Si u magjepsën pas llokumeve me arra të mjeshtrit pogradecar, Marinela dhe Shtrausi

1488
Bardhyl Berberi 
Në jetë njeriu ndodhet jo rrallë përballë të papriturash, ngjarje të çuditshme që zënë vend në kujtesën e tij rrinë për një kohë të gjatë të strukur aty dhe vjen një ditë që shërben një ngjarje tjetër që lidhet me atë dhe si një asociacion të vjen e freskët ngjarja. M’u kujtua para pak ditësh Petrika Como fqinji im që banonte në një vilë dy katesh e buzë liqenit. Erdhën dy vetura nga Ohri dhe e kërkonin Petrikën pasi ju duheshin një sasi e konsiderueshme llokumesh me arra. Por djali i tij Gjergji mësues matematike në gjimnazin e qytetit me urtësi dhe i prekur ju tha maqedonasve se babi i tij pra pak kohësh ishte ndarë nga jeta. Llokumet me arra të bëra nga Petrika i kishin provuar jo vetëm udhëheqja e lartë komuniste e asaj kohe dhe fëmijët e tyre por dhe shumë personalitete të larta që kishin vizituar Pogradecin si Shtrausi apo këngëtarja e famshme greke Marinela që kishte ikur nga Pogradeci pas koncertit me dy arka me llokume me arra në Greqi. Është një fakt që me një njeri të famshëm apo një mjeshtër siç ishte Petrika Çomo kur bisedon herë pas here dhe kur e ke fqinjë ambientohesh me atë dhe të shpëton ai fakt se ky mjeshtër ishte i veçantë dhe llokumet e tija të famshme shkonin nëpër shtëpitë e funksionarëve të diktaturës komuniste për fejesa dhe gëzime të ndryshme, deri në Amerikë dhe vende të tjera ku kishte emigrant shqiptarë. Një ditë duke biseduar dhe duke i vjelë shumë sekrete të mjeshtërisë së tij që çuditërisht nuk ja dha askujt atë sekret e mori me vete në varr i them se do ta bëj një shkrim në gazetë. Ai u prish në fytyrë dhe gradualisht u zbardh si ato statujat greke dhe më thotë: Jo miku im, nuk dua shkrim në gazetë se me këto të shkreta llokume kam marrë shumë veta më qafë. Si ta kuptoj këtë , i them unë i befasuar. Ja ta them unë, shumë djem dhe vajza pogradecarë që ngeleshin nëpër provime në vjeshtë vinin dhe blinin llokumet me arra që prodhoja unë dhe ua çonin pedagogëve dhe merrnin provimin. Ato llokumet e mia dhe peshku Koran dhe ndonjë shishe rakie “Perla” kanë qenë armët me të cilat “luftonin” këta studentët e dobët që nuk e meritonin. Se atëherë në diktaturë nuk kishte zarfe me euro dhe dollarë siç ndodh sot që kalojnë. Unë në këto vite kam parë studentë që janë bërë mjekë, inxhinierë, mësues me arkat me llokume që prindërit e tyre i blinin dhe ata ua çonin pedagogëve. Por është për t’u çuditur që këta që kalonin me ryshfete dhe llokumet e mia i vëreja me kujdes që u bënë të mëdhenj dhe me pozitë që në atë kohë. Madje disa drejtorë nëpër dogana dhe tatime, madje njëri prej tyre që mbaroi kimi industriale e kisha shef në punë. Por, shton mjeshtri, ashtu siç e morën shkollën në mënyrë të pamerituar po ashtu i morën dhe karriget e larta dhe po t’i shikoje me kujdes ashtu me dallavere ecën në jetë duke ruajtur karrigen me ryshfete dhe dallavere jo në mënyrë të ndershme. Dhe e bukura është se edhe kur erdhi demokracia po këta zunë pozicione kryesore nëpër parti dhe qëndruan në këmbë. Ja pra pse nuk dua që të shkruash për mua se i kam bërë dëm shoqërisë me atë produkt që prodhoja me llokumet e ëmbla me arra “helmoja” shoqërinë, me ato dru të shtrembra që dilnin kuadro. Po kështu mbaj mend kur erdhi Shtrausi në Pogradec erdhën më morën me makinë në shtëpi dhe e gdhiva duke i bërë dy arka me llokume me arra, të cilat ia bënë dhuratë pushtetarët e asaj kohe. Ishte koha e diktaturës kur Enveri shkroi librin “ Dy popuj miq” dhe marrëdhëniet me Greqinë kishin pësuar një fare zbutje. Në këtë kuadër vjen në Pogradec për të dhënë koncert këngëtarja e famshme greke Marinela. Ishin vitet `70. Tek holli i turizmit ishte bërë gardh me sigurimsa të veshur me kostume gri. Rreth orës dhjetë paradite Marinela doli buzë liqenit e shoqëruar nga truprojat e saj. Më pas e morën dhe e çuan tek ndërmarrja e famshme ushqimore aty ku prodhohej rakia “Perla” dhe “Muskat” dhe llokumet e famshme me arra. Madje i bënë dhuratë disa shishe rakie dhe një kuti me llokumet e famshme me arra të Pogradecit të vendosura në disa kuti të lodhura kartoni që prodhoheshin në një fabrikë kartoni në Shqipërinë e mesme, më duket se në Kavajë. Marinela përshëndeste njerëzit gjithë dashamirësi, por asnjëri nuk mund të afrohej pranë saj, gjithçka në distancë. Kështu në orën 18 në sallën e shfaqjeve në Pallatin e Kulturës ajo do të jepte Koncert. Kuptohet që nuk kishte bileta. Komiteti i Partisë i kishte ndarë ftesat sipas një programi të caktuar nëpër njerëzit e besuar të administratës. Me shpresa të shuara shkova në shtëpi për drekë. Im atë punonte në një institucion në rreth dhe i kishin dhënë një ftesë. I mërzitur i them: Të vijë këngëtarja më e madhe greke në Pogradec dhe të mos kesh mundësi ta shikosh koncertit. Nuk më besohej që kisha në dorën ftesën për të parë koncertin e Marinelës. Sapo më lëshoi në dorë ftesën babi më tha, shiko se na bën ndonjë të pabërë fillon dhe duartroket me furi. Dëgjo dhe shijo koncertin dhe qëndro në heshtje. Isha maturant dhe këto porosi më dukeshin gomarllëqe. Pasi i premtova babit se do të isha korrekt u futa në shfaqje. Njerëz tepër seriozë që i ngjanin një ceremonie mortore. Sapo Marinela u shfaq në skenë na u duk vetja sikur ishim në ëndërr. E bukura Marinelë me një dekor kuq e zi si për të respektuar shqiptarët nisi koncerti plot me ngjyra adrenalinë. Një aktor i estradës së Pogradecit filloi të vërshëllejë pas këngës së tretë. Kostumet gri që qëndronin në dy anët e sallës e kapën dhe e tërhoqën zvarrë. E bukura Marinelë e shikonte që diçka nuk shkonte pasi një pjesë e sallës ishte akull fare dhe herë pas here i binte mikrofonit me gisht për të kuptuar se a dilte zëri i saj. Një shoku im i klasës që dhe ai e kishte marrë një ftesë nga i ati që ishte drejtor në një ndërmarrje më bie me sup dhe më thotë shiko në mes të prozhektorëve. Aty ishte një sigurims me një kokë të madhe si prej lope që vështronte sallën dhe mbante shënime në një bllok për t’i future në rrethin e Zapatës ata që ishin entuziastë dhe duartrokisnin me vrull. Dolëm një nga një nga salla sikur dolëm nga ndonjë ceremoni funerale. Marinela gjithë karafilat e shportës ia hodhi publikut. Përbri dëgjova një drejtoreshë të një ndërmarrjeje kryesore të qytetit, e cila duke dalë tha: “Na u bëftë kurban greçka!”. Shkova në shtëpi por a mund të flije atë natë pas gjithë asaj doze qytetërimi që kishim thithur. Në kokë më buçisnin meloditë e këngëve të Marinelës që atë natë na bëri të jetojmë një botë prej ëndrre. Ky ishte prologu i një jete dhe një bote të vërtetë jashtë kornizave të diktaturës komuniste.
Sigal