Si po blihet pasaporta evropiane falë “Vizave të Arta”. Sa para duhen për t’u bërë shtetas i BE-së dhe vendet që e ofrojnë

482
Sigal

Një nga mundësitë e ofruara gjatë periudhës së fundit për përfitimin e një pasaporte të Bashkimit Evropian janë të ashtuquajturat “Viza të Arta”, të cilat u jepen çdo personi që investon një shumë të caktuar në një nga vendet që e ofron këtë shërbim.

Aktualisht, këtë shërbim e ofrojnë 20 shtete të botës, ku 12 prej tyre janë në Evropë si: Greqia, Malta, Qipro, Austria, Belgjika, Britania e Madhe, Spanja, Bullgaria, Lituania, Letonia, Portugalia dhe Monako. Duhet thënë se secili vend ka rregullat e kriteret e veta specifike, megjithatë ideja kryesore e metodës së blerjes së nënshtetësisë qëndron tek investimi i një shume të konsiderueshme parash në biznese apo pasuri të patundshme.

Në pamje të parë kjo duket si një metodë shumë e mirë si për ata që duan të bëhen shtetas evropianë, ashtu edhe për vendet ofruese, të cilat përfitojnë investime ekonomike, gjithsesi, “vizat e arta” nuk shihen me sy të mirë nga të gjithë. Më herët, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar vendet që zbatojnë skemat për dhënien e ‘vizave të arta’ që të ashpërsojnë kontrollet ndaj aplikantëve, pasi mund të rrisin rrezikun e korrupsionit, pastrimit të parave, si dhe të shmangies tatimore.

Ndërkohë së fundmi janë edhe hetimet e Projektit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (Occrp) në bazë të të cilit Transparency International u ka bërë kërkesë vendeve të BE-së për të pezulluar praktikën apo për të intensifikuar kontrollet

Pagesa për “Vizat e Arta”

Në shtetet ku praktika është duke u zhvilluar, kërkesat për pasjen me pasaporta të BE-së ndryshojnë nga vendi në vend, gjithsesi ndryshimi kryesor është tek çmimi i përfitimit të nënshtetësisë. Austria, e cila nuk ka ende një program real të ‘Vizave të Arta’, u jep shtetësinë atyre që “kanë meritë të jashtëzakonshme” ndaj Republikës, ose investojnë një minimum prej 10 milionë euro.

Në Britani dhe në Qipro, pagesa ka shifrat e 2 milionë eurove. Malta si një nga vendet e para që e ofroi këtë shërbim kërkon 1.2 milionë euro, ndërsa Portugalia i pajis me shtetësi ata që investojnë një milion, ose 500 mijë në pasuri të paluajtshme ose ata të cilët fillojnë një aktivitet që i jep punë të paktën 10 personave. Më të lira janë Greqia dhe Letonia, duke kërkuar vetëm 275 mijë euro dhe një vendbanim të përhershëm, gjë e cila i ka kthyer në shtëpi të dytë shumë pasanikë por jo persona ekstremisht të pasur.