Si duhen trajtuar ‘heronjtë e ideologjisë së diktaturës komuniste’ sot në demokraci?

692
Filip GURAZIU
Demokracia e brishtë shqiptare, fatkeqësisht me kalimin e kohës vazhdon të bëhet edhe më e brishtë, kjo për shumë arsye, por njëra nga kryesoret që më rezulton sot pas 25 viteve të vetshembjes së komunizmit, është‘ mosndërgjegjësimi dhe mosvëmendja serioze e klasës politike ndaj edukimit të brezit të ri’. Informacioni që merr brezi i ri sot është kontradiktor dhe kaotik, çka nuk është konstruktiv, shembujt janë të shumtë; qëndrimi ndaj simboleve kombëtare; Skenderbeu, Nënë Tereza, qëndrimi ndaj pushtimit turk, qëndrimi ndaj gegnishtës, qëndrimi ndaj luftës civile në vitet e Luftës së Dytë Botërore, qëndrimi ndaj dënimit të krimeve të komunizmit… etj. Pra, platforma e institucioneve shtetërore, deri sot, nuk ka arritur të ndërtojë një strategji edukuese të miratuar kolegjialisht, konstruktive dhe bashkëkohore për brezin e ri. Në gamën e gjerë të opinioneve të mësipërme dëshiroj të veçoj qëndrimin që duhet mbajtur sot në demokraci ndaj “heronjve të ideologjisë së diktaturës komuniste shqiptare”. Është fakt i njohur, se së paku “zyrtarisht”, të gjitha partitë politike parlamentare shqiptare kanë mbajtur qëndrim kritik ndaj diktaturës komuniste, gjë fare normale dhe në përputhje me qëndrimin politik ndaj diktaturave (të majta dhe të djathta) në të gjithë vendet e Evropës dhe më gjerë. Shumë persona që kanë qenë në formacionet partizane të drejtuara nga komunistët , dhe që kanë vdekur ne luftë civile kundër formacioneve shqiptare nacionaliste janë shpallur ‘dëshmor ose heronj të atdheut ’, gjë në përputhje me parimet komuniste dhe me periudhën në të cilën ideologjia e diktaturës ishte parësore, edhe mbi atë kombëtare ! (internacionalizmi proletar).Rastet sa më sipër janë të shumta, duke filluar që nga “Heronjtë e Vigut”, rezistenca antikomuniste e Muharrem Bajraktarit, ajo e kelmendasve e kryesuar nga Preke Cali, lëvizja e Llesh Marashit në Koplik, kryengritja e Postribës, përpjekjet me grupet antikomuniste të dërguar në Shqipëri nga vendet “armike”, SHBA dhe Evropa perëndimore etj. Por a duhet të vlerësohen ato tituj sot në demokraci ?, mendoj që jo!, pasi ato të vrare nuk e patën dhenë jetën në luftë kundër pushtuesve të huaj për lirinë e atdheut, por për fitoren e idealit komunist në luftë me vëllezërit e tyre shqiptarë, ideal qe me shembjen e komunizmit dhe fitoren e demokracisë u shpërbë, u dënua dhe vazhdon të dënohet si imoral dhe kriminal , pra sot në demokraci është e pa kuptim, krejtësisht e padrejtë dhe deri absurde që ti ruajnë përsëri ato tituj. Kaq i rëndësishëm ishte vlerësimi ideologjik partiak ndaj rasteve të mësipërme sa që ne veri të Shqipërisë “heronjve të ideologjisë” ju përkushtua nga diktatura një monument madhështor në qendër të Shkodrës, kurse ‘Tre heronjt’ e Shkodrës që vdiqën në përpjekje kundër pushtuesve fashistë, pra për idealin kombëtar u lanë fare në harresë…! Është koha që të kuptojmë njëherë e mirë se demokracia shqiptare dhe e ardhmja e Shqipërisë drejtë B. E. nuk mund të realizohet duke i thurur lavdi ideologjisë komuniste. E dini perse? Shume e thjeshtë, pasi dënimi i krimeve të komunizmit është një ndër kushtet kryesore që duhet të plotësojë Shqipëria për të qenë pjesë e BE-së. Në vendet evropiane as që bëhet fjalë që të dekorohet ose të nderohet publikisht ndonjë hero i diktaturave, fashiste ose naziste, përkundrazi praktikat janë të tilla sa që edhe tentativa për sa mësipër dënohet në bazë të ligjit. Një i tillë ekziston edhe në vendet ish komuniste të Evropës lindore; në Poloni, Ceki, Lituani dhe Hungari qe shprehet: “Refuzimi publik, vënia në dyshim ose degradimi e faktit të gjenocidit dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit të kryera nga regjimet socialiste dhe komuniste kombëtare përben vepër penale.” Del detyrë imediate që legjislativi dhe strukturat e pavarura që funksionojnë sipas udhëzimeve të BE të trajtojnë problemin e mësipërm për ta futur në rrugën ligjore. Vetëm ligji duhet të sundojë në demokraci, ligji duhet të jetë mbi nostalgjitë romantike të një periudhe tashmë të dënuar nga të gjithë aktorët politikë. Sa më sipër nuk është hakmarrje, por drejtësi shoqërore që na e mundëson sistemi demokratik. E ardhmja e Shqipërisë dhe e brezit të ri është shumë herë më e rëndësishme se sa një titull, dekoratë ose nderimi i ndonjë monumenti me karakter ideologjik, ideali i të cilit është shkelmuar sot nga populli shqiptar.

Shqiptarë, të ardhmen e keni në dorën tuaj, veproni!
Sigal