Si kaluan kufirin e Sarandës 3 furgonë të mbushur me valutë

609
Ndërsa ish-Guvernatori i Bankës së Shtetit Ardian (Adrian) Fullani, përfitoi me vendim gjykate miliona lekë paga “për shkarkim të pa drejtë nga detyra, për pagjumësi e ikje oreksi prej stresit të prangosjes” por që nuk mundi të rikthehej dot në detyrë, duket se historitë dhe “streset” e tij nuk kanë marrë fund. Burime të gazetës “Telegraf”, bëjnë me dije se një tjetër “plagë e vjetër” është “çjerr e hapur” nga shërbimet sekrete dhe agjencitë e specializuara hetimore brenda e jashtë Shqipërisë, lidhur me “bëmat dhe gjëmat” që ka bërë ish-Guvernatori Fullani me financat dhe thesarin në valutë të huaj, pasuri të Bankës së Shtetit Shqiptar. Flitet për një indicie, që shërbimet e huaja kanë marrë nga burime të bankave “sekrete” të Qipros, lidhur me disa depozita financiare të dyshimta me burim e “stampë” Bankën e Shtetit Shqiptar. Këto sasi vlerash financiare janë çuar deri matanë kufirit shqiptar në emër të shtetit shqiptar, por “çuditërisht” nuk figurojnë të depozituara në emër të Shtetit Shqiptar, por në emër të disa subjekteve e individëve privatë, personazhe të posteve e ish-posteve sipërore të politikës e shtetit në Shqipëri, por edhe në emër të familjarëve të tyre, madje edhe fëmijë. 

Deri tani, informacioni ka këtë fakt, prej nga ka nisur hetimi: Brenda harkut kohor prej vitit 2011 kur ish-Guvernatori Fullani nisi “mbretërimin” e dytë 7 vjeçar në krye të Bankës së Shtetit Shqiptar e deri në shtator 2014, kur prangosja pas vjedhjes së 7.3 milionë dollarëve i ndërpreu në mes “kurorën” e dytë si guvernator, ka të dhëna se nga Banka e Shtetit Shqiptar kanë dalë vlera të mëdha financiare në valutë e huaj, të cilat janë transportuar drejt kufirit jugor të Shqipërisë në fshehtësi të plotë, shoqëruar me eskortë policie “konfidenciale” dhe prej andej kanë përfunduar jashtë territorit shqiptar. Burimet e informacionit që i janë drejtuar gazetës “Telegraf”, persona ish-pjesë e eskortës që ka siguruar transportin e valutës të Bankës së Shtetit jashtë kufirit, deklarojnë se ky transport “malli” që në fakt kanë qenë disa ton miliona valutë e huaj, është bërë 3 herë në harkun kohor të viteve dhjetor 2011-korrik 2014, kohë kur ra “Perandoria Bankare Fullani”. Pra, deri në 2 muaj përpara prangosjes së Fullanit, e cila rezultoi një “teatër” që u mbyll me dëmshpërblime “pagjumësie, pagash e stresi” ndoshta edhe për shkak të këtyre ngarkesave, nga depozita thesar i Shtetit Shqiptar, janë marrë e janë bërë 3 transporte jashtë shtetit me furgonë nga kufiri jugor! “Eksporti” i valutës pasuri e Shtetit Shqiptar është bërë nga kufiri në rrethin e Sarandës, duke shfrytëzuar pikat e kalimit kufitar të këtij rrethi skajor, të cilat janë “porta” që kalohen lehtësisht e pa rënë në sy se çfarë hyn e del, për më tepër kur bëhet fjalë, për “ngarkesa speciale” që kanë vulën e shtetit dhe logon “Ngarkesë-sekret shtetëror”. Askush nuk e di se sa kanë qen vlerat financiare pasuri i shtetit shqiptar, të nxjerra nga Shqipëria e të depozituara në bankat “sekrete” në bankat ku fshihen milionat e shtetarëve e bizneseve të disa vendeve të botës, të siguruara me vjedhje e krime!

 Por hetimet që kanë nisur, kanë zbuluar gjurmë të mënyrës së si është vepruar për të vjedhur, transportuar në kufi e për të maskuar si pasuri personale këto 3 ngarkesa të gjurmuara tashmë si veprim i kryer. Këto 3 ngarkesa me valutë pasuri e shtetit Shqiptar, kanë dalë nga Banka e Shqipërisë me firmën e Fullanit e janë transportuar deri në dy pikat e kalimit të kufirit në Sarandë me letra si depozitë shtetërore që çohet për ruajtje jashtë shtetit!Sa kanë kaluar kufirin, letrat zyrtare të bankës janë zëvendësuar me letra të tjera si depozita private të disa zyrtarëve të lartë të politikës e shtetit dhe të familjarëve të tyre “gjoja biznesmenë”, duke menduar se kanë humbur gjurmët! Mirëpo, ata që kanë prekur letrat dhe milionat me dorë gjatë transportit jashtë Shqipërisë, kanë çuar sinjalin jo në shërbimet hetimore shqiptare, por në shërbimet e huaja. prej tyre ka nisur hetimi dhe sipas “gjurmëve“ të para, rezulton se 3 ngarkesat janë kryer, 1 prej të cilave dihet që ka përfunduar si llogari private e depozituar në Qipro ne emrat fëmijëve të 2 individëve me fuqi në politikën e shtetin shqiptar! 
Ja 3 rastet e vjedhjes së Thesarit të Shtetit Shqiptar në 25 vite
Hetimi ndërkombëtar që ka nisur lidhur me 3 ngarkesat financiare, thesar i shtetit shqiptar që kanë dalë nga banka e shtetit e janë transportuar jashtë Shqipërisë si llogari private të individëve të lidhur me pushtetin, nuk është rasti parë dhe i vetëm i vjedhjes së bankës së shtetit shqiptar me letra, me thasë e më shqyerje tunelesh maleve. Janë 3 raste të “bombë” të vjedhjes së Thesarit të shtetit, të cilët janë zbuluar, janë nisur hetimet, janë lënë faktet në heshtje, janë prangosur disa “fakira” e nuk është prekur asnjë zyrtar i lartë i financave, por janë mbyllur dosjet e nuk flitet më për to, duke i kaluar si humbje pa autorë, por të përballuar nga shqiptarët, që paguajnë këto vjedhje. 
1. Në fund të vitit 1990 u zhdukën, ose më saktë u vodhën nga Banka e Shtetit 44 milionë copë “monedha ari”, të plaçkitura prej shqiptarëve, nga ish-pushteti komunist i pas vitit 1944. Kjo sasi floriri doli nga banka në mënyrë misterioze dhe thuhet se përfundoi si depozitë private në Rusi, për të cilën zvicerani Xhon Megou, deklaroi se ishin për 10 ton flori, që kanë dalë nga Shqipëria, të ngarkuara në 2 avionë të posaçëm, të nisur nga Rinasi në muajt tetor-nëntor 1990, duke përfunduar në bankën “Shtrasse” të Zvicrës.
2. Në vitin 1999, u zbulua vjedhja e floririt të Thesarit të Shtetit që ishte në ruajtje në Kërrabë, e cila sipas policisë rezultoi e vjedhur në vitin 1997, që u mbyll me arrestimin e disa banorëve të zonës dhe me mbyllje përfundimtare të hetimeve në vitin 2001 e që prej asaj kohe nuk është folur më për këtë vjedhje gjigante të floririt Thesari i Shtetit, kohë kur Guvernator i Bankës së Shtetit ishte Shkëlqim Cani, i zëvendësuar nga Fullani në muajin tetor të vitit 2004.
3. Në 24 korrik 2014, u zbulua vjedhja tjetër e Thesarit të Shtetit në vlerën gjigante 7.3 milionë dollarë, kur Guvernator ishte Ardian Fullani, ndërsa si për “rastësi” ministër i Financave ishte Shkëlqim Cani, ish-Guvernator kur u vodh floriri në Kërrabë. Vjedhja e 7.3 milionë dollarëve, rezultoi se nuk kishte asnjë lidhje me Guvernatorin Fullani i cili doli i pafajshëm e u dëmshpërblye financiarisht, por kishte si “autor” vetëm me një punonjës të Bankës së Shtetit po me emrin Ardian, i cili deklaroi se i kishte vjedhur 7.3 milionë dollarët dhe i kishte lënë në bixhoz! 
Sigal