Si u përgatitën sulmet kundër misioneve ushtarake anglo-amerikane?

608
Gëzim LLOJDIA, Studiues

-Duke ndjekur rrugëtimin dhe udhë-përshkrimet e gazetës “Flamuri”.
-Çështja që përvijohet qartazi dhe hollësisht e mundshme për t’u zbërthyer: aleatët e luftës dhe pas-qëndrimi me ta. 
-Gjemia lëkundet dhe fillon lëvizjen andej nga fryn era. 

Më 3 nëntor 1943 gjejmë aty se KQ i PKSH u ka shpërndarë një qarkore, kuptohet të fshehtë. Fjalitë ku duhej përqendruar: duhet t’i kemi sytë të kthyer nga Moska, edhe ta shikojmë çdo gjë, në prizmin e luftës që po bën Bashkimi Sovjetik. Duhet të krijojmë në popull dashuri dhe respekt për Bashkimin sovjetik, Ushtrinë e kuqe dhe Stalinin. Ka qarkulluar një qarkore gati e fshehtë që është firmosur prej “Shpatit” me të dhëna më 9 shtator 1943 ku rreshtohen disa radhë kundër qeverisë angleze dhe reaksionit imperialist, që në rast të një zbarkimi do t’i ndihmonte çetat e Ballit Kombëtar, i cili njihej për tendencën antikomuniste dhe antifashiste. Të mëvonshme ngjarjet janë një konsekuencë rrjedhojë e logjikës, shkruhet. Një erë e ndezur që do të godiste anglo-amerikanët filluan me fjalimet e drejtuesve të shtetit të atij regjimi. Çfarë ngjau? Ardhja në fuqi e laburistëve në Angli sikur ngrohu shpresat, që u shuan po kaq me shpejtësi. Germë për germë shkruhet kështu tek gazeta në vitet ’50, të shekullit të shkuar.

“Kështu me mjeshtërinë djallëzore dëbuan Nuncin Apostolik të Papës Mgr Nigris.”
Nga fundi i marsit të vitit ’45 shtrënguan konsullin turk të fshihet në misionin Englez dhe të largohet fshehtas nga Shqipëria, mbasi e atakuan deri me gurë brenda në konsullatë. Filluan t’i qesin pengime zyrtarëve të UNRRA-s, të cilët i shikonin si agjentë të demokracive perëndimore. Disa nga ata; si Mrs Pennington, shqiptarofile e njoftuan dh e dëbuan me forcë nga Shqipëria. Në fund përgatitën sulmet kundër misioneve ushtarake anglo-amerikane. Këto misione të mbikëqyrura vazhdimisht nga policia e Koçi Xoxes nuk kishin liri udhëtimi nëpër vise të ndryshme të Shqipërisë dhe njerëzit që binin në kontakte me ta shënoheshin nga agjentë të veçantë për t’u përgatitur një ditë burgimin e tyre. Misionet aleate e humbën një ditë lirinë për të kërkuar vorrezat e ushtarëve dhe oficerëve aleatë të vrarë gjatë Luftës në tokën shqiptare… 

Me fqinjët Enver Hoxha ka inauguruar një politikë antikombëtare. 
(Materialet e mëposhtme janë sjellë, jo në gjuhën standarde, por mbajnë “vulën’ e kohës dhe kanë vlerë dokumentare për të nxjerrë para lexuesit të sotëm atmosferën dhe tablo reale të periudhës për të cilën bën fjalë ky studim)

1. Shqipënija ka në robni jugosllave që nga viti 1913
a)Krahina të gjana dhe të pasura si Kosova, Dibra, rrethet e Shkodrës, me një sipërfaqe e popullsi sa Shqipëria e sotme e quajtun e lirë. Afër 1.000.000 shqiptarë vuajtën dhe vuajnë tu pritë një ditë drejtësie për tu bashkuar me Shqipënin Nëne. Kur Shqipnija për qejf të Enver Hoxhës dhe me urdhen të Moskës kishte hyr në prerin e Jugosllavisë që e kishte robuen mirë vendin me traktate ushtarake,ekonomike,politike, marshalli Tito kishte zanë vendin e Skënderbeut.Atëherë Enver Hoxha mohonte Kosovën dhe “tanësin tokësore”tu deklarue në fillim të 1945

Tirana e Enver Hoxhës deklaronte: “Me Jugosllavinë nuk kemi asnjë rivendikim”.
b)“Sot punët kanë ndryshuem”Shokët” janë ba armiq të tërbuem. Jugosllavija akuzon Enver Hoxhën pse prishi gjithë traktatet e akordet, dhe e armiqësoi me Shqipënin,ndërsa qeverisa komuniste e akuzon Jugosllavinë pse masakroi mijëra kosovarësh të cilët dojshin të bashkoheshin me mëmëdheun. Ka haruar Enver Hoxha se në atë kohë pat dërguar brigadat komuniste për të shtyp kryengritjen kosovare kundër robërisë së kuqe.”

2- Politika e ndjekur me fqinjin jugor, Greqinë.
Me pak rreshta citohet kështu se jugu i Shqipërisë ka ngelur në Greqi që nga viti 1913, Çamëria me një popullsi prej 130000 banorë. Por sot nga stërminimi sistematik i qeverive të ndryshme dhe nga shtrëngimi për ikur për në Turqi, kjo popullsi përmban 30000 shqiptarë. Çfarë bënë qeveria e Tiranës dhe E. Hoxha ngrihet zëri deri ne qiell duke shpërthyer kundra Greqisë, e duke e quajtur monarko-fashiste, por shkaqet e vërtetë nuk janë, as çamët dhe as Çamëria. Ai, Enveri, është urdhëruar të mbajë në pasiguri kufirin e Epirit, për të vendosur ne vend planet e sovjetikëve. Kur çetat e ELAS dominonin në kufirin e veriut, komunistët nga viti 1943 prishën piramidat e kufirit greko-shqiptar dhe deshën të përgatitin popullin për një përqafim. Nëse në Athinë do të kishin fituar të majtët, qeverisë komuniste të Tiranës nuk do t’i binte ndërmend, as për tokat shqiptare, as për çamët. Këtu ka një citim të Mit’hat Frashërit në 1942: “Partia Komuniste interesohej, jo për luftën kundra kombësive të huaja në Shqipëri, por për luftën kundra ideve dhe kombeve që ishin kundra komunizmit dhe Bashkimit Sovjetik. Sa për Shqipërinë mjaftonte të tepronte një shqiptar, por ai duhet të ishte komunist”. 

3- Për fqinjin tjetër Italinë. 
Thuhet se është lidhur një marrëdhënie diplomatike, por qeveria e Tiranës e shikon atë ende me syzet e fashizmit. Çfarë fshihej pas asaj marrëveshjeje konsullore? Qëllimi i Tiranës ishte, të futeshin në Itali agjentë për të vëzhguar dhe për të kryer atentate kundërshtarëve politikë. Kështu regjimi mori në sy të gjitha rreziqet duke u mbajtur pas kapistre të Moskës, e cila nuk kishte përgatitur dhe as nuk u angazhuan në ndonjë traktat për mbrojtjen e Shqipërisë.
Sigal