Si ishte takimi i drejtorit me Enertilën 2 vite pas bisedave në FB?!

662
Mashtrimi nëpërmjet “Facebook”-ut me fotografinë e aktores venezueliane Elisabeth Gutierrez i vajzës nga Manza, e cila dyshohet se i zhvati 60 milionë lekë drejtorit të postës Barush Ahmeti, do të hetohet me themel
Specialistët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar po kryejnë verifikimet e pretendimeve të të dyja palëve, si atë të 30- vjeçarit, ashtu edhe atë të Enertila Beqajt, pasi shuma e deklaruar nga i riu është e dyshimtë dhe nuk përputhet me verifikimet e bëra në terren.
Dje “çifti” është takuar më së fundi në Policinë e Durrësit, ku edhe janë ballafaquar në lidhje me pretendimet e tyre. Barush Ahmeti pretendon se dhuratat e tij dhe faturat e paguara për ndërtimin e shtëpisë së vajzës arrijnë në kuotën e 60 milionë lekëve të vjetër, shifër e hedhur poshtë nga 27-vjeçarja, e cila nuk pranon që i dashuri i saj virtual të ketë shpenzuar shifra të tilla përgjatë dy viteve njohje.
Policia është skeptike për nga mënyra se si është treguar nga palët ngjarja dhe ka kryer bllokimin e të gjitha veshmbathjeve dhe sendeve me vlerë të vajzës që mendohet të jenë bërë dhuratë nga 30-vjeçari, si dhe një pjesë të mirë të mobilieve shtëpiake, deri në përfundim të hetimeve.
Do të jenë ekspertët që do të nxjerrin një preventiv më të saktë, por sipas burimeve të Policisë, shumat që mund të jenë shpenzuar në banesën e vajzës dhe shpenzimet e tjera për veshje të saj janë disa herë më të vogla nga ajo që pretendohet në kallëzimin e bërë.
Burime të Policisë së Durrësit bënë të ditur se ballafaqimi i dy të rinjve është kryer dje. Të dy personazhet janë shtangur kur janë gjendur përballë njëri-tjetrit dhe situata ka qenë mjaft e tensionuar, sidomos nga ana e 30-vjeçarit, i cili e shihte për herë të parë vajzën që nuk kishte asnjë lidhje me atë të profilit të saj në Facebook, me të cilën ai u dashurua prej dy vitesh.
27-vjeçarja ka pranuar në sy të tij se kishte marrë dhurata nga ai, por ka refuzuar që shifra e të gjitha shpenzimeve të kapte vlerën e 60 milionë lekëve të vjetër.
“Më ke blerë disa fustane, varse, vathë, ora, e bizhuteri të tjera. Ke paguar disa fatura për shtëpinë, por nuk mendoj se kapin shifrën e 60 milionëve. Kjo është e vërteta. Pastaj, sa i përket mashtrimit në ‘Facebook’, mbaj përgjegjësi unë. E kam pasur të vështirë të tregoja të vërtetën, pasi kisha frikë se mos lidhja jonë merrte fund. Nuk e kuptoj pse ndodhem në polici… Ti vetë m’i ke dhënë dhuratat dhe tani nuk e kuptoj pse e bëre kaq të madhe”.
Kjo ka qenë ajo çka 27-vjeçarja i ka thënë dje Barush Ahmetit në prezencë edhe të policisë. Ndërsa Ahmeti ka këmbëngulur se ajo po gënjen dhe se kishte shpenzuar për të shumën e 60 milionëve.
Sigal