Shtrenjtohet bileta Vlorë-Brindizi, bëhet 80 euro

544
Sigal

Veç fluturimeve nga Rinasi, udhëtarët paguan më shtrenjtë këtë vere edhe për udhëtimet me traget drejt Italisë! Bileta e linjës Vlorë-Brindizi dhe anasjelltas pësoi një rritje deri në 20 euro për person në krahasim me atë të para sezonit turistik. Me rreth 1700 persona në dalje, e marta shënoi nisjen e fluksit të largimit nga Porti i Vlorës të emigrantëve që kaluan pushimet në Shqipëri. 70 deri në 80 euro paguan një person për të udhëtuar drejt Brindizit nga porti i Vlorës në këtë fund gushti, çmim që ka pësuar një rritje me 10 deri në 20 euro nga ai para korrikut. Emigrantët që jetojnë e punojnë në Itali e që kthehen në këtë periudhë të vitit për pushime, shprehin shqetësim për rritjen e çmimeve. Ndërsa fluksi në dalje tashmë pritet të vijojë deri në fund të muajit, kohë kur emigrantët duhet të kthehen në vendet ku jetojnë e punojnë.