Si u internua në Kotë anëtari i Byrosë Politike, Abdyl Këllezi

1785
Gëzim Llojdia

Kota është një qytet, por dhe një fshat. Ndodhet buzë Shushicës dhe ka një vjetërsi moshe prej 50 vjetësh. Është krijuar në fillim si fermë blegtorale e Llakatundit aty nga viti ’61. Më vonë ndahet dhe bëhet më vete fermë bujqësore e blegtorale. Një lloj bashkimi ku ata nga fshatrat që nuk e hanin dot punën atje gjenin marifetin dhe zbritnin ne fermë. Kota ka qenë një vend i heshtur. Aty nga viti ’20, kur u bë Lufta e Vlorës, u vendos një garnizon ushtarak dhe është vrarë një gjeneral. Një shqiptar nga Shkoza me emrin Kanan Mazeja theu nofullat thonë aty pikërisht ku ka qenë porta e fermës gjatë luftimit me italianët, aq deshën rapsodët që t’i bënin rapsodi si: “Kanan Mazeja nga Shkoza me një nofull copa-copa…” por për këtë vend që ishte i humbur e shkretuar i vunë edhe bejte të tilla si: ”Obobo se qenka Kota më e mirë se Evropa…!” Thoshin këta, pra bejtexhinjtë. 

Për emrin e Kotës ka një legjende interesante dhe intriguese. Unë këtë e kam lexuar nga një mësues tërbaçiot vite më parë. Italianët e kishin ngritur garnizonin në majë të kodrës, për ta ajo ishte kuota 860 metra,dhe duket se kështu e quanin. Duket se ky emërtim u shqiptarizua dhe vendi erdhi dhe u quajt nga kuotë në Kotë…

Kota ka qenë një qendër internimi. Peta, që ishte një sektor i saj, ka pasur vetëm të persekutuar. Në Kotë u internuan zv/kryeministri i diktaturës, Abdyl Këllezi deri ditën që u mor dhe u pushkatua. Një pasdite maji sollën në këtë qytezë të vogël dy Skoda, ngarkuar me rraqe. U mblodh tërë fshati. Në Kotë, thonë për vaki dhe rrahje mblidhen të gjithë. Në fakt nuk ishte asnjë nga të dyja. Kishin sjellë anëtarin e byrosë politike, zv/kryeministrin, kryetarin e Komisionit të Planit të Shtetit shqiptar, Abdyl Këllezin. Në atë fermë internuan edhe familjen e Vasil Katit. Madje e bija Pranvera në Tiranë njihej dhe në fshehtësi ishte shpallur, miss Tirana. Ndërkaq në këtë fermë u mbyllën me internim edhe motra e Xhevdet Mustafës edhe gjyshërit e Tedi Papavramit, doktori plak dhe e shoqja që vuajtën ikjen e nipit në Francë. Ferma buzë Shushicës kishte një sektor të sajën që quhej Petë dhe e kishte vetëm me të internuarit ordinerë, siç i quante regjimi qindra familje e që ikën prej saj vetëm pas viteve ’90 për t’u kthyer nëpër fshatrat dhe qytetet e tyre ose mbeten atje mes baltës në dimër dhe pluhurit të zhegut të Kotës. Kjo e fundit tanimë ka mbetur gërdallë. Sot atje në atë sektor pa ujë të pijshëm, por me dy liqene artificiale, jetojnë vetëm dy familje. 

Zv/kryeministri ishte me bashkëshorten, Safete e thërrisnim ne atë grua fisnike nga Kosova dhe tre djemtë; Leonin, Yllin dhe Maksin. Si dhe nusen e djalit me një vajzë të vogël. Njëri nga tre fëmijët e zv/kryeministrit ra në dëshpërim dhe kaloi një depresion gjatë gjithë kohës së internimit. Zv/kryeministrit i dhanë një hyrje të zgjeruar dhe pas disa ditësh ai filloi punë si drejtor i fermës së Kotës. Ndërkaq tre fëmijët e tij dhe nusja e djalit u sistemuan në punë shtetërore. Këllezi doli ditën e parë për të shkuar në punë me një kostum të zi. Shkoi në fermë dhe pyeti: “Ku janë forcat, sot në korrje gruri, ku në Buallar? Mori administratën e hipi në makina dhe u nis vetë. Të nesërmen përsëriti këtë pyetje: “Ku janë forcat, sot korrje gruri në Petë, hipi administratën dhe rinisi kështu një punë duke e bërë fermën të ndriste. Të gjithë këto ndryshime u raportuan lart. Mirëpo dihet se fati ishte paracaktuar. Kështu vunë spiunët që në atë fermë nuk mungonin dhe s’ishin të paktë, për t’u kundërpërgjigjur; Punon armiku për të fshehur të vërtetën…Një ditë atij i erdhi gjysma e keqe, urdhri i trishtimit. Hiqej nga drejtor ferme dhe vendosej shpërndarës karburanti, pra të zihej me zetoristët e shoferët që ai regjim i kishte nën hyqmin e tij. Megjithatë ai gojë kyçur çdo ditë shkonte i përpiktë të hapte rubinetin e naftës dhe një mbrëmje korbi erdhi më i zi se i pari lajm. E morën. Që nga ajo natë ai nuk u pa më në vajtje ardhjet e tij në fermën e vogël. Lajmi i pushkatimit të tij u mor vesh në një biçim salle kulture që kishte ferma. I kishin dërguar edhe familjes lajm që të vinte. Erdhi bashkëshortja Safetja dhe djemtë. I deleguari lexoi letrën e KQ të PPSH ku thuhej, se armiku Abdyl Këllezi u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua, salla buçiti: “Poshtë armiku” dhe i binte këmbëve në çimento, ndërsa asaj bashkëshortes së tij i ndrisnin pikëzat e lotit. Të nesërmen bashkëshortja vuri në kokë një shall të bardhë, shenjë zie. Që prej asaj dite djemtë dhe nusja e djalit iu vunë punës, u mbyllën në shtëpi dhe fituan një respekt që askush nuk mundi t’i harronte, për edukatën, moralin dhe normat e larta të jetës, sado që i provokonin, i ndiqnin e i torturonin nëpër punët më të zeza, ata mbetën deri në fund fisnikë edhe në kushtet e një jete internimi.

Pranvera e vitit 1975.
Orët e fillimit të internimit dhe zhdukjes nga skena politike të ish-ministrit, anëtarit të Byrosë politike. Ditë maji. Dy Skoda me rimorkio lëvizin nga dyert e bllokut të udhëheqjes shqiptare. Ndërkaq dy automjetet e rënda morën drejtimin për në jug të vendit. Blloku dhe rojet e armatosura mbyllën portat. Atje udhëheqësi sapo ishte zgjuar kur u shua zhaurima e skodave. Enigma e kureshtarëve kur ndiqnin automjetet, që largoheshin. -Iku dhe një nga Byroja politike! Tani automjete do të shtegtonin nëpër asfaltin e butë tej kryeqendrës së vendit. Njerëzia brenda tyre shikonte brengosjen deri në dridhjen nga pikëllimi. Në sytë e tyre, vërtet lexoje: -Për ku ishte drejtimi i automjeteve? Të dhëna në dy automjetet ishin7 pjesëtarë të familjes Këllezi, të tjerët punonjës të sigurimit. Në automjetin e parë udhëtonte ish-kryetari i komisionit të planit të shtetit me bashkëshorten në tjetrën, tre djemtë, Leoni me bashkëshorten Marjetën dhe vajzën 6 muajsh, Ylli dhe Maksimi. 15 qershor 1975. Flitej se ishte lexuar një buletin nëpër të gjithë institucionet shtetërore, ku godiste si armik Abdyl Këllezin. Vetëm ca kohë më parë po më konkretisht në maj të vitit 1975, Abdyl Këllezi u shkarkua nga detyra e anëtarit të Byrosë Politike. Tre djemtë e tij dhe nusja e djalit Marjeta u hoqën nga puna për ti përcjellë në internim. Leoni asaj kohe punonte në Institutin e Fizikës Bërthamore. Ishte specializuar në Kinë. Leoni më kishte folur për jetën në Kinë. Me tregonte anekdota dhe kinezët e pafund. Ne, tha kishim me vete mjeshtrin e uzinës traktori që do të bënte kopje sepse kinezët nuk i jepnin gjithçka. Mjeshtri shikonte me sy kur dhe i vizatonte në hotel gjithë çfarë kishte parë me sy. Një herë tjetër na shpunë për të vizituar fshatin e lindjes së Maos. Udhëtuam me tren, me avion me makinë, tre ditë për të mbëritur në Shaoshan. Atje nuk kishte kuzhinë evropiane. Ata kishin dëgjuar që shqiptarët hanë pilaf dhe na kishin përgatitur një lloj çorbe d.m.th pilaf, që notonte në gjalpë. Leoni i rrëfente bukurisht bukur ndodhitë. Ylli gjendej gjatë asaj kohe në universitet, më duket në inxhinieri. Kur përfundoi zborin ushtarak e fakultetit shkoi direkt në internim. Ndërsa Maksimi pësoi një traumë të rëndë. Kur dy skodat me rimorkio qëndruan në buzë mbrëmje në një qytezë të tipit socialist, kallaballëku, që u mblodh aty pyeste kurioz se kush po vinte për internim. Bëhej fjalë për zv/kryeministrin e qeverisë, anëtarin e Byrosë Politike. Në pallatin dy kate ndërtuar në vitin 1962, tip sovjetik në katin e dytë kishte ditë, që skuadra e ndërtimit po meremetonte hyrjen ku do të strehoheshin të internuarit, mirëpo nuk njihej se kush do të ishin banorët. Në atë zonë sillnin shpesh të internuarit e regjimit por ca më larg saj në një sektor ku vdisje për ujë dhe të hante të gjallë balta në dimër dhe pluhuri në zheg të verë, quhej Petë. Qyteza, quhej Kotë dhe ishte krijuar vetëm në vitin 1961, si ndërmarrje blegtorale fillimisht dhe më vonë bujqësore. Aty ishte administrata, zyrat, rrjeti i dyqaneve të shërbimeve të NTSH, pallate banimi, ofiçina, furra e bukës, kinemaja e vjetër te vatra e kulturës, shkolla 8 vjeçare, postë-PTT. Gjendej në këmbë të fushë së Ahmete, poshtë ishte lumi dhe sipër maja e gjatë. Atë ditë unë kam parë zv/kryeministrin, që u fut direkt në banesë. Abdyl Këllezi i emërua drejtor i fermës bujqësore: ”Kanan Maze” të Kotës. Ishte operativ. Që ditën e parë pyeti:

– Ku punojnë forcat e punës?
-Në korrje gruri.
Urdhëroi dy makina mblodhi administratën dhe vetë shkoi në krye të punëve. Kështu veproi çdo ditë.

Ku janë kombajnat sot?
-Në Brusnje. Makinat dhe administrata shkonte ku punonin njerëzit dhe nxirje buka e gojës. Vetëm pas ca muajsh erdhi urdhëresa, që Abdyl Këllezi hiqej nga drejtor, çuditërisht dërgohej të furnizonte me naftë automjetet e fermës. Më datën 4 shtator Abdyl Këllezi arrestohet. Abdyl Këllezi ish-ministër dhe zv/kryeministër i Shqipërisë në vitet 1945-1975, i ekzekutuar me pushkatim në vitin 1976 si “armik i popullit. Atë ditë vjeshte e thirrën si zakonisht. Të kërkojnë te karburanti. Ish-anëtari i Byrosë politike mori çelësat e cisternës,xhaketën e hollë dhe doli nga pallati. Mirëpo bc e degës ishte fshehur pas pallatit të parë ku ishte edhe rruga. Aty i hodhën prangat lexuan akuzën në emër të popullit, ndërsa anëtari i Byrosë politike shikonte për të fundit herë banesën ku kishte lënë, bashkëshorten, tre djemtë, mbesën e vogël 10 muaj dhe nusen e djalit. Një ditë të vitit 1976 buzëmbrëmje, fronti thirri një mbledhje për të lexuar një nga të shumtat buletine, që përcilleshin në popull direkt nga udhëheqja e lartë. U thirrën edhe familja e Këllezit ndërsa i deleguari lexoi buletinin ku flitej se Abdyl Këllezi ishte pushkatuar. Bashkëshortja dhe djemtë mbajtën një qëndrim burrëror. Unë i kam njohur në internim tre djemtë e familjes Këllezi. Nusen e djalit Marjetën dhe Holtën e vogël dhe më pas Dorianin, që lindi në atë qytezë të vogël. Për këtë familje fisnike është folur gjatë. Qëndrimi i tyre atje ka qenë i pashembullt. Pasqyra e punës dhe qëndrimit të tyre na rrëfen lëndën që ka dhuruar tek ata Zoti ynë. Ndrit pasqyra. Tek shpirti i diellit. Unë do t’u rrëfej atë që ata e kanë bërë pak ose aspak nëpër medium. Marjeta, Leoni, Ylli arrinin të realizonin nga dy-tre norma në ditë në punët më të vështira siç ishte qilizma, hapje kanali, etj. U ngrinin normën. U ngritën normat, mirëpo ata të tre arrinin të bënin nga tre norma në një ditë. Në këto kushte u rrit edhe Holta Këllezi në atë qytezën e vogël, që zgjerohej buzë lumit. Çapkënia vajzë. Mësuesit u vunë përpara një dileme të madhe. Ç’duhej bërë me këtë vajzë të shkëlqyer? 10 ishte pak nga njohurit e saj që i dhuronin të dy prindërit.
Sigal