Si “dështoi” promovimi i librit“Rrëfen Kriminalisti”

109
Nga Miltiadh M. Muçi 
Shumë nga lexuesit e librit “Rrëfen Kriminalisti” më janë drejtuar, përse kam zëvendësuar recensën me mendimet e katër lexuesve të parë, anonimë? Është një pyetje më se e drejtë, për të cilën isha parapërgatitur dhe jo vetëm, për sa kohë tre prej tyre ndodheshin në marrëdhënie pune me pushtetin, specialistë me përvojë të fushës së policisë. Kështu mendova, të shpreh dhe një herë sa shumë problem vazhdon ta ketë shoqëria jonë, të mos e ndjejë peshën e pushtetit. A mund të jesh i lirë, në këtë sistem “demokratik” të kapur nga një grusht personash, të shprehësh lirshëm mendimin kur objekti i botimit të librit është “shkelja e të drejtave themelore të njeriut”, nga veprimet dhe qëndrimet e pushtetarëve të dy krahëve të politikës? 

Me miqtë e mi specialistë të policisë që vazhdimisht i kam vlerësuar, munda të bashkëpunoj e vlerësoj opinionet e tyre dashamirëse, pavarësisht superlativave në përgjithësi. Për të gjitha i falënderoj, në veçanti për çka vendosa, t’i botoj si anonimë, kur për mua e të tjerë janë shumë të njohur. Ata më bindën se kisha bërë punë të mirë dhe lexuesi do tregonte interes. Por jo vetëm, dëshira ishte që botimi të jetë pjesë e literaturës rekomanduese për studentët e juridikut dhe të shkencave sociale, në veçanti për studentët e Akademisë së Sigurisë. Edhe pse i bëra përpjekjet ishte e vështirë të realizohej, duke e menduar se do të jetë kalimtare. Nisa t’i shpërndaj librat, kryesisht tek ata që më shumë se tre dekada bashkëpunuam, dhe në episodet që kam përshkruar në një farë mënyre e gjejnë vetveten. Kisha dëgjuar, se ish apo punonjës të policisë kanë botuar dhe promovuar libra të tyre, me subjekt krejt të ndryshëm nga “Rrëfen Kriminalisti”, me dallime të mëdha të titujve. Që të shkruash për lidershipin e policisë ke lënë pas shpine, ata që në çdo kohë përbëjnë historinë e brezave të policisë, pra t’i kesh harruar apo fshirë nga fletët e kujtesës. Për mua nuk mund të ndodhte ndryshe, sepse kam punuar midis kolegëve në terren, ku ndodhin ngjarjet kriminale nga vrasjet, vjedhjet, grabitjet etj. në aksidentet automobilistike, në punë etj.. Ndërsa ata që kanë punuar dhe punojnë pranë lidershipit bëhen pjesë e tij, tregojnë njëkohësisht karakterin e tyre të konformizmit dhe servilizmit. Këtë më së miri kushdo e kupton, nga leximi i dedikimit të botimit “Rrëfen Kriminalisti” : “Përmbledhjen me shkrimet për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, me shumë respekt ja përkushtoj brezave të policisë. Këtë vlerësim, më mirë se kushdo e bën vetëm ai që ka punuar dhe provuar vështirësitë e kënaqësitë, dështimet e sukseset e punës, nga polici i thjeshtë tek profesionisti i vërtetë. Dhe kush tjetër mund t’ua bënte këtë, veçse ish-kolegu i tyre. Kjo është kënaqësi e veçantë për mua, besoj dhe për ata, kudo që ndodhen”. Prandaj Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, si dhe ai i Akademisë së Sigurisë, kurrsesi s’ mund të ishin të interesuar për promovimin e librit “Rrëfen Kriminalisti”. Kështu ndodhi “dështimi” i promovimit të librit tim ku e gjen veten secili, nga polici i thjeshtë tek kupola e saj, të para e pas viteve ’90. Tashmë policia është kthyer më se e politizuar, që mbron interesat e grupeve të personave me pushtet, të grupimeve politike majtas e djathtas. Kjo shihet qartë në replikat e lidershipve dhe në deklaratat e ditëve të fundit. Nga Rama në takimet me lidershipin e sotëm të policisë, ashtu sikurse ministri Tahiri, do të dëgjosh veçse deklaratat kundër rivalit të tyre politik, ndërsa në “çadrën e lirisë” të ngritur në bulevard, në praninë e punonjësve të policisë të larguar nga qeveria e majtë, Basha deklaron se kur të vij në pushtet, ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, të cilin Berisha u detyrua ta shkarkoj nga kjo detyrë, midis të tjerave edhe për ngjarjen e ndodhur në plazhin “Iliria” në Durrës, ku u vranë katër punonjës të policisë, do ta ofroj këshilltar të tij. Ndërsa për mua dëshira më e madhe për promovimin mbetet, të bashkoj efektivët e sotëm të policisë me ish policët e larguar, për shkak të bindjeve të kundërta me të lidershipit në pushtet, sikur ka ndodhur në rotacionet midis partive. Sa duket do të vazhdoj të ndodhë kështu, derisa “Policia e Qytetarëve” qartësisht është kthyer në “Polici e Pushtetarëve”. Prandaj projekti i ligjit të ri “Për Policinë Vullnetare” apo “Policimin Vullnetar”, me siguri është i dështuar, për sa kohë në lidershipin e policisë do të mbeten kastat si ato të politikës, pra falanga të saj, sikur ka ndodhur për njëzet e shtatë vjet të tranzicionit. Ajo si mund të vetëofroj moshat e reja, kur mban larg ish – kolegët profesionistë, të nxjerrë me “reformat” apo që janë në pension?