Si nisi prostitucioni i vajzave shqiptare në Itali, të parat ishin nga Myzeqeja

849
Sigal

Nga ajo që sot e ndër vite trajtohet me të madhe, mafia shqiptare përtej Adriatikut e më tej, pak përflitet mbi rrënjët të cilat i gjenden në të parin fenomen të pas ’90-ës pas hapjes me botën: prostitucionit.

Ky i fundit nuk ka pasur peshën e drogës e krimit në ligjërimin politik e social. Por ja që kohë pas kohë, vijnë lajme mbi vajza shqiptare të vrara apo masakruara, pasi kanë qenë ushtruese të prostitucionit.

Një detaj interesant na vjen nga Fabian Kati, një studiues i fenomeneve të emigracionit shqiptar, që nga mesi i viteve ’90-të do i kushtonte një trajtesë prostitucionit, sidomos atij në Itali.

Ai jep një të dhënë interesante aty, atë se nga vinin më së shumti prostitutat shqiptare, dhe se nga ato nuk vinin sa i përkiste hartës shqiptare.

“Për të krijuar një ide të plotë duhet thënë se pjesa më e madhe e prostitutave vijnë nga krahina e Myzeqesë, kryesisht nga fshatrat; nuk mungojnë gjithashtu rastet kur prejardhja e tyre është prej krahinave veriore dhe qendrore të vendit, ndërkohë që nuk gjen thuajse fare në këtë hartë prostitucioni gra dhe vajza të ardhura nga zonat jug-lindore dhe jugore të vendit”, shkruan Kati.

Gjithashtu, ai shkruan dhe mbi kriminalizimin e prostitutës shqiptare, e cila nisi të realizonte beteja për zona influence, duke përdorur acidin si armë.

“Një fakt tjetër interesant është dhe mënyra e egër me të cilën prostitutat shqiptare arrijnë të largojnë nga zonat e privilegjuara të prostitucionit rivalet e tyre italiane apo ato të kombësive të tjera, përfshirë këtu edhe afrikanet. Ato janë të gatshme të përleshën në çdo çast, në grup, me këto prostitute, për t’i larguar prej zonave ku ‘punojnë’. Shpesh ja arrijnë qëllimit vetëm me kërcënime, por, edhe kur nuk ia dalin, përdorin mjete terrorizuese. Kohët e fundit po përdoret gjithnjë e më shpesh arma e shishes së acidit, sidomos kundër rivalitetit të afrikaneve që tregojnë një rezistencë më të fortë se të prostitutave të tjera ndaj hegjemonisë së shqiptareve. Në afërsi të Pistojës, qytet i vogël i Italisë qendrore, u përdor për herë të parë me ‘sukses’ kjo armë. Një nigerianeje që nuk bindej të linte vendin e saj, iu vërvit në fytyrë një shishe me acid. Që nga ky moment, prostitutat shqiptare ‘bëjnë ligjin’ me shishet e acidit në çanta e xhepa”, shkruan Kati në trajtesën e tij hulumutuese “Mbi emigracionin shqiptar-vështrim mbi gjendjen aktuale në Itali”.