Sigal

Fatos Baxhaku një nga pionieret e shtypit të pavarur që nga fillimi i viteve 90, autori i njohur i reportazheve të shkruara dhe televizive, studiues i historisë, një penë e mprehtë kritike e tranzicionit shqiptar ka ndërruar jetë sot në moshën 55-vjeçare. Ai vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Presidenti i Republikës, Ilir Meta shprehet i pikëlluar me vdekjen e parakohshme të Baxhakut për të cilin thekson se është një nga pionierët e shtypit të pavarur të fillimviteve ’90, si dhe shton se spikati si një penë e mprehtë dhe kritike e tranzicionit shqiptar, por veçanërisht edhe si një nga autorët më të njohur të reportazheve të shkruara e dokumentarëve televizivë.

“Dhembje e thellë për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit dhe publicistit të mirënjohur, Fatos Baxhaku!

Një nga pionierët e shtypit të pavarur të fillimviteve ’90, Baxhaku spikati si një penë e mprehtë dhe kritike e tranzicionit shqiptar, por veçanërisht edhe si një nga autorët më të njohur të reportazheve të shkruara e dokumentarëve televizivë.

Fatosi u bë protagonist i rendit të parë në jetën publike të vendit për tridhjetë vjet me rradhë, duke e lidhur emrin e vet pazgjidhshmërisht me shtypin e lirë dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes, që për të ishin mision i shenjtë!

Në këto momente dhembjeje të madhe, ju shpreh ngushëllimet e mia të ndjera dhe jam pranë familjes dhe gjithë të afërmve të Tij, të cilët humbën njeriun e tyre më të dashur, por edhe pranë komunitetit të gazetarëve që humbën shokun, mikun, kolegun e pazëvendësueshëm, modelin e profesionistit, i cili asnjëherë nuk bëri kompromis në dëm të përmbushjes së misionit, që iu dedikua me pasion dhe përkushtim shembullor.

Fatosi do të na mungojë të gjithëve, por do të jetojë gjithnjë emri, thjeshtësia dhe mirësia e tij!

Lutem që shpirti i Tij të prehet në paqen e përjetshme!”- shkruan Presidenti i Republikës.