Si mund të fitojnë një leje pune në Zvicër ata që vijnë nga jashtë?

812
Gazeta “Telegraf” duke marrë shkas nga telefonat e shumta të lexuesve të saj, ju paraqet këtë artikull i cili synon t’ju informojë më shumë mbi lejet e punësimit në Zvicër, për vendet të cilat nuk i përkasin Bashkimit Evropian. 

Shumica prej nesh jemi në dijeni, se për personat shtetas të Bashkësisë Evropiane (në përjashtim të anëtarëve që kalojnë një fazë tranzitore, siç është për shembull Kroacia), çështja e lejes së punës dhe e qëndrimit është një formalitet jashtëzakonisht i thjeshtë. Për fitimin e lejes së tillë, mjafton të kesh një kontratë pune të nënshkruar apo ndonjëherë mjafton edhe një letër e një punëdhënësi, i cili premton një punë apo lidhjen e ardhshme të një kontrate të punës. Në ditën e sotme, nuk ekziston asnjë kufizim në numër për angazhimin e personave që vijnë nga shtetet e Bashkësisë Evropiane. Sa i përket respektimit të procedurës, akti i parë që duhet bërë nga personat e interesuar, duhet gjetur një punë (preferohet me kontratë, e jo vetëm një formë premtimi), e pastaj kryhen formalitetet tjera për marrjen e lejes së punës dhe të qëndrimit. Gabim është pra të mendohet e kundërta (së pari leja e pastaj puna !).
Për shtetasit që vijnë nga vendet jashtë Bashkësisë Evropiane (Kanada, SHBA, disa shtete ballkanike, etj.), procedura për fitimin e një lejeje të punës është drastike dhe tejet e ashpër. Refuzimet ndodhin shpesh. Aplikohet sistemi i kontingjenteve vjetore (caktimi i një numri të kufizuar të lejeve). Kërkohet nga kandidati që bën kërkesën, të posedojë kualifikime shumë të larta profesionale. Në mes tjerash, autorizimi i punës kushtëzohet edhe me vendin e punës që i propozohet atij dhe duhet dëshmuar edhe ajo, se për punën e propozuar është vështirë të gjenden kandidatë të mjaftueshëm në tregun e brendshëm të punës në Zvicër. Kështu, kërkohet nga punëdhënësi që të prezantojë dëshmi të mjaftueshme, se nuk ka arritur të gjejë kandidatë të përshtatshëm apo të mjaftueshëm në tregun zviceran. Thjesht, është fjala për kategori personash për të cilët ekonomia zvicerane ka nevojë të madhe. Punëdhënësit janë ata të cilët duhet të mbrojnë dosjen e kandidatit. E cekim edhe atë se punëdhënësit e ndryshëm nuk e kanë të njëjtën peshë para autoriteteve administrative që vendosin (për shembull, dallime ekzistojnë në mes të një punëdhënësi siç është industria farmaceutike dhe një ndërmarrje të vogël të ndërtimtarisë).

Pse ekzistojnë kaq shumë dallime në mes të dy sistemeve të pranimit në tregun zviceran të punës?
Marrëdhëniet që e lidhin Zvicrën me shtetet e Bashkësisë Evropiane bazohen në marrëveshjet bilaterale (të dyanshme) të cilat parashikojnë posaçërisht që trajtimi në tregun e punës të jetë i barabartë dhe pa diskriminim në mes të shtetasve zviceranë dhe atyre që vijnë nga këto shtete. Dihet pra se është pikërisht kjo rregull e cila u ka mundësuar shumë bashkatdhetarëve tanë, që posedojnë pasaportën e vendeve që na rrethojnë (Itali, Gjermani, etj), të integrohen në tregun zviceran të punës.
Kurse për personat që vijnë nga shtetet jashtë Bashkësisë Evropiane, aplikohet ligji për të huaj, i cili përmban shumë pak rregulla të ngjashme me ato të marrëveshjeve bilaterale. Ligji i tillë historikisht karakterizohet me rregullat e tij tejet të ashpra. Pikërisht, bashkatdhetarët tanë që punojnë në vendet që na rrethojnë dhe që nuk posedojnë shtetësinë e vendeve përkatëse (por vetëm një leje qëndrimi apo pune), u nënshtrohen pra rregullave të këtij ligji. Po e njëjta gjë mund të thuhet edhe për personat që jetojnë në viset tona (Kosovë, Maqedoni, etj.). E vetmja rrugë që do të mundësonte fitimin e një leje pune e hasim në sistemin e kontingjenteve (me përjashtim të rasteve të fitimit të lejes përmes lidhjeve martesore apo të bashkimit familjar).

Çka mund të thuhet për sistemin e kontingjenteve?
Sistemi i tillë nënkupton se, për çdo vit, caktohet numri i personave që do të kenë të drejtë të fitojnë lejen e punës në Zvicër. Kjo praktikë e llogaritjes aplikohet pra vetëm për personat që i nënshtrohen ligjit për të huaj.
Sipas një vendimi të muajit të kaluar, Këshilli federal vendosi që në vitin 2017 të risë numrin e kontingjenteve për lejet B dhe L (leje me afate të shkurtra). Kjo ishte një rezultat i një presioni që bënin aktorët ekonomikë, të cilët, tepër e më tepër, konsideronin se Zvicra ka nevojë më të madhe për krahun punëtor të kualifikuar që vjen nga shtetet jashtë Bashkësisë evropiane. Por, një vendim i tillë natyrisht se nuk besohet se ka ndonjë ndikim të madh për ndryshimin e situatës për vendet tona. Në fakt, me rritjen e numrit të kontingjenteve, rritet vetëm numri i personave që do të kenë mundësi të gjejnë punë, por jo edhe kushtet që aplikohen për hyrje në punë sipas rregullave tejet të ashpra të sistemit të kontingjenteve. Siç e cekëm më lartë, vetëm personat me kualifikime tejet të larta mund të përfitojnë nga ky sistem i pranimit. Personat që përfitojnë më së tepërmi nga kjo janë si zakonisht ekspertë të lëmive/fushave të ndryshme që vijnë nga SHBA, Kanada dhe disa shtete aziatike. Një numër jashtëzakonisht simbolik vjen nga shtetet ballkanike.

Çka pritet në të ardhmen ?
Nuk ka vend për një optimizëm të tepruar në këtë drejtim. 
Së pari, sipas një iniciative të së djathtës ekstreme në Zvicër, kërkohet që deri në fillim të vitit të ardhshëm të definohet çështja e kontingjenteve edhe për shtetet e Bashkësisë Evropiane, edhe atë në përputhje me rezultatet e votimit për kufizimin e numrit të të huajve. Gjithë kjo mbetet të qartësohet gjatë muajve që vijnë dhe sipas të gjitha gjasave situata e tashme do të pësojë ndryshime, duke filluar me aplikimin e njëfarë kufizimi të numrit të personave që vijnë nga shtetet përkatëse. Nënkuptohet se kjo perspektivë do t’i prekë edhe interesat e bashkatdhetarëve tanë që posedojnë pasaportat e vendeve të Bashkësisë evropiane dhe që dëshirojnë të gjejnë punë në Zvicër.
Së dyti, sipas shumë vlerësimeve, nuk pritet aspak që ligji për të huaj të pësojë ndonjë ndryshim rrënjësor. Kjo domethënë se edhe në të ardhmen (së paku të afërt), nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim në praktikën e pranimit të personave që vijnë nga shtetet jashtë Bashkësisë evropiane. Ndoshta do të zmadhohet gradualisht numri i kontingjenteve vjetore, por do të vazhdojë të jetë edhe më tutje jo aq i përshtatshëm për vendet tona.
Për të gjetur një punë në Zvicër, ju keni një shumëllojshmëri të gjerë të informacionit.

Është e mundur për ju t’i përgjigjeni ofertave të punës që shfaqen
• Në shtypin e përditshëm
• Zvicra gjermane
• Zvicra franceze
Në sitet e internetit të veçanta si p.sh.
Në të gjithë Zvicrën në Entin për punësim (RAV)

Linket për punë
http://job.speed.ch/(i të gjitha profesionet edhe vendet si çirak (apprentissage)
www.monster.ch (të gjitha profesionet, kërkimi sipas kantonit)
www.jobpilot.ch (të gjitha profesionet,punë për studentët, vende si çirak (apprentissage), dhe praktika)
www.jobwinner.ch (Për profesionistët e kualifikuar)
www.jobs.ch (Për profesionistët e kualifikuar, kryesisht ne Zvicrën Gjermane)
www. stellen.ch (të gjitha profesionet)
www.jobclick.ch (Për profesionistët e kualifikuar)

Agjencitë e punësimit
Ju mundeni të regjistroheni në një agjenci punësimi private ose në një agjenci kërkimi. Agjencitë kryesore të punësimit aktive në kantone të ndryshme janë të shënuara në faqet e mëposhtme
http://www.avg-seco.admin.ch/WebVerzeichnis/ServeletËebVerzeichnis
http://wwwstellenlinks.ch.php?id=5 (organ publik për promovimin e punës)

Ofertat e punës në faqet e internetit të ndërmarrjeve
www.jobsuchmaschine.ch (Ofertat e punës në faqet web të ndërmarrjeve)

Për çirakët (les apprentis)
http://www.lehrstellenboerse.ch/
http://www.berufsberatung.ch/dyn/1235.asp

Për studentët
www.students-careers.ch Ofron një platformë informacionesh, praktikat dhe punësimet e para
www.jobs4students.ch Ofron mundësitë e punësimit gjatë studimeve.
Sigal