Shuhet një nga ikonat e Fizikës, prof. Niko Thomo

526
Sigal

Më datën 3 janar 2015 u nda nga jeta prof. Niko Thomo, një nga ikonat e fizikës teorike dhe eksperimentale të Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës. Ai ia kushtoi gjithë veprimtarinë e tij shkencave të fizikës, mësimdhënies dhe kërkimit shkencor në institucionet e arsimit të lartë universitar për rreth 60 vjet. Si një nga pedagogët e parë të fizikës në universitet, ai ka vënë themelet e mjaft lëndëve të reja moderne në fushën e shkencave të fizikës teorike dhe eksperimentale, të domosdoshme për ngritjen e nivelit shkencor të shkollës së lartë. Firmën e tij mbajnë leksionet e para në kristalografi, në fizikën e atmosferës, në mekanikën e lëngjeve, në fizikën e trupit të ngurtë, në elektrodinamikë dhe në disa disiplina të tjera të fizikës teorike si në mekanikën kuantike, teoritë e fushës etj..

Prof. Niko Thomo

Me aktivitetin e shumanshëm pedagogjiko-shkencor përmbi gjysmë-shekulli, prof. Niko, ka kontribuar në përgatitjen universitare dhe pasuniversitare të brezave të tërë specialistësh në mjaft fusha të shkencave të natyrës dhe atyre inxhinierike si dhe në udhëheqjen, kualifikimin dhe diplomimin pasuniversitare të shumë fizikantëve. Ai nuk u shkëput nga kjo veprimtari deri në fund të jetës së tij. Përcjellja e prof. Nikos u bë në 4 janar 2015 në varrezat e Sharës nga familja, të afërmit dhe shumë dashamirës, kolegë dhe ish-studentë të tij.

Redaksia e Gazetës Telegraf i shpreh ngushëllime familjes dhe gjithë të afërmve të Prof. Nikos!

Redaksia e Gazetës Telegraf

Prof. dr. Dine Merja