Si u grabitën miliardat e naftës nga politika dhe Phoenix Petroleum

561
Sigal

Albpetrol prish marrëveshjen me Kompaninë Phoenix Petroleum për vendburimin e Amonicës

Shoqëria Albpetrol sh.a ka vendosur mbylljen e Marrëveshjes Hidrokarbure “Për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e naftës Amonicë” me shoqërinë Phoenix Petroleum sh.a. Marrëveshja Hidrokarbure me shoqërinë Phoenix Petroleum sh.a ishte vendosur me VKM më datë 16 Gusht 2013. Në njoftimin për mediat bëhet e ditur se mbyllja e marrëveshjes nga ana e Albpetrol sh.a është kryer pasi gjatë aktivitetit të saj sipas Marrëveshjes Hidrokarbure, kompania Phoenix Petroleum sh.a. ka akumuluar detyrime te shumta ndaj Albpetrol sh.a. Në këto borxhe përfshihet edhe pagesa që duhet të bëhet për llogari të Fond Pagesës për Kompensim Mujor, në lidhje me 171 Punëtorë të Pushuar nga Puna.

 Aktivitete dhe veprime të paligjshme

Gjithashtu nga verifikimi në terren rezulton se Phoenix Petroleum sh.a kryen operacionet e shitjes së produkteve hidrokarbure në kundërshtim me marrëveshjen dhe pa një Pikë të miratuar për matjen e sasive që shiten, ka shituar në mënyrë të jashtëligjshme një sasi nafte, e cila i ishte lënë në ruajtje nga Albpetrol sh.a në momentin e dorëzimit si dhe ka mbyllur selinë e kompanisë pa njoftuar paraprakisht Albpetrol sh.a.

Pas insistimit të Albpetrol, Phoenix Petroleum sh.a ka deklaruar si seli të kompanisë zyrat e Konsullatës së Nderit të Republikës së Islandës në Tiranë. Për më tepër, operacionet në vendburimin e Amonicës drejtohen nga zoti Aleksandër Zenelaj, i cili ka qenë Drejtor i Marrëveshjeve Hidrokarbure në Albpetrol sh.a. në periudhën kur është negociuar marrëveshja me Phoenix Petroleum sh.a. Zenelaj është gjithashtu një ndër personat kryesorë në procedurën e dorëzimit të vendburimit. Ne te dyja këto procedura janë konstatuar shkelje të shumta duke lënë vend për dyshime të bazuara se Phoenix Petroleum ka ushtruar ndikim të jashtëligjshëm në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes dhe më pas gjatë dorëzimit të vendburimeve.

Marrëveshja

Në bazë të marrëveshjes Phoenix Petroleum sh.a. ka 120 ditë kohë për të përgatitur dorëzimin e vendburimit të Amonicës së bashku me gjithë asetet, puset, mjetet, pajisjet dhe infrastrukturën tjetër që ekzistojnë në Zonën e Kontratës ose të vendosura në rajon rreth ose pranë Zonës së Kontratës, dhe që i kanë kaluar Phoenix Petroleum sh.a. nëpërmjet Instrumentit të Transferimit dhe Procedurës së Marrjes në Dorëzim sipas Anekseve E dhe F të Marrëveshjes. Mbyllja e Marrëveshjes Hidrokarbure nuk do ta lehtësojë Phoenix Petroleum sh.a. nga çdo angazhim i paplotësuar ose detyrime të tjera nën këtë Marrëveshje, duke përfshirë pa kufizim pagesat e detyrimeve monetare për angazhimet e punës të paplotësuara, riparimet sipërfaqësore, përmirësimet e mjedisit dhe braktisjen.

T’i sekuestrohen pasuritë, për shlyerjen e borxheve

 Pasi vodhi milionat, Kompania Phoenix Petroleum, mbyll selinë e saj pa lajmëruar Albpetrol. Ndërkohë që, kjo kompani ka në pronësi të saj pallate e ndërtesa ku banojnë e punojnë politikanë e qeveritarë. Urgjentisht, qeveria duhet të sekuestrojë dhe të nxjerrë në shitje pasuritë e kësaj kompanie për të shlyer borxhet, të akumuluar nga detyrime ndaj Albpetrol, rrogat e 171 punëtorëve të pushuar nga puna, abuzime me shitje të hidrokarbureve që i ka pasur në ruajtje, apo detyrimet që rrjedhin në përmbushje të kontratës. Gjithashtu, duhet që përfaqësuesit e kësaj kompanie të përballen me drejtësinë për paligjshmëritë e konstatuara, për zhvatjen e pasurisë shtetërore si dhe për moszbatim të kontratës. Përndryshe, edhe ky aksion do të ngelet në kuadrin e një shou mediatik të radhës.