Si plotësohet formulari i vetëdeklarimit, llogaritja e çmimit, niveli i pagesës dhe shpjegimet për çdo familje

2144
Taksa e banesës, shpjeguesi për plotësimin e formularit
Në procesin e vetë-deklarimit, çdo familje duhet t’u referohet përcaktimeve të vendimit të qeverisë. Si do caktohet çmimi për metër katror
Nga 1 prilli 2018 shqiptarët do të paguajnë taksën e banesës dhe për këtë çdo familje duhet të vetë-deklarojë “sasinë” e pronës që zotëron. “Përcaktimi i vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore bazohet mbi prioritetet e vlerësimit, duke ndjekur një radhë të caktuar. Baza e vlerësimit mbështetet te vetë-deklarimi, si një detyrim për çdo taksapagues, për të vijuar më tej edhe me metodat alternative, nëse vetë-deklarimi nuk bëhet, nuk është i saktë apo nuk disponohen të dhëna të plota për një vlerësim të drejtë të pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore, që duhet të taksohet”, thuhet në vendimin e posaçëm të qeverisë. Aty përcaktohet se njësitë e vetëqeverisjes vendore, për efekt të përcaktimit të bazës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme ndërtesë, do të ndjekin një radhë vlerësimi, që nis me vetë-deklarimin. “Çdo taksapagues duhet të vetë-deklarojë të dhënat për pasurinë e tij të paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore, që ka në pronësi apo në përdorim. Vetë-deklarimi bëhet pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore apo çdo institucioni të autorizuar nga qeveria apo njësitë e vetëqeverisjes vendore, për të marrë dhe për të përpunuar informacionin e vetë-deklarimit të taksapaguesit, për qëllim të zbatimit të legjislacionit përkatës të taksës mbi pasurinë e paluajtshme”, theksohet në vendim. Në rast se vlera e vetë-deklaruar nga taksapaguesi rezulton e ndryshme nga vlera e llogaritur me çmim e vlerësuar, të përcaktuar me këtë metodologji, si vlerë e bazës së taksës do të merret vlera më e lartë. Në fazën fillestare të zbatimit të ligjit “Për sistemin e taksave vendore”, mund të merren në konsideratë dhe të përdoren të dhënat e siguruara nga institucione të autorizuara nga qeveria apo njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilat shërbejnë për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme dhe përcaktimin e bazës së taksës. Ndërkohë gjatë plotësimit të formularit dhe hapat e mëtejshëm të pagesës së taksës, çdo familje duhet t’u referohet disa termave specifikë.

1 – “Çmim vlerësues”, njësia matëse e vlerës për metër katror të sipërfaqes së ndërtimit të pasurisë së paluajtshme. Ky çmim mund të jetë çmimi i tregut ose çmimi i vlerësuar i përcaktuar me këtë metodologji.
2 – “Ndarje/nënndarje zonale”, një rajon territorial brenda njësisë së vetëqeverisjes vendore me emër dhe numër kadastral unik. Këto ndarje/nënndarje paraqiten në parcela tokësore me kufij të përcaktuar, që i ndajnë ato nga njëra-tjetra.
3 – “Ndërtesë”, objekti/objektet e ndërtuara mbi/nën sipërfaqen e tokës ose të lidhura me tokën dhe që përfaqëson një strukturë ndërtimore me një ose më shumë njësi pronësore, e cila është objekt i taksës mbi ndërtesën sipas përcaktimit të dhënë në ligj. 
4 – “Ndërtesë e papërfunduar”, objekti ndërtimor në tërësi ose/edhe ajo pjesë e ndërtesës ekzistuese, për të cilin zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi, por që nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.
5 – “Njësi pronësore”, ndërtesa ose pjesë e saj, e cila është në pronësi/përdorim të individit, të një personi fizik apo të një personi juridik, dhe që është e ndarë ligjërisht nga pronat e tjera të pasurisë së paluajtshme “ndërtesë”. Njësia pronësore mund të përdoret për qëllim banimi ose/edhe për qëllim veprimtarie ekonomike etj.
6 – “Ndarje e njësisë pronësore për banim”, pjesa e njësisë pronësore që përdoret për qëllim banimi.
7 – “Ndarje e njësisë pronësore për veprimtari ekonomike”, pjesa e njësisë pronësore që përdoret për qëllim veprimtarie ekonomike.
8 – “Përdorues”, individi, personi fizik ose personi juridik, që ka në përdorim ndërtesën/njësinë pronësore për qëllime banimi, veprimtarie ekonomike apo për veprimtari joekonomike, pavarësisht nga fakti nëse kjo ndërtesë/njësi pronësore ka titull pronësie ose jo.
9 – “Regjistër qendror i bazës të të dhënave të pasurisë së paluajtshme” (Kadastra fiskale), sistemi qendror i bazës të të dhënave, i cili shërben për hedhjen, përpunimin, korrektimin e të dhënave, të cilat lidhen me pasurinë e paluajtshme dhe që shërbejnë për efekt të llogaritjes së shumës së taksës së pasurisë së paluajtshme për t’u paguar nga çdo taksapagues. Ky regjistër ofron informacion për përdoruesit. 
10 – “Taksapagues”, çdo individ, person fizik ose juridik, vendas ose i huaj, pronar apo përdorues i pasurive të paluajtshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre ndërtesave. Detyrimin për pagimin e taksës mbi pasurinë e paluajtshme “ndërtesë” e kanë, sipas rastit, pronari ose bashkëpronari, sipas pjesës që zotëron, apo përdoruesi i pasurisë së paluajtshme, për pasuritë që nuk janë të pajisura me dokumente të pronësisë, personat që kanë aplikuar për legalizim të ndërtesës, zhvilluesit, të cilët nuk arrijnë të mbyllin ndërtimin sipas lejes përkatëse të lëshuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore.
11 – “Vlerë e pasurisë”, vlera aktuale e pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore e njohur me dokumente ligjore, ose vlera e përcaktuar me një nga metodat e përshkruara në këtë metodologji. Vlera e pasurisë është baza e taksueshme mbi të cilën aplikohet shkalla e taksës së pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore. Vlera e pasurisë llogaritet si shumëzim i çmimit për metër katror me sipërfaqen e ndërtesës/njësisë pronësore. 
12 – “Veprimtari ekonomike”, çdo veprimtari e kryer nga prodhuesit, tregtarët, personat që furnizojnë mallra dhe shërbime, përfshirë veprimtaritë nxjerrëse, industriale, tregtare, të shërbimit, bujqësore dhe veprimtaritë profesionale. Veprimtari ekonomike konsiderohet, gjithashtu, shfrytëzimi i pasurisë së trupëzuar ose të patrupëzuar, me qëllim realizimin e të ardhurave me karakter të vazhdueshëm.
Sa paguhet
Për efekt të llogaritjes së taksës për ndërtesën/njësi pronësore, baza e taksës shumëzohet me shkallën në përqindje të taksës së miratuar me ligj, sipas kategorive të ndërtesave, si më poshtë:
a) 0,05%, për ndërtesën/njësinë pronësore që përdoret, shfrytëzohet për banim; 
b) 0,2%, për ndërtesën/njësinë pronësore që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike; 
c) 30% e shkallës së taksës përkatëse, për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë, sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.
Si përcaktohet çmimi për metër katror
1 – Vetë-deklarimi.
2 – Përcaktimi i çmimit të vlerësuar dhe i sipërfaqes së ndërtesës, bazuar në regjistrin e pasurive të paluajtshme të mbajtur nga zyrat vendore (ZVRPP).
3 – Përcaktimi i çmimit të vlerësuar sipas çmimeve mesatare të shitblerjes së ndërtesave/njësive pronësore.
Sigal