Shurdhëri e plotë në vitin e 100- vjetorit të Pavarësisë

567
Sigal

MUNGESË AKTIVITETESH/ Bashkia e Vlorës, vaktësi në veprimtaritë publike gjatë sezonit turistik

Sezonit turistik të këtij viti, po i vjen fundi. Fund-gushti përcjell pushuesit shqiptarë dhe të huaj, që zgjodhën bregdetin e Vlorës, për të kaluar pushimet e vitit. Nëse do të jetë ose jo Vlora “Princesha e turizmit”, në këtë vit të 100- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë kombëtare, do ta përcaktojnë treguesit, që do të analizohen gjatë muajit shtator, por ajo që është konstatuar lehtë në këtë sezon, është mungesa e veprimtarive publike, qofshin ato kulturore, artistike, sportive etj., organizuar nga bashkia e qytetit.

Asnjë aktivitet

Nga statistikat paraprake, duke marrë parasysh edhe shifrat e sezoneve të kaluara, rezulton se Vlora shkon në mbi gjysmë milioni banorë gjatë sezonit turistik. Këtë verë ka qenë më i madh numri i vizitorëve dhe pushuesve të huaj. Por sa është përgjigjur bashkia e qytetit kërkesave për të mbushur kohën e lirë me veprimtari kulturore, artistike, sportive, ca më tepër me të tjera që i kushtohen 100- vjetorit të Pavarësisë. Gjatë sezonit ka pasur vaktësi dhe asnjë veprimtari nuk është parashikuar nga bashkia, si i veçantë në këtë vit jubilar. Heshtje varri ka pasur edhe teatri, që jo vetëm nuk ka mundur të prezantohet tek pushuesit në një skenë të improvizuar me pjesë të ndryshme, veçanërisht nga Estrada dhe parodistët e Vlorës, por as nuk është marrë mundimi që të jepet një shfaqje në sallën e “Petro Markos”, gjatë gjithë sezonit.

Bashkia

Ndërsa komuniteti dhe aq më tepër pushuesit e cilësojnë një vaktësi të veprimtarive të ndryshme gjatë kësaj periudhe, bashkia mburret me 2-3 veprimtari sporadike që ka organizuar në këto 90 ditë të sezonit turistik, që nga dita e çeljes së tij. Një koncert 60 minutësh, organizuar përpara stadiumit me një grup rrok, muzikë për të rinj, drejtori i Turizmit dhe Kulturës, Ilir Metaj, e ka konsideruar një arritje të rëndësishme, pasi, qoftë edhe për një ditë është larguar tallavaja që dëgjohet çdo natë nëpër disko e PUB-e. Ndërkohë, koncerti i grupit të Portokallisë në sheshin e Skelës, është konsideruar “veprimtari e rëndësishme e bashkisë, ndërkohë që, nuk luajti asnjë rol, nuk dha asnjë kontribut. Ishte performanca e aktorëve të mirënjohur, që grumbulloi pushuesit për t’i ndjekur dhe duartrokitur. Përveç personaliteteve të shkencës dhe kulturës që ka Vlora, që janë të shumtë në numër, në këtë pikë duhej të angazhohej edhe biblioteka publike, që nuk është parë ndonjëherë të dalë jashtë mureve të saj. Që këndej, krijohet përshtypja që zyrtarët e bashkisë dhe veçanërisht ata që mbulojnë sektorin e turizmit dhe të kulturës janë me lejë kushedi, se ku duke lënë pas vaktësinë e veprimtarive të shumanshme, që duhej të zhvilloheshin në këtë sezon të vitit të 100- vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë kombëtare.

QYTETARËT: DUHET NJË MONITOR PËR FILMAT SHQIPTARË

Me të drejtë qytetarët kërkojnë që në sheshin e Skelës, të vendoset një ekran, nga ku qytetarët mund të ndjekin seri filmash shqiptarë në distancë, teksa relaksohen në lokalet rrotull. Kjo kërkesë e përvjetshme nuk ka gjetur zbatim edhe pse nuk kërkon shpenzime. Një paradë me grupet polifonike të trevës së Vlorës, gjithashtu do të kishte interes për pushuesit dhe do të gjallëronte tepër jetën në qytet. Ky aktivitet, gjithashtu nuk kërkonte shpenzime, përveçse të hartohej një grafik nga z. Ilir Metaj, që e mbulon këtë sektor dhe të ngrihej një skenë e thjeshtë në sheshin e Skelës.

MUNGOJNË LIGJËRATAT

Është e vërtetë që ka pasur vizitorë në Muzeun e Pavarësisë, që janë bërë homazhe tek memoriali i bronztë në Sheshin e Flamurit, tek varri i Ismail Qemalit, por këto, për hir të së vërtetës duhet thënë se janë bërë privatisht nga shqiptarët e ardhur nga Kosova. Maqedonia e Mali i Zi. Asnjë veprimtari nuk është organizuar nga bashkia për të bërë një ligjëratë me një temë të përcaktuar që lidhet me 100 -vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Atëherë, cila ishte e veçanta e këtij sezoni në këtë 100 vjetor të shtetit shqiptar. Asgjë nuk ishte planifikuar dhe nuk u bë e mundur për të njohur pushuesit e shumtë të këtij sezoni.

 _____________________________________________

FLET KREU I TATIMEVE NË VLORË, NAMIK VEIPI

Biznesi i alarmuar: Nuk vihemi në dijeni për ndryshimet në legjislacion, shkak korrupsion

Ndryshimet e vazhdueshme, mungesa e informacionit, apo edhe marrja me vonesë e informacionit për këto ndryshime, kanë sjellë probleme jo vetëm në mos respektimin e legjislacionit nga bizneset, por edhe keqkuptime në marrëdhëniet e tyre me administratën e Tatim-Taksave. Madje kjo ka favorizuar në një farë mënyrë edhe mitmarrjen. Shumë biznese të qytetit, ngrenë shqetësimin se ligjet dhe rregulloret që dalin për taksat dhe detyrimet që i detyrohen shtetit, shpesh janë kontradiktore dhe se përpara nxjerrjes së tyre, është e domosdoshme të bëhet konsultim dhe të tërhiqet dhe të merret në konsideratë mendimi i komunitetit të biznesit.

Reagimi

Namik Veipi, kreu i Tatim-Taksave në Vlorë, pasi është njohur me këtë shqetësim të komunitetit të biznesit, është shprehur për gazetën “Telegraf” se zyra rajonale e Tatim-Taksave që ai drejton, ka bërë të njohur në momentin e duhur komunitetin e biznesit me ndryshimet që janë bërë. Inspektorët tatimorë- ka theksuar ai, -nuk e fillojnë punën në zyrë, por janë çdo ditë në kontakt me subjektet, duke i vënë në dijeni edhe për ndryshimet që bëhen. Ndërsa, nëse duhet tërhequr ose jo mendimi i komunitetit të biznesit përpara se të miratohet një ndryshim në ligj, kjo nuk varet nga zyra rajonale e Tatim-Taksave të Vlorës, por nga një orientim që duhet të vijë nga institucionet në qendër,- ka përfunduar Veipi.

MUNGON BESIMI RECIPROK

Shumë nga subjektet që operojnë në qytetin e Vlorës, duke diskutuar rreth këtij problemi, shprehen se ndryshimet e shpeshta në legjislacion, çorientojnë biznesin dhe se ato duhet të bëhen të njohura në momentin e duhur. Çdo ndryshim i institucionit fiskal, duhet të jetë në axhendën e institucionit disa muaj më parë se sa të miratohet dhe kjo nuk mund të ndodhë pa komunikuar me palën e interesuar, komunitetin e biznesit. Organet tatimore duhet të sigurojnë qasjen për kompanitë private, për t’i informuar ato në kohë për çdo ndryshim. Transparenca midis administratës tatimore dhe sektorit privat, duhet të rritet në shkallën e duhur çka do të thotë se duhet të ndihmohen palët e interesuara, lidhur me ndryshimet e bëra në legjislacion.