Si mori jetë projekti që do transformojë marrëdhëniet me mjedisin dhe zhduk kancerin

1097
Qyteti i Elbasanit është stërmunduar ndër vite nga mbeturinat e shumta. Impianti që vendoset për herë të parë në Shqipëri i jep fund problemeve mjedisore. Investimi prej 22 milionë eurosh dhe puna e bërë në dy vite, do t’i japë zgjidhje vuajtjeve të qytetarëve. Por cikli nuk mund të mbyllet këtu. Projektet vazhdojnë 
Elbasani, klasifikuar për vite me radhë si një nga qytetet me ajrin më të ndotur në vend, tashmë duket se do të marrë frymë lirisht. 18 prilli është dita kur qyteti do nisë çlirimin nga mbetjet e shumta urbane që me përpunimin e tyre falë ngritjes së një prej impianteve më moderne në Evropë do të prodhojnë dhe energji. Ky projekt, nisi dhe u inaugurua nga Ministria e Mjedisit, ndërsa ideator i saj është Lefter Koka. Ngritja e impiantit në qarkun e Elbasanit ka vetëm një qëllim dhe ai është përmirësimi i menaxhimit të mbetjeve me qëllim që të pakësohen rreziqet ndaj shëndetit të njeriut dhe mjedisit, duke përmbushur kërkesat e Bashkimit Evropian dhe standardet e saj 100%. Për ngritjen e landfillit ishte bërë studimi i zonës dhe përfundimisht ekspertët e mjedisit vendosën ta ndërtonin në afërsi të zonës Fushë- Mbret. Për të bërë një nisje sa më dinjitoze të funksionimit të këtij impianti, ishte parashikuar që gjithçka të zhvillohej brenda në objekt, projektuar nga Ernesto Granelli. Fjala e Granellit u pasua nga ajo e Ministrit të Mjedisit Lefter Koka, Kryetarit të Bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini. Ndërsa ndezjen e impiantit e bëri kryeministri Edi Rama. Të pranishëm në inaugurimin e impiantit të mbetjeve urbane në Elbasan ishin edhe përfaqësues të tjerë të qeverisë si Ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri, ai i financave Arben Ahmetaj. Të gjithë thënë fjalën e tyre gjatë inaugurimit. Por ajo çfarë u tha nga të pranishmit në të gjitha dimensionet, bënte krenar dhe njeri të besueshëm Ministrin e Mjedisit Lefter Koka. Ishte ai që premtoi në vitin 2015 se projekti që po linçonte para shefit të qeverisë do të ishte një histori suksesi. E kështu ndodhi. Landfilli i Elbasanit pa frikë është cilësuar më moderni në rajon dhe njëkohësisht ai nuk do të jetë vetëm si përpunues i mbetjeve urbane, por do të përdoret edhe për prodhimin e energjisë, e cila sipas të dhënave që dalin nga Ministria e Mjedisit do t”i shërbejë banorëve të zonës, të cilët do të mbjellin sera përreth impiantit. Elbasani, si një nga zonat më problematike dhe më e kërcënuar në shëndet, kthehet kështu në modelin e ri të trajtimit të mbeturinave. Impianti që vendoset për herë të parë në Shqipëri, do t’i japë zgjidhje kancerit të mbeturinave që stërmundon Elbasanin. Ai do të prodhojë edhe një mbështetje energjetike të drejtpërdrejtë edhe për bujqësinë. Ky impiant i parë përbën edhe themelin për të transformuar rrënjësisht marrëdhëniet me mjedisin. Impianti bëhet me një investim prej 22 milionë euro. Me ndërtimin e landfillit të Elbasanit, cilësuar si më i madhi në rajon, qeveria është shprehur se nuk mbyllet cikli. Shqipëria ka nevojë për disa landfille në qytete të tjera, kryesisht pranë atyre ku ndotja është më evidente duke u ndikuar edhe nga faktorë të tjerë. Një nga këto qytete ku qeveria po përgatitet të ngrejë një impiant po aq modern sa ai i Elbasanit është edhe Fieri. Ndonëse ka pasur shumë kundërshti nga banorët e zonës së Mbrostarit, ku është përcaktuar edhe ngritja e landfillit, kryeministri Edi Rama, ka dhënë sinjalin se do të bëhet e pamundura për të bindur banorët. Kështu në Elbasan, gjatë aktivitetit, të ftuar ishin dhe kryetarët e bashkive të qarkut Fier. Të pranishëm gjithashtu kanë qenë edhe trupa diplomatike të akredituara në vendin tonë dhe qytetarë të shumtë të Elbasanit.

Por kur dhe sa zgjati ndërtimi
Kompanisë së ndërtimit iu desh dy vite kohë për të përfunduar landfillin. Ndërtimi i impiantit të mbetjeve urbane dhe prodhimit të energjisë nisi në mars të vitit 2015 për të përfunduar në muajin prill 2017, pikërisht në datë 18 prill, kur edhe u bë inaugurimi i tij dhe ndezja e motorëve nga kryeministri. Impianti do të punoj me fuqi elektrike 2.85 Më. Por projektuesit janë shprehur dhe kanë përcaktuar qartë se ai do të punojë për 313 ditë në vit. Pra nga 365 ditë të vitit, vetëm 52 ditë nuk do të shfrytëzohet. Një tjetër element i këtij impianti është fakti se do të ketë një prodhim vjetor të energjisë elektrike prej 18, 780,000 Kë/ h. Kompania e cila është marrë me ndërtimin e saj ka nënshkruar një kontratë 7 -vjeçare. Landfilli është shtrirë në një sipërfaqe toke prej 23 mijë metra katror ndërsa impianti është shtrirë në një sipërfaqe prej 2800 metra katror. Impianti do të ketë një jetëgjatësi prej 80 vitesh. Duke parë këto parametra të cilat janë parashikuar nga projektuesit, qytetarët e Elbasanit do të jenë dukshëm më të mbrojtur dhe në asnjë moment nuk do të kenë probleme me shëndetin. Po kështu ky impiant i cili tashmë ka marrë udhë dhe ka nisur nga funksionimi, do të sjellë për qytetin e Elbasanit, më shumë zhvillim, punësim dhe ekonomi me të qëndrueshme.
Si e cilësojnë ekspertët impiantin e parë në vend?
Impianti i përpunimit të Mbetjeve Urbane dhe Prodhimit të Energjisë në Qarkun e Elbasanit është i pari i këtij lloji në vendin tonë. Konsiderohet nga ekspertët si një nga veprat inxhinerike unike dhe e para e këtij lloji, në vendin tonë. Ndërtimi i këtij Impianti është realizuar sipas standardeve e parametrave të përcaktuara nga Bashkimi Evropian. Ai do të prodhojë energji elektrike nëpërmjet përdorimit të mbetjeve urbane si lëndë djegëse. Teknologjia e zgjedhur për prodhimin e energjisë elektrike është fjala e fundit në fushën e ndërtimit të inceneratorëve dhe sipas ekspertëve mban si vit prodhimi 2016. Për të bërë të mundur realizimin e këtij impianti morën pjesë firmat më prestigjioze të përzgjedhura nga Ministria e Mjedisit me anë të konkursit. Bëhet fjalë për firmat më të mira të vitit 2016 dhe ato janë Siemens, Paul Wurth, Tama, Penetron, Onyx, Ave Consulting etj. Ky impiant do të respektojë limitet e parashikuara në Direktivën 2000/76/EC të Bashkimit Evropian në lidhje me emetimet në atmosferë. Impianti është i pajisur me Sistemin e Monitorimit të emetimit pa ndërprerje (S.M.E.) në përputhje me Direktivën 2000/76/EC të Bashkimit Evropian. Ky sistem është në gjendje të kryejë marrjen e mostrave dhe matjen e vazhdueshme të ndotësve bazë, si: oksidit të azotit, monoksidit të karbonit, oksigjenit, temperaturës dhe sasisë së pluhurave.

Metodat e djegies
Një nga kontributet pozitive të metodës së djegies së mbetjeve me përfitim energjie, krahas prodhimit të energjisë elektrike dhe nxehtësisë për ngrohje është potenciali i lartë për kursimin e emetimit të gazeve serë, metanit dhe ekuivalentëve të tjerë dhe kursimit të përdorimit të burimeve të tjera fosile apo metodave të tjera për prodhimin e energjisë me efekt të pa kthyeshëm në mjedis. Kështu, kjo metodë për trajtimin e mbetjeve ofron qëndrueshmëri dhe kontribut më të lartë për ruajtjen e klimës sesa metodat tradicionale për trajtimin e mbetjeve sikundër janë landfill-et. Gjatë fazës së operimit të impiantit elementet kryesore të ndotjes së ajrit janë emetimet në ajër të gazrave të shkaktuara nga djegia e mbetjeve dhe proceset e tjera teknologjike. Nivelet respektive të gazrave janë brenda parametrave të lejuar sipas VKM-së për inceneratorët. Ndërtimi i Impiantit është pjesë e projektit të plotë të paraprirë nga ndërtimi i landfillit të inauguruar nga Kryeministri Rama dhe Ministri Koka Nëntor 2015. Landfilli u ndërtua sipas normave dhe standardeve të BE-së duke siguruar një asgjësim të kontrolluar sanitar të mbetjeve. Ndërtimi i landfillit mbylli vend depozitimin ekzistues të mbetjeve urbane të qytetit të Elbasanit, i cili shkaktonte një ndotje të madhe të mjedisit dhe rrezikonte shëndetin e komunitetit (nga djegia e mbetjeve në mënyrë të pakontrolluar çliroheshin gaze të dëmshëm, ndotja e ujërave nëntokësorë dhe sipërfaqësorë). Me realizimin e këtij projekti tashmë të kompletuar në 360 grade, Qarku i Elbasanit do të shërbejë si një modeli i suksesit për të gjitha qarqet, në drejtim të një menaxhimi të integruar të mbetjeve të ngurta urbane falë ndërtimit të landfillit dhe impiantit të përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë.
Kapërcimi i sëmundjes së qytetit të Elbasanit pas dy dekadash
Me kapsulimin e vendndodhjes aktuale, ngritjen e Impiantit dhe landfillit Qarku i Elbasanit shndërrohet nga qarku më problematik për ndotjet mjedisore, si gangrena mjedisore e Shqipërisë në një histori suksesi në këto 2 dekadat e fundit. Teknologjia, njohuritë dhe mjetet teknike e financiare që janë përdorur për të realizuar këtë ndërtim, që u inaugurua në 18 prill kanë garantuar mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të njerëzve. Në drejtim të përmirësimit të mjedisit shoqëria ndërtuese ka bërë një rrethim të zonës së impiantit me kurorë të gjelbër.

Gjelbërimi
Gjithçka e parashikuar tashmë është kthyer në realitet. Ngritja e landfillit nuk është konceptuar vetëm si një kombinat që do të përpunojë mbetjet urbane, por edhe si një vend ku gjelbërimi do të jetë më i shtuar. Është planifikuar që përreth tij të mbillet një sipërfaqe prej 10 mijë metra katror me pemë. Kështu sipas projektit tashmë të përfunduar do të mbillen 1050 pemë dhe fidanë dekorativë dhe frutorë. Ndërkohë një nga drejtimet e punës së qeverisë për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm në Shqipëri, është menaxhimi i integruar i mbetjeve të ngurta , sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Menaxhimi i suksesshëm i mbetjeve në Shqipëri do të mund të arrihet, duke vendosur rregulla të qarta ligjore rreth menaxhimit të tyre, rregulla këto që do të mundësonin edhe ndryshimin e kulturës tonë në trajtimin e mbetjeve.

Rëndësia e projektit
Është menduar që ky projekt të sjell dhe zhvillim të qëndrueshëm mjedisor dhe shëndetësor. Duke iu referuar normave referuese për frymë, në Qarkun Elbasan (Bashkia dhe ish-komunat e saj) gjenerohen 120-140 ton mbetje urbane /ditë. Ky projekt është i pari i këtij lloji në Shqipëri dhe është menduar të zgjidh në mënyrë përfundimtare problemin e mbetjeve. Realizimi përfundimtar i veprës i jep fund gangrenës mjedisore për këtë qark. Vënia në funksion 100% e projektit, garanton prodhimin e energjisë elektrike për banorët dhe bizneset në zonë. Shfrytëzimi i impiantit – Kapacitet të prodhuar rreth 2.85 Më/njësi ose 17.250 milionë Më /vit. Ndërkohë që avulli që gjenerohet nga procesi i përpunimit mund të përdoret në sektorin bujqësor veçanërisht të shfrytëzohet nga serat.

Politikat e Ministrisë së Mjedisit për mbetjet
Të gjitha iniciativat e Ministrisë së Mjedisit për një Shqipëri më të pastër kanë si objektiv, jo vetëm rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për mjedisin, por edhe rritjen e sensibilitetit dhe përgjegjshmërisë se njësive të qeverisjes vendore, për t’u ofruar qytetarëve të tyre një cilësi e standard jetese më të lartë. Ministria e Mjedisit bënë një thirrje për pushtetin vendor që sipas saj duhet të kuptojë, pasi sipas saj ende nuk e ka të qartë një gjë të tillë, se kanë detyrim ligjor menaxhimin e integruar te mbetjeve. Ndërsa është bërë tashmë realitet që Ministria e Mjedisit ka kryer një punë të madhe në disa drejtime njëherazi. Në zbatim të objektivave të Strategjisë dhe Planit Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve. Ministria e Mjedisit e ka përqendruar punën në këto drejtime : Së pari; Nxitja dhe implementimi i skemave të grumbullimit dhe ndarjes së mbetjeve në burim nëpërmjet PPP-ve, duke i dhënë prioritet riciklimit. Së dyti; Edukimi i publikut është një tjetër drejtim për të përmbushur standardet mjedisore në administrimin e mbetjeve.
Ndotësi paguan
Kush ndot edhe duhet të paguaj. Ministria e Mjedisit ka bërë disa propozime në këtë kuadër. Është menduar për ngritjen e një Enti Rregullator për Mbetjet, i cili të përcaktojë tarifën për menaxhimin e mbetjeve. Rritjen e tarifës, që t’i përgjigjet kostos së menaxhimit të mbetjeve. Projekti Impiantit të Përpunimit të Mbetjeve Urbane dhe Prodhimin e Energjisë, Qarku Fier. Projekti i Bashkise Tirane; Kapsulimi i landfillit të ri, Landfilli i ri dhe Impiantit të Përpunimit të Mbetjeve Urbane dhe Prodhimin e Energjisë, Qarku Tiranë. Ndërtimi i landfilleve rajonale. Aktualisht janë ndërtuar landfillet në Korçë dhe Sarandë ndërsa në Durrës dhe në Vlorë janë në proces. Mbyllja e vend depozitimeve ekzistuese, në rang vendi. Nxitja e partneritetit publik privat. Zbatimi i ligjit. Ministria ka hartuar edhe objektivat e saj për këtë qëllim. Kjo për faktin që administrimi i mbetjeve të bëhet me një eficencë sa më të lartë dhe me një kosto sa më të ulët. Por këto objektiva do të përmbushen duke synuar reduktimin e mbetjeve, ripërdorimin dhe riciklimin e tyre si dhe prodhimin e energjisë.

Projekti i njëjtë në Fier
E ndërkohë që puna në qytetin Elbasanit përfundoi pas dy vitesh nga nisja e projektit, tashmë Ministria e Mjedisit ka një tjetër objektiv. Qyteti i radhës është Fieri. Por ndërsa ministria është duke përfunduar punën për zbatimin e projektit, banorët e zonës së Mbrostarit kanë paralajmëruar disa herë, se nuk do të lejojnë ndërtimin e një landfilli, që sipas tyre do të penalizonte të gjithë qytetarët. Ministria e Mjedisit me anë të ekspertëve të saj ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të bindur banorët e Mbrostarit, se ndërtimi i impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane, përveç të mirave në punësim dhe zhvillimit të zonës, nuk ka asgjë të keqe. Përpjekjet nuk janë bërë vetëm me fjalë, por edhe konkretisht. E njëjta gjë u tha edhe ditën e martë në 18 prill në Elbasan, gjatë inaugurimit të landfillit, nga kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Mjedisit Lefter Koka. Shefi i qeverisë gjatë fjalës së tij kërkoi më shumë vëmendje në këtë drejtim dhe inkurajoj vartësit e tij të bënin punë bindëse me banorët e zonave që kundërshtojnë ngritjen dhe realizimin e projektit. Ndërkohë nga ana e tij, Ministri i mjedisit Koka, u shpreh i bindur se pas Elbasanit, të tjera projekte do të marrin udhë në disa qytete të tjera të vendit, duke i dhënë Shqipërisë më shumë mundësi për një jetë pa ndotje. Fjalët më inkurajuese u thanë gjatë inaugurimit për Ministrin Lefter Koka. Ai që fillimisht u tregua mosbesues në projektin e Kokës, tashmë do të fliste me superlativa. Ishte kryeministri ai që u shpreh, se fillimisht ishte treguar mosbesues tek projekti, vënia në zbatim e tij dhe më pas inaugurimin. “ Nuk e besova në fillim. Ishte shumë i bukur për tu dukur i vërtetë. Por tani që jam këtu para jush them me bindje se paskam gabuar. Lefter Koka e mbajti premtimin dhe vuri në zbatim një nga projektet më të bukura dhe shumë modern në rajon”. Kështu do të shprehej në fjalën e tij mbajtur gjatë inaugurimit të impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane në Elbasan, kryeministri i vendit Edi Rama. Rama: Impianti do t’i japë zgjidhje kancerit të mbeturinave në Elbasan. 
Sigal