Shumë sorollatje e burokraci në shëndetësinë shqiptare…!

528
Sigal

Ky është fakt e secili e ka provuar kur e ka zënë halli për mjekim!

Evdal NURI

1-Godina e bukur, por s’mbaron punë!

E kemi fjalën për Q.S.N.1, apo siç njihet ndryshe Iraniani. Pas rikonstruksionit është vënë sërish në shërbim për 300 mijë banorëve të kryeqytetit. Si shumë? Me një investim prej 76 milionë lekësh të Ministrisë së Shëndetësisë është bërë i mundur zgjerimi i hapësirave ekzistuese. Që këtu bukur, por kur shkon ndeshesh në radhë të gjata e njoftimet tek informacioni: ”Për arsye se s’punojnë aparaturat nuk mund të bëjmë këtë apo atë analizë”.

Konkretisht këto ditë njoftimi “sqaron”. “Analiza për kolesterolin, trigliceritet, azoteminë, kreateneminë, s’mund t’i bëjmë mbase është prishur aparati!” Aty një i sëmurë po bënte fjalë. Kam rekomandimin nga mjeku i lagjes për të bërë analizë për veshkat, por më thonë të vij në datën 13 maj. Nga 29 marsi në 13 maj janë bërë të 40–tat. Me pak fjalë, gjendesh përballë dy rrugëve. Disa do të presin sa të rregullohen aparatet, të tjerët radhën pas dy muajve.

Te privati, të japin përgjigjen për dy orë, veçse duhet të paguaje 3100 lekë, vazhdoi hallexhiu, kurse këtu për dy muaj! Ç’të bëj, qante hall i sëmuri, por jo vetëm ai. Si s’kemi dëgjuar qoftë dhe një herë tek poliklinikat private të jetë prishur aparatura, apo mungojë reagjenti…?! Këtu ka një shejtanllëk!

 2-Tek specialisti?!

Atje ndeshesh me një mospërfillje të paparë! Ai me të parë analizat, duke mos të pare fare në sy, por nga duart të mbush recetën, të zgjat dorën e të thotë:

-Ik, po s’u ndjeve mirë, hajde pas një muaji.

Mjeku kur je i sëmurë të duket si “Perëndi”. Edhe, nëse ti guxon e i thua:

– Doktor…si kanë dalë analizat? Apo, si do të vejë…puna ime?

Ai me mospërfillje të thotë:

– Mbaruam bashkë!

-Po dale, dok …se, unë…e kërkon të qash hallin!

Ai s’të lë ta mbarosh fjalën, por të thotë: “Më presin të tjerë jashtë”.

Si s‘e kuptojnë, që fjala e ngrohtë e mjekut të shëron! Sa mirë do të ishte që mjeku pasi të shikonte analizat të thoshte: “Dëgjo pacienti im. Unë i pashë analizat. Mos ki merak, se do të shërohesh!. S’ke gjë për merak! Na këtë recetë e do të bëhesh mirë. Unë këtu jam. Hajde kur të duash. Por do të kesh kujdes për ketë apo atë trajtim.” Sa mirë flasin të sëmurët për vizitën e komunikimin e Dr. Vjollcën që bën E.C.O. dhe për O. Agalliu tek Okulistika. Sa larg janë të tjerët nga zbatimi në jetë i betimit të Hipokratit!

3-Tek “Ura e Tabakëve” janë mjekët e lagjes?!

Pesë dyer të trokitura, pesë radhë të pritura, për të marrë një recetë.Nëse je i sëmurë do të paraqitesh tek mjeku i familjes. Ai të çon tek specialisti. Ky të jep rekomandim për të bërë analizat. Analizat do t’i çosh përsëri tek specialisti. Me rekomandimin e tij do të përfundosh sërish tek mjeku i lagjes për të marrë recetën. Këto janë 5 (pesë) fazat, që një i sëmurë duhet të kalojë për trajtim mjekësor. Kjo është vërtet e sikletshme e lodhshme, sidomos për pensionistët. Çdo gjashtë muaj 5 (pesa) bëhet 7 (shtatë) , shtohen dhe dy analiza të tjera. Një burokraci e vërtetë. Është fakt që ilaçet e rimbursueshme janë afër skadencës, jo cilësore e mjaft të lira. Fjala vjen, për tensionin mjeku i lagjes të jep: Analapril dhe Atenonol që nuk kushton me tepër se 300 (treqind) lekë.

Farmacisti të bën moral që këto nuk të bëjnë efekt, janë “miell” dhe të rekomandon që ato të zëvendësohen me Aprovel dhe Nebilet, të cilat kushtojnë pesëfishin. Kjo për arsye përfitimi. Por, mundet që një pensionist, me 16. 000 lekë në muaj të marrë ilaçe vetëm për tensionin 2.000 lekë? Duhet theksuar që mjekët e lagjes janë kthyer në punonjës të thjeshtë administrate. Dëgjojnë ankesat e sipas shqetësimeve të çojnë tek specialisti përkatës. Çfarë ke ti? Na rekomandimin tek kardiologu. Po ti? Tek neurologu. E kështu tek dermatologu, reomatologu, ORL-ja e kështu me radhë.

Në fund të japin recetën. Këtu mbaron puna e tyre! Punë administrate që mund ta bëjë kushdo. Përfundimisht shërbimi shëndetësor ka shumë probleme, e duhet të ndryshojë në bazë e në superstrukturë. Kur themi në bazë e kemi fjalën për fonde nga shteti, godina, aparatura, medikamente cilësore e tjerë. Godina e re, aparaturat të vjetra kur vazhdimisht janë të prishura?! Në superstrukturë duhet një përmbysje rrënjësore në sjellje, trajtim në shfaqjet korruptive që tashmë janë kthyer në norma morale.

Pyetja që bëhet është kjo: Mjekët tanë janë të paaftë? Të korruptuar? Apo i kanë të dyja? Nëse janë të paaftë të testohen e aftësohen si po kërkohet tani. Nëse janë të korruptuar le të dënohen. Një gjë duhet të kemi të qartë: Njeriu mëson në shkollë, por ca më tepër në jetë. Jeta është shkollë e madhe Këtë duhet të përvetësojnë e zbatojnë mjekët tanë!

Kujtesë dhe kujdes!

Raporti SOS International për shëndetësinë në Shqipëri tha:”Shqipëria vend me rrezik të lartë shëndetësor”. Ajo krahasohet me vendet në zhvillim dhe vendet në gjendje lufte. Shqipëria e disa vende të rajonit paraqesin risk për shëndetin popullatës. Kaq mjafton për të kuptuar ku jemi. Në këto kushte nuk duam ”Mburrje“, por trajtim të specializuar; me dituri e ngrohtësi si njerëz me dinjitet. Ne i kemi dhënë gjithçka këtij vendi, prandaj kërkojmë të na shërbehet me përkushtim, ndershmëri e aftësi.