçka të veçantë, një kompozim të lirë e të shkëputur nga simetria dhe rregulli, që ka ndjekur në ambientet e tjera. Ai ka zgjedhur si temë, botën ujore. Në këto mozaikë shumë të bukur, ka përveç kubikëve të zakonshëm me ngjyrë të bardhë, të kuqe, të zezë, të hirtë, të verdhë e të gjelbër, ngjyra këto jo aq të forta, sepse të tillë qenë gurët nga u prenë kubikët, mjeshtri i panjohur vendas ka përdorur me shumë aftësi edhe kubikë prej brumi qelqi për ngjyra të tilla; si e zeza dhe e gjelbërta e fortë, për ngjyrën blu të detit dhe mermerin për ngjyrën e bardhë. Ky mozaik kaq i bukur, mjerisht është gjetur shu¬më i dëmtuar, i prishur më keq se të tjerët. Ka mbetur diçka nga korniza anësore me figura bletësh, ku është përdorur ngjyra e kuqe me nuancat e saj dhe ndonjë frag¬ment me figura peshqish, si pllashicat e krapi të përhapura midis bimësh ujore dhe rrjetash dekorative, të gjitha të dhëna në mënyrë shumë të gjallë. Në gërmime u gjetën edhe disa detaje e fragmente arkitektonike. Midis tyre ka fragmente shtyllash, bazamente e kapitele dhe pjesë të një kornize, të cilat tregojnë se kjo godinë ka pasur gjithashtu një paraqitje të jashtme të bukur. Duke folur për bazilikat e Linit, arkeologu thotë se Bazilika e Linit dhe godinat e tje¬ra ekzistuan edhe më vonë, deri sa u prishën nga një zjarr i fuqishëm. Gjurmë të këtij zjarri ose të djegies, u gjetën mbi mozaikë, e për rreth tyre. Jo shumë larg godinës u gjetën me shumicë edhe grurë e urov i djegur. Mjaft të qarta qenë gjurmët e djegies në godinën e banimit, ku gjatë gërmimit u konstatua dhe u pa se si kishte rënë çatia pas djegies. Tjegullat shihen ende si kanë rënë nëpër dhomat e ndryshme ashtu sikur qëndronin dikur. Ne vendimin për t’u shpallur zonë e mbrojtur në vitin 2017, thuhet: “Mozaiku, u zbulua nga gërmimet në vitin 1969 që janë bërë në Lin të Pogradecit. Gërmimet treguan për një vendbanim ilir, që i përket epokës së hekurit dhe vijnë deri në Mesjetën e hershme. Nga mozaikët e zbuluar në këtë vend, bie në sy pasuria me një dekor të larmishëm zoomorf, bimor e gjeometrik, me vlera të shquara artistike. Mozaikët nga ana artistike ngjajnë me stilin e një treve të gjerë ballkanike, që përfshinte qytete si Dyrrahu, Stobi, Tesaloniku etj”, (Wikipedia) 

Ku shtriheshin dasaretët?
Qyteza e Linit, thotë Anamali u përkiste, si shumë të tjera të kësaj treve, ilirëve dasaretë. Historishkruesit e lashtë i përmendin dasaretët për të parën herë në lidhje me ngjarjet e fundit të shek. III p.e. s, luftërat maqedono-romake e iliro-maqedone. Duke qenë në një krahinë me rëndësi strategjike, në kufirin midis Ilirisë e Maqedonisë, dasaretet u përfshinë më parë në mbretërinë e enkeleasve, banorët fqinjë të tyre dhe me vonë deri sa u bënë të pavarur në mbretërinë e maqedonëve. Në burimet e shkruara përmenden edhe emrat e një tok qytetesh dasarete dhe mi¬dis tyre, rreth liqenit Lyhnid, qytetet Enkelana, Keraka, Sationa, Bojoja dhe Lyhnidi. Njeri nga këto emra mund t’i takoje qytezës së Li¬nit. Dasaretet nuk kanë qenë një fis ilir i prapambetur dhe viset e banuara prej tyre, nuk kanë qenë të varfra, sikurse ka shkruar ndonjë his¬torian i huaj. Kërkimet arkeologjike kanë zbuluar grupime rrënoja qytezash të lashta, bile më shumë se sa është numri i qyteteve që përmendin burimet e lashta. Janë zbu¬luar edhe grupime banimesh të hapëta deri në viset e thella të malësisë së Mokrës, çka tregon për një popullsi mjaft të dendur. Gërmimet arkeolo¬gjike në trevën e banuar nga dasa¬retët kanë dhënë edhe diçka me tepër. Në këto vise janë zbuluar në Maliq e në Tren vendbanime prehistorike me shumë rëndësi për etno-gjenezën e ilireve. Tashmë, në sajë të zbulimeve të bëra në këto dy vendbanime prehistorike, problemi i origjinës ose i prejardhjes së ilirëve ka hyrë në rrugën e zgjidhjes së drejtë të tij. Në këto dy vendbani¬me iliret i gjejmë të formuar si etnos më vete, qysh në fillim të periudhës së bronzit, domethënë në fillim të mijëvjeçarit II p.e. s. Ata vazhdojnë të banojnë, në këto vise pa ndërprerje deri në ditët tona, por, sikurse dihet, duke marrë në Mesjetë emrin arbëreshë. Për Mesjetën e hershme në këtë treve, janë me interes gjetjet e bëra në qytezën e Linit dhe të Pogradecit ku këtë vit u bë një sondazh i vogël. Ende sot në këto dy vende dëgjohen toponimet Zagradje e Pogradec. Të dy toponimet janë sllave dhe lidhen me fjalën ‘grad’ e ‘gradec’ që do të thotë qytezë ose kala. Por dy qytezat e Linit e të Pogradecit, megjithëse u quajtën me këto emra nuk u përkasin sllavëve, sikur është shprehur ndonjë dijetar, por banorëve vendas, dasaretëve ilire, banorë të lashtë të kësaj krahine. Sllavet, kur u dyndën ose i pushtuan viset e Ilirisë së jugut, nuk i gjetën të braktisura qytezat ilire, por të banuara dhe me një ekonomi e kulturë të përparuar. Ata, jo vetëm që nuk i ngritën këto kala, por sikurse është rasti i Linit, duhet menduar se qenë bullgarët, kur invaduan këto vise, ata që e dogjën atë. Edhe njëherë pra të dhënat arkeologjike provojnë se shqiptarët ashtu si paraardhësit e tyre ilirë janë autoktonë vendas, banorë të vazhdueshëm të truallit të tyre. Ato tregojnë gjithashtu se nuk ka asnjë mbështetje arkeologjike teza e vjetruar por e nxjerrë në dritë përsëri nga historianët, se sllavët kur u dyndën në Shqipëri, i gjetën krahinat tona të pabanuara dhe se shqiptarët erdhën më vonë duke zbritur nga Ballkani qendror.

*Autori ka drejtuar parqet arkeologjike të Amantia dhe Orikut
Sigal