Shtyhet Ligji i Pronës – Gjykata Kushtetuese nuk ka gjyqtarë

676
Gjykata kushtetuese nuk plotëson numrin minimal të gjyqtarëve për të marrë vendime, shkak për të cilin ajo ka shtyrë për një afat të pacaktuar shqyrtimin e kërkesës së shoqatës “Pronësi me Drejtësi” për shfuqizimin e ligjit të ri për kthim-kompensimin e pronës. Dy seancat për të marrë në shqyrtim padinë e pronarëve ishin përcaktuar të zhvilloheshin më 17 prill, por Gjykata Kushtetuese tashmë ka vetëm 5 anëtarë. Burime pranë kësaj Gjykate, pohuan për Televizionin Scan se vendimet prej saj mund të merren vetëm në rast se ekziston kuorumi minimal prej tre të pestave, ose prej gjashtë gjyqtarësh. Pa këtë numër anëtarësh, Kushtetuesja e ka të pamundur të marrë një vendim. Gjykata Kushtetuese praktikisht është jashtë funksionit që prej dy javësh, pasi anëtari i saj Fatos Lulo, u shkarkua nga komisioni i Vetting-ut për shkak se nuk justifikonte pasurinë. Në seancën e 17 prillit, Gjykata duhet të merrte në shqyrtim kërkesën e shoqatës “Pronësi me Drejtësi” e cila kërkon shfuqizimin si antikushtetues të formulës së re të vlerësimit të pronave, e cila e bazon përllogaritjen te zëri kadastral që kanë pasur pronat në vitin 1945. Shoqata ka kërkuar gjithashtu rrëzimin e hartës së vlerës së pronave, si dhe disa neneve që kanë të bëjnë me procedurat e vlerësimit dhe kthim-kompensimit të pronave të miratuara me ligjin e vitit 2016.
Sigal