Si u pushkatuan katër partizanë nga Tatëzati, pa gjyq

730
Agron MEMA

Sipas rrëfimit të Velo Dajkos: Janë histori që duhen shpluhurosur, sepse detyra e historisë është të na tregojë për të kaluarën, për njerëzit e saj, jetesën dhe mendimet, ndjenjat dhe përjetimet që kanë pasur, ndaj dhe duhen parë e analizuar me kujdes, me objektivitet dhe realizëm , paanshmëri dhe vërtetësi korrekte. Kështu është edhe ky fakt që po sjellim sot para lexuesit. I njohur si pushkatim pa gjyq, por pa përmendur detajet e ekzekutimit të tyre dhe arrestimit. E mësuam kur shkuam në fshatin Tatëzat. Rruga që të shpie në Tatëzat, fshati i skajit më malor në veriperëndim të Rrëzomës së Delvinës, është shumë e keqe, madje të lodh më shumë rrugëtimi me makinë se sa me këmbë. Ka mbetur ashtu që nga koha e socializmit. Tatëzati sot është një fshat i braktisur, me banorë të pakët. Një klub dhe shkolla me dy mësues. Ulemi në klubin e fshatit ku gjejmë disa pleq të ulur në karriget plastike që të shohin në sy me pikëllim e përmallim duke dredhur në duar tespijet. Rrotull banesa të rrënuara. Maja e Lucës i rri si mburojë mbi shpatulla fshatit, përballë mali i Lavanit që sjell për së largu blegërimat e kopeve dhe tinguj fyelli dhe panoramën e e perëndimit të diellit, poshtë gjarpëron lumi i Kalasës, që çuditërisht nuk dihet pse i thonë me këtë emërtim kur ky lumë buron nga gjoksi shkëmbor i Tatëzatit. Kjo është pamja e trishtë dhe romantike e këtij fshati të veçantë dhe me arkitekturë nga më karakteristiket e zonës dhe më tej. Duket qytetërimi i hershëm që ka lënë gjurmët e tij nëpër kohë edhe tek banesat edhe tek kultura që kanë banorët dhe intelektualët që ka nxjerrë në kohëra dhe si fshati më arsimdashës i Rrëzomës. Biseda me këta të moshuar që gjetëm në klub rrjedh si vet ujërat e lumit poshtë fshatit të tyre. Psherëtimat e gjoksit të tyre u ngjajnë farfuritjes së gjetheve të rrapeve dhe valëzimeve të lumit. Duket se janë të etur për biseda. Kur tentuam t’i qerasnim, nuk pranuan. Zakoni e do që miku mirseardhet dhe qeraset,-na thanë. Duke gjerbur kafen e mikpritjes dhe mirseardhjes nga këta pleq zemërbardhë, filluan të tregonin edhe histori, të ndjeshme në kohë të ndryshme. Tregojnë dhe dredhin tespijet si për të afruar kujtimet e freskuar kujtesën me detaje nga më kuriozet që nxjerrin në pah edhe shumë gjëra të panjohura që deri më sot janë paraqitur si një fantazmë e mjegulluar; gjëma, djegie të fshatit nga okupatorët, shpërngulje deri në ullishtat e Vlorës, vdekje masive nga epidemia dhe uria, luftëra të ndara në të dyja frontet, pushteti komunist dhe reforma agrare, arrestimet, persekutimet, burgosjet dhe pushkatimet dhe ardhja e demokracisë. Të gjitha këto tregohen nga goja e këtyre të moshuarve të vetmuar e të malluar për fëmijët e tyre. Rrëfimet e tyre janë me vlerë dhe na duken madem me thesare të paçmuara për të njohur se nga vijmë. Jemi nën shoqërinë e mikut tim tatëzaqot, Berti Dajko. Kohë dreke dhe na fton në shtëpinë e prindërve të tij. Xha Velua na pret së bashku me zonjën e tij të urtë e fjalëpakë. Një drekë e bollshme si për miq dhe një muhabet i lirë që la mbresa e nuk do largohej kollaj nga mendja jonë. Në fytyrën e xha Velos dhe në fjalën e tij ka lënë gjurmë druajtja e të rriturit jetim. Por rakia me dolli shpejt do ta largonte ndjenjën e druajtjes dhe na tregoi histori, por neve na la përshtypje dhe dhimbje historia e tij. Këto mu kujtuan sot, kur xha Velua ka rreth një vit që është larguar nga kjo jetë dhe e kujtojmë duke pirë kafe me të birin, mikun tim, Bertin. Iku vetëm pak muaj pas plakës së tij të urtë e të mirë. Nuk mundi ti bënte dot ballë dhimbjes për humbjen e shokut të jetës. Qe rritur jetim pa nënë e babë dhe me gruan kish kaluar jetën, i kish falur dashurinë e saj njerëzore, bashkë kishin përballuar dallgët dhe hallet e jetës, lindën, rritën, arsimuan dhe martuan katër fëmijë. Dhimbja për xha Velon qe aq e madhe sa nuk e përballoi dot zemra e tij dhe pushoi njëherë e përgjithmonë për t’u prehur së bashku me shokun besnik të jetës. U mbyll një jetë plot halle dhe dhimbje, por edhe me gëzime. Njeri që nuk i bëri keq kujt, por u përball me të keqen në jetë; i vdiqën nëna dhe babai duke e lënë të vogël dhe në pleqëri i vdes e shoqja. Nuk duronte dot më zemra e tij. Një segment jete i përballur me të keqen dhe dhimbjen, por me një forcë karakteri dhe shpirti admirues. Cila qe historia që tregoi xha Velo dhe preku jetën e tija? Ç’farë ka të veçantë në këtë jetë njeriu? Velo Dajko u lind në fshatin Tatëzat më 10 maj 1929 kur Shqipëria kish rreth një vit që qe shpallur Mbretëri. Mbetet jetim 10 vjeç pasi i vdes nëna më 1939 kur Mbretëria ra dhe Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste dhe në vitin 1944, pak muaj se të çlirohej Shqipëria i pushkatohet babai nga gjermano-ballistët. Kjo është dhe historia që na tërhoqi më shumë vëmendjen për ta publikuar, pasi detajet e sajë janë përmendur me shumë rezerva edhe në kohën e socializmit, ndonëse për ta qe ngritur edhe një lapidar përkujtimor. I ati i xha Velos, Beg Velo, Velon e kish fejuar qysh në djep sipas zakoneve të asaj kohe. Bega qe lidhur me LANÇ-in dhe aktivizohet në çetën territoriale. Tatëzati dhe fshatrat e Rrëzomës në atë kohë ishin bastion i Ballit Kombëtar dhe forcat NAÇL kishin pak influencë në zonë, kjo e vështirësonte aktivitetin e Nacional-Çlirimtarëve dhe komunistëve të cilët kishin një mbështetje të fuqishme nga forcat partizane të Bregut të Detit, zonë që përkrahte masivisht LANÇ-in. E kundërta e Rrëzomës. Por miqësitë dhe krushqitë bënin të mos kish gjakderdhje të mëdha midis tyre. Por nga kjo nuk shpëtuan katër partizanët e Tatëzatit. Jeta në mal kish vështirësitë e veta edhe me furnizime, sidomos me duhan. Bega i shkruan letër krushkut, vjehrrit të Velos, që t’i shpinte duhan. Vjehrri i Velos, Isuf Selimi nga Tatëzati, nuk dinte shkrim dhe këndim. Ishte analfabet. Shkon për t’ia lexuar Karafil Leskua, një eksponent i Ballit Kombëtar. Pasi iku Isufi, Karafili organizoi forcat balliste të mbështetura nga një skuadër gjermane dhe vihet në ndjekje të tyre. Qe një gjah i majmë për Karafilin dhe do të shpërblehej mirë nga gjermanët dhe padronët e tij, por do t’i jepnin edhe një goditje të fortë Lëvizjes Nacional-Çlirimtare në Rrëzomë. Qe marsi i vitit 1944. Në këtë kohë kur gjermano-ballistët kishin organizuar gjurmimin e tyre, Beg Velo së bashku me bashkëfshatarët e tij, Daut Hoxha, Mufit Hoxha dhe Braho Braho, nuk dinin gjë se ndiqeshin këmba –këmbës. Kishin shkuar në fshatin Piqeras, fshat me të cilin Tatëzatin e lidhte një miqësi tradicionale, për të porositur opinga. Sa mbërritën në fshat dikush i spiunoi dhe forcat gjermano-balliste mbërritën në Piqeras dhe rrethuan fshatin. Fshatarët u munduan t’i fshihnin mes degëve të shumta të ullirit, se qe koha e krasitjes dhe degët e shumta të prera qenë sheshit. Por përsëri spiunimi qe i saktë, gjurmuesi i kish ndjekur pa u kuptuar. I zunë dhe i arrestuan të katërt anëtarët e çetës territoriale të Tatëzatit. Të lidhur këmbë e duar me pranga dhe tela, kaluan qafën e malit Lavan që ndan fshatrat Tatëzat dhe Piqeras dhe mbërritën në Tatëzat. Qëllimi qe i qartë: Të terrorizonin dhe shantazhonin zonën e Rrëzomës që mos të ndiqnin pas partizanët. I izoluan në katoin e shtëpisë së Beg Velos. Një ofendim tjetër ky në sy të fshatit dhe familjes. Të të burgosin në bodrumet e shtëpsië tënde. Shpejt u mor vendimi të burgoseshin në burgun e Delvinës. U nisën për në Delvinë me këmbë, me qëllim për të kaluar fshat më fshat dhe të tregonin fundin e komunistëve. Por pa kaluar mirë daljen nga fshati Tatëzat, duke ecur rrugës, pranë kodrës së Dragos, ku ndodhet edhe lapidari në kujtim të tyre, breshëritë e pabesa të automatikëve u prenë jetën në mes. I vranë pa gjyq kur urdhri qe, t’i shoqëronin në komandën e Ballit, në burgun e Delvinës. Kështu u rrit Velua jetim, pa nënë e babë, por arriti të mbaronte shkollën shtatëvjeçare. Punonte si blegtor për të mbajtur frymën e për t’u bërë gati për martesë. Puna e tij shembullore tërhoqi vëmendjen e pushtetit të kohës duke e vendosur përgjegjës sektori në Kalasë, punë që e kreu me ndershmëri duke arritur të përfaqësohej deri në forumet më të larta të partisë dhe pushtetit të zonës së Rrëzomës dhe me vlerësim nga Kuvendi Popullor me “Urdhrin e Punës”. Kjo qe jeta e këtij njeriu e karakterizuar nga thjeshtësia deri sa mbylli sytë përgjithmonë në moshën 87-vjeçare duke mos i ikur loti i dhimbjes nga syri. La pas një emër të mirë e të nderuar, modelin e thjeshtësisë dhe punëtorit të papërtuar, urtësisë e mençurisë që mbi gjithçka qe dashuria për jetën dhe njeriun dhe i shijonte dhe gëzonte mbi gjithçka fryti i djersës së tij. 
Sigal