Shtyhet me 2 vjet ligji i lojërave të fatit

486
Sigal

Komisioni i Ekonomisë diskuton të
hënën ligjin e lojërave të fatit, pas kërkesës së 6 deputetëve për shtyrjen e
zbatimit të tij. Nisma e deputetëve ka marrë edhe miratimin e Ministrisë së
Financave. Ndërkohë ky institucion ka hapur edhe garën për kompaninë, e cila do
të monitorojë online bizneset e lojërave të fatit. Ligji i lojërave të fatit i
cili pritej të hynte në fuqi në 1 janar është rikthyer për diskutim në
komisionet parlamentare. Ditën e hënë është parashikuar mbledhja e komisionit
përgjegjës për këtë ligj, ai i Ekonomisë, i cili do të diskutojë kërkesën e 6
deputetëve të mazhorancës, për shtyrjen me 2 vjet të zbatimit të ligjit. Kërkesa
e deputetëve priste vetëm shqyrtim nga Ministria e Financave, e cila e ka
miratuar atë. Gjashtë deputetët Ervin Bushati, Ervin Koci, Luan Duzha, Ylli
Shehu, Tahir Muhedini dhe Blerina Gjylameti e cila më pas u tërhoq nga kërkesa,
parashtruan argumentet për shtyrjen me dy vjet të afatit të ushtrimit të
aktivitetit duke ndryshuar vitin e zbatimit të dispozitave kalimtare nga 31
dhjetori 2016 deri në 31 dhjetor 2018. Sipas tyre, bizneset që ushtrojnë
aktivitetin në baste sportive, kanë detyrimin e zbatimit të distancave, por kjo
është bërë e pamundur për shkak të kontratave të qiradhënies kanë qenë më
afatgjata. Po ashtu mungojnë aktet nënligjore që rregullojnë këtë sektor dhe
duhet të shoqëronin ligjin themelor ndërkohë që ka kontradikta mes pikave në
nenin 71, që lënë hapësira për interpretime subjektive. Një tjetër argument
është edhe ruajtja e të ardhurave në buxhetin e shtetit të llogarive rezultojnë
të jenë 125 milionë dollarë në gjithë zinxhirin e industrisë. Ndërkohë nëse
ligji shtrin zbatimin e tij në afatin e përcaktuar, 1800 të punësuar në këtë
sektor do të ngelen pa punë. Në kalendarin e punimeve të të Kuvendit të
Shqipërisë, është parashikuar që ky ligj të kalojë për votim në 22 dhjetor në
seancën e fundit për këtë vit. Ndërkohë një tjetër proces po zhvillohet për
lojërat e fatit. Ministria e Financave ka hapur garën për tenderimin e kompanisë
e cila do të monitorojë online bizneset e lojërave të fatit i cili mbyllet në
12 janar të vitit 2017.