Si u zbulua kokaina e mijëra euro në kamionin me patate, që vinte në Shqipëri

166

Kishin fshehur kokainë dhe para në patatet e ngrira, arrestohen dy shqiptarë. Policia italiane në Portin e Barit ka sekuestruar një sasi prej 7 kg kokainë si dhe 150 mijë euro.

Droga dhe paratë ishin fshehur në një kamion të mbushur me patate. Sipas autoriteteve italiane, kamioni ishte nisur nga Holanda dhe kishte si destinacion final Shqipërinë. Në pranga përfunduan dy kamionistët shqiptarë, 30 dhe 44 vjeç, ndërkohë që nuk bëhet i ditur identiteti i tyre.

Shqiptarët e kishin fshehur drogën në fundin e dyfishtë të kabinës së kamionit frigorifer, të mbushur me 20 tonë patate të ngrira, të blera në Holandë. Veç drogës, autoritetet sekuestruan edhe 150 mijë euro. Pasi t’i ngarkonin në anije në Bari, dy shoferët shqiptarë të moshave 30 dhe 45 vjeç do të mbërrinin në Shqipëri.

Kokaina ishte e konfeksionuar në 6 pako, ndërsa paratë cash, 150 mijë euro ishin në bankënota në prerje 20 dhe 50 euro. Dy shtetasit shqiptarë janë vënë në pranga dhe janë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane në burgun e Barit.

Mediat lokale bëjnë të ditur se zbulimi u bë nga Guardia di Finanza në bashkëpunim me zyrtarët e doganës gjatë kontrollit të imtësishëm për makinat dhe mallrat që dalin nga BE për në vende të treta. Kontrollorët me eksperiencë vrojtuan me kujdes ndryshimet që ishin bërë brenda kabinës së shoferit të kamionit.

Pikërisht poshtë saj, në një fund të dyfishtë, u zbulua se një komponent i automjetit ishte mbyllur dhe nuk dukej me sy të lirë. Pikërisht brenda saj ishin fshehur një sasi prej 6.775 kg drogë e llojit kokainë si dhe një shumë eurosh në cash prej 151 640 eurosh. Bashkë me drogën dhe paratë, u sekuestruan dhe kamioni që po kryente transportin e 20 tonëve patate.

Dy shqiptarët e arrestuar do të hetohen për trafik ndërkombëtar të drogës si dhe për mosdeklarim të parave. Sipas hetuesve italianë, dy shoferët e kamionit dyshohet se janë paguar thjesht për të kryer rolin e transportit të drogës dhe parave në Shqipëri pasi pas kësaj fshihet një grup trafikantësh që ka bazën në Holandë.

Tashmë, shqiptarët, përveçse merren me shitjen e drogës në vendet të ndryshe të Bashkimit Europian, kanë nisur ta importojnë dhe në Shqipëri, pasi deri disa vite më parë, kokaina vinte në vendin tonë kryesisht në rrugë tokësore nga Turqia. Sipas ekspertëve, kjo vjen për shkak të rritjes së tregut të brendshëm, pasi në vendin tonë ka një numër në rritje të përdoruesve të kokainës.

Ndërkohë, po dje Policia italiane ka vënë në pranga një shtetas shqiptar pasi është kapur me kokainë. Mediat italiane bëjnë me dije se i arrestuari është një i ri rreth 28 vjeç. Droga që posedonte shqiptari ishte e llojit kokainë e pastër dhe nëse do të shitej në treg do të kapte një shumë prej 14 mijë eurosh.

Gjatë kontrollit të ushtruar, shqiptarit iu gjetën 55 gramë kokainë. Identiteti i shqiptarit nuk bëhet publik për shkak të hetimit. Ndaj tij, Gjykata e Spoletos ka dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie”.