Si po bien lisat e malit?

718
Gëzim LLOJDIA

Shkrimtari Trebeshina –
Rrëqethet njeriu nga era e ftohtë, siç dridhem unë në një ditë emigrimi. Mirëpo kur përpara syve më del pasqyra Kasëm Trbeshina është krejt i ndryshëm krahasimi. Shpalosen kalvarët dhe vuajtjet njerëzore që kanë prekur deri në kockë, që e kanë goditur deri në palcë. Dhe i ziu njeri duron, duron sa mali me dëborë. Dhe këtë e bën sepse do të rrojë një ditë pranvere. Në të vërtetë Trebeshinën unë e kam parë dhe në dimër kur barra e dëborës e ka pikëlluar edhe në pranverë. Ne shkonim në Mezhgoran dhe vjehrri i im më thotë: “E shikon atë mal, e dini cili është, sigurisht që jo. Është Trebeshina. Po për një shkrimtar Kasëm Trebeshina, ke dëgjuar, kam dëgjuar? Maja e malit sikur u lëkund atje lart dhe gurët ranë përpara këmbëve. U rrëzua plepi”, më tha vjehrri, duke nënkuptuar rrëzimin e Kasëmit. Dhe heshti u mek, sepse ngado mbinin rojtarët e mjegullave. 

E dini pse dielli është larg, shprehet një poet, për të na ngrohur të gjithëve mirë. Dhe emri i Kasëm Trebeshinës tek brezi ynë erdhi nga largësia ,pra ai vinte nga ajo largësi që ne e quanim distancë e gjatë kohore dhe vetë ndëshkimi i tij përmbante një mister.

Nëpër labirintet e lidhjes së Shkrimtarëve
Një ndërtesë aty në rrugën e Kavajës ku unë dhe të gjithë të atij brezi e kishim ëndërruar. Ne studentët, që vinim pikërisht nga jugu na shfaqej ajo e rrethuar me mister. Çfarë ruante në të vërtetë ajo brenda ose çfarë kishte parë, ndërsa në vite, thinjej ngadalë? Kur shikonim shkrimtarët e ulur në oborrin e saj ne zgjasnim kokat për t’i parë ata, prapa mureve me hekura të saj. “Ishte ora 22.30 dhe kalendari shënonte minutat e fundit që ndanin në mes muajin prill të vitit 1980.”, shkruan publicisti Nuri Dragoi në hyrje te një libri të mrekullueshëm për Kasëm Trebeshinën, që quhet “Kasem Trebeshina-një jetë përpara gjyqit”. Që prej këtij vargu hyn autori dhe merr pjesë aktive në çdo moment të jetës së njeriut që ruante mbiemrin e malit Trebeshinë. Duke hyrë në faqet e këtij libri që unë do ta quaja ndershmërisht, roman i mirëfilltë artistik dhe më i lexuari me personazhe të gjallë, ke ecur nënë ca labirinte që koha i kishte stisur si të tillë. Ndërtesa vazhdon te jetë atje ku ishte në kohën kur ajo përdorej edhe për krime kundër shkrimtarëve,mirëpo tashmë ajo ka ndryshuar bojën, vendet dhe pozicionimin është bërë një ministri kulture. Ku janë zyrat ku u thurën ose u përgatiten sulmet kundër Kasëmit, në kohën e përndjekjes së madhe. Në të vërtetë po të zhbirosh këtë godinë në sipërfaqe të saj ngjan si e pafajshme, mirëpo nëpër labirintet e saj janë fshehur sa e sa ndëshkime, janë përgatitur sa e sa goditje kundër atyre që kishin në dorë, jo më pushkë, por penën. Një ndër ata është Kasëmi, njeriu simbol që vinte nga jugu i vendit në kryeqendrën shqiptar me përfundimin e Luftë së Dytë të përbotshme. Dhe nëpër labirintet e saj do të ngatërrohej letërsia me politikën ose më shkoqur, politika do të shkonte përpara saj dhe letërsia do të ecte pas gjurmëve të saj. Kështu ato u rritën si lisi me kulturën, ku kjo e dyta gjithë kohën do ta gjente shtrojën të shtruar tek trungu i lisit. Një simbiozë ose bashkëjetesë e lidhur për një qëndrim kohor rreth ose më tepër se 50 vjet. Për Lidhjen e shkrimtarëve sot ka ende gjëra të pathëna që janë fshehur qëllimisht. Për Lidhjen e shkrimtarëve shqiptarë ka ende shumë gjëra për t’u thënë. Sepse nuk ishte thjesht një mekanizëm, por edhe tehu i politikës së atij realiteti që sot e quajmë soc-realizëm. Por ajo që tërheq vëmendjen dhe interesin tonë është mënyra se si u trajtuan shkrimtarë, banorët e saj. Prej saj u zbuan; që nga Ali Asllani që kur shkonte atje pak muhabet i bëhej, Petro luftëtari i Spanjës, djaloshi kaçurrel, Kasëmi, ai qe ne e quanim të ikur Lasgushin,yllësorin shqiptar, magnetin, ndriçimin apo të tjerë pena që ua fshinë germat ose gjetën mënyra për t’i mbyllur burgjeve, për t’i degdisur fshatrave mes baltës, për t’i shpurë pas hekurave. Më e pashpirt mbetej mënyra e dënimit të shkrimtarëve që rridhte shpesh nga gjykimi politik apo edhe nga mllefi për talentin e tyre,ndërsa ndërseheshin mediokrit për t’u bërë gjëmën devijatorëve të kësaj letërsie soc realiste. Kam lexuar Petron dhe së fundi Trebeshinën. Një hulli e përbashkët i përndiqte. U mohohej kontributi dhe u fshihej talenti. Bënin emër veç ca mediokër që i nxori koha në breg si bëzhdile, sië thonin plakat tona në jug. Përse Kasëmi u përndoq? Ka njëmijë e një arsye që u servirën, ashtu si në rastin e Petro Markos dhe më kryesorja ishte truri dhe zemra e atij pushteti, diktatori. Mirë që nuk i lanë të botonin dhe nuk i linin të ushqeheshin, por në burg, përse i mbyllnin ata, që nuk kishin asgjë të përbashkët me ato ndërtesa të trishta dhe me banorët halabakë të tyre, nuk ishin as kusarë dhe me kusarët s’kishin asgjë të përbashkët. Por asnjëri prej tyre nuk u lodh asnjëherë dhe nuk u mposhtën dot. Ndërsa kemi para sysh kufirin kohor që kapërcejmë dhe analizojmë ngjarjet,vërejmë se diktatori dhe emri i tij po shuhet deri sa të mbetet në harrim, ndërsa Kasëmi dhe vepra e tij kanë për të mbetur të freskët. Duke e sjellë nëpër mend Trebeshinën e madh, Kasëm artistin dhe shkrimtarin për popull dhe mbarë botën letrare veprat dhe frymëzimi i tij që nuk sosen.

Sigal