Si fluturoi komandanti Niko Hoxha, me karburantin e parë të prodhuar nga inxhinierët shqiptarë

2519
Sigal

KUÇOVË/ Flet ish- piloti Nazmi Dauti dhe ish-kuadri, Hekuran Rroko: Ja komandantët që drejtuan aviacionin në vite 

Që në vitin 1920 në Shqipëri janë bërë përpjekje për të organizuar Aviacionin Ushtarak. Më 9 shtator 1921, Ministri i Luftës Selaudin Shkoza shprehte shqetësimin se, “tash për tash s’mundena me ble aeroplana…”. Në nëntor 1929 u dekretua “Ligji mbi organizimin e Fuqive Armate”, sipas të cilit ushtria emërtohej “Ushtria Kombëtare Shqiptare” dhe ndahej në “Fuqitë Tokësore, Detare e Ajrore”. Por Forcat Ajrore nuk arritën të krijohen asnjëherë, ndonëse formalisht ajo ishte edhe në tri dekretligjet, që u miratuan në vitet 1931, 1934 e 1937. Aviacioni Luftarak Shqiptar është krijuar pas Luftës së Dytë Botërore më 24 prill të vitit 1951, kur piloti shqiptar Peço Polena fluturoi me një avion të Shtetit Shqiptar, të montuar e përgatitur nga specialistët e vendit tonë. Reparti i parë ushtarak i aviacionit u krijua në Tiranë në vitin 1951, në Aerodromin e Laprakës, ndërsa Regjimenti i parë i Aviacionit Reaktiv u krijua në vitin 1955 në Kuçovë. Shkollën e Aviacionit, Regjimentin e Helikopterëve, Regjimentin e Gjadrit, të gjithë me avionë e helikopterë të prodhimit lindor. Në vitet ’70-’80, Aviacioni Luftarak kishte në efiçencë të plotë mbi 72 avionë MIG-19 dhe 12 avionë MIG-21, një skuadrilje luftarake me 12 avionë MIG-17 dhe shumë avionë luftarakë-mësimorë të tipit MIG-15, 4 avionë transporti IL-14 për transport qeveritar, apo për studime ushtarake dhe gjeografike.

Ngjarja

Se si fluturoi në vitin 1961, piloti Niko Hoxha me avionin 332 për të provuar karburantin e prodhuar në Kuçovë, e tregon Hekuran Rroko, ish kuadër në ndërmarrjen e përpunimit të naftës. Ai shprehet kështu për gazetën “Telegraf”, për të çarë bllokadën që i ishte vendosur Shqipërisë jo vetëm për furnizimin me produktet bujqësore, makineri, u vendos edhe një bllokadë për të paralizuar gatishmërinë  ushtarake dhe në veçanti Aviacionin. Për këtë, ne si ndërmarrje dhe laboratorët tanë morën masa menjëherë që të prodhonim vajgurin me cilësi të lartë. Ka qenë inxhinieri i talentuar i laboratorit të naftës, Stefan Kogjini, i cili realizoi ëndrrën e shumë pritur të karburantit të parë shqiptarë, i cili do të shërbente për të fluturuar avionët tanë. Pas prodhimit të karburantit vajguri menjëherë u dha lajmi i mirë dhe për të provuar cilësinë e karburantit u vendos që të kryej një fluturim. Ish-komandanti i Regjimentit, Niko Hoxha e mori vetë detyrën që të provonte karburantin duke kryer fluturimin me avionin 332”, tha Rroku. Ndërsa ish-piloti Nazmi Dauti shprehet kështu: “Ishim në ankth të madh, kur komandanti ynë do të kryente këtë fluturim. Në momentin që ai u ngrit të gjithë i kishin sytë tek avioni, e më pas, veshët në tingujt e radios. Por kur komandanti Niko Hoxha, e realizoi me sukses dhe trimëri këtë fluturim të gjithë pilotët, naftëtarët e inxhinierët që prodhuan karburantin e parë shqiptar u gëzuan pa masë. Kështu që nga kjo datë shqiptarët kishin karburantin e tyre për avionët”, tha Dauti. Në Kuçovë ishte krijuar formacioni i parë i madh luftarak për mbrojtjen e hapësirave ajrore të Republikës së Shqipërisë me komandant Kolonel Niko Hoxha.

Fakte të rëndësishme nga aviacioni

-1956. Fillon përgatitja luftarake mbi bazën e një planizimi të rregullt, krijohet Ofiçina Mirëmbajtjes me Komandant Daut Gurabardhi.

– 1957. Në aerodrom u ul për herë të parë avioni bombardues IL-28 dhe një avion transporti anglez “Skaimaster”.

-1964. Krijohet Batalioni i Shërbimit të aerodromit, Grupi i Radio-Dritës.

-1966. Filluan punimet për ndërtimin e Uzinës së Riparimit të Avionëve, reparti pajiset me një skuadrilje MIG–17.

-1967. Pilotit të ri Bilal Sina në lartësi 6000 m i fiket motori, por në sajë të veprimeve të sakta arrin të ulë avionin. Presidiumi i Kuvendit Popullor e dekoroi me urdhrin e “Flamurit” të klasit të parë. U eksperimentua ulja në aerodromin e Cërrikut nga pilotët Viktor Vangjeli, Qirjako Dhima e Azbi Serani.

-1968. Piloti Qirjako Dhima kreu kontrollin teknik të avionit MIG–15 pas riparimit kapital nga uzina. Ulen MIG-17 në Korçë nga Azbi Serjani, Qirjako Dhima, Hamza Koçi e Harilla Rebi.

-1969. Eksperimentohet intensiteti maksimal i një katërsheje në një ditë –fluturimi.

 -1975. Piloti Vangjel Llazari eksperimenton qitje natën me raketa.

-1976. Shtator,zhvillohen qitje me raketa e topa natën

-1977. Eksperimentohet bombardimi nga fluturimi horizontal në lartësi të vogël. Për herë të parë organizohen kapje në agim. Në procesin e uljes me avionin MIG-19 piloti Skënder Demollari, avionit nuk i hapet rrota e majtë, por piloti me gjakftohtësi e guxim kryen uljen në brezin jeshil.

-1980. U prodhua banko-prova për kontrollin e topave 30 mm si dhe pajisja për kontrollin e frenimit automatik të rrotave.

 -1981. Kinostudio “Shqipëria e Re” xhiroi filmin artistik “Gjurmë në kaltërsi”, kushtuar armës së Aviacionit, ku ndihmë dhanë Harilla Rebi, Viktor Vangjeli, Agim Balili, Gjergji Spaho etj..

-1983. U eksperimentua ngritja nga pista urgjente nga Harilla Rebi e Gjergj Spaho.

-1985 Nga pilotët Epaminonda Tupa dhe Koço Biku u krye prova e motorit të parë të avionit MIG-15 të riparuar në vend. Një pilot vjen me rrota të mbyllura në ulje, prek lehtë pistën dhe ngrihet përsëri. Reparti dekorohet me urdhrin “Për shërbime të shquara në fushën e mbrojtjes”.

-1989. Pilotit Syrja Gjoka gjatë fluturimit me Mig-19, i fiken motorët në ajër, bën rilëshimin e tyre dhe ulet me sukses në tokë duke shmangur me gjakftohtësi rrezikun. Pilotit Idajet Veleshta gjatë fluturimit me avion MIG –19 i bien xhirot e një motori, e konstaton atë në kohë dhe ulet me sukses në tokë. Pilotët dekorohen nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

-1990 – 1994. Baza ajrore ka dy Skuadrilje me Komandant Petrit Dashi dhe Ylli Bullari. Grupi inxhinero – teknik me Komandant N/Kolonel Ylber Harshova.

-1994. Nga mikrobi i kolerës vdiq N/Kolonel Ylli Bullari.

-1996. Një grup teknikësh shkojnë për specializime në Turqi dhe disa pilotë në Itali. U zhvilluan qitjet bombardimet e rezultatet ishin shumë të mira.

 -1998 U punua për ringritjen e Bazës.

-2001. Në strukturën e re organizative të Forcave Ajrore realizohet kalimi i saj në Akademia e Forcave Ajrore, duke pasur në vartësi dhe Fakultetin Teoriko -Mësimor Vlorë.

-2002- 2005 Vazhdojnë punimet nga pala Turke në Aerodromin e Kuçovës. Misioni kryesor në këto vite: ruajtja e aftësive profesionale për t’iu përgjigjur situatave të veçanta në operacione ushtarake, humanitare e të kërkim- shpëtimit dhe mbështetja. Ja ata që komanduan Regjimentin e Kuçovës në këto 50 vite Kolonel Niko Hoxha, Fahri Bubesi, Bardhyl Taçi, Vasil Andoni, Harilla Rebi, kolonel Agim Balili, kolonel Fatmir Meçe, nënkolonel Agim Matraku, nënkolonel Gëzim Ismaili, nënkolonel Epaminonda Tupa, nënkolonel Andon Todri

-Viti 1999, është viti i kthimit në normalitet, ndërsa në vitin 2001, me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, në strukturën e re organizative të Forcave Ajrore, ky repart kalon në Akademia e Forcave Ajrore, duke pasur në vartësi dhe Fakultetin Teoriko-Mësimor  Vlorë. Në vitin 2003 vazhduan punimet nga pala turke në aerodromin e Kuçovës, të cilat përfunduan në kohë sipas planit. Në vitet në vazhdim si detyrë kryesore ka qenë modernizimi i infrastrukturës për plotësimin e standardeve dhe kushteve të aerodromit të Kuçovës si Host Nation Support Komandant i Bazës Ajrore Kuçovë është nënkolonel Balil Hyseni.