Shtrëngimi i ri për biznesin: Jo kredi me bilancet fiktive

662
Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë bien dakord të frenojnë aktivitetin me 2 bilance të kompanive të mëdha
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ranë dakord për masat për luftën kundër informalitetit në ekonomi, por edhe për strategjinë e përbashkët për reduktimin e nivelit të kredive me probleme në ekonomi. Kompanitë e biznesit do të detyrohen të mbajnë një bilanc të vetëm, që do të jetë i përputhur me deklarimin e tyre në tatime, duke frenuar abuzimin me bilancet fiktive, që nga njëra anë nxisin shmangien e detyrimeve tatimore reale dhe nga ana tjetër, ndikojnë në vlerësimin e aftësisë paguese të bizneseve për llogari të kreditimit në bankat e nivelit të dytë. 

Qeveria
“Sot është fakt, që kompanitë e mëdha mbajnë dy bilance, një që deklarohet në tatime dhe një që dorëzohet në bankat tregtare për qëllime kredimarrje. Ne kemi marrë angazhim, që kompanive të biznesit t’u njihet vetëm një bilanc zyrtar, që është i përputhur me deklaratën e tyre tatimore. Kryeministri e ka artikuluar si masë në ditët e fundit dhe ne po e avancojmë, besoj do të konkretizohet me të gjitha detajet teknike nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Banka e Shqipërisë, në një rregullore të posacme, në fillim të vitit 2018”, deklaroi ministri Ahmetaj. Ai theksoi dy aspekte në kuadër të kësaj nisme. “Së pari, reduktimi i nivelit të kredive me probleme në ekonomi. Problematika e kredive me probleme u trajtua gjerësisht gjatë mandatit tonë të parë 2014-2017. Grupi i përbashkët i punës mes Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë, hartoi një strategji dhe plan konkret veprimi me qëllim reduktimin e NPL, ku një ndër masat e parashikuara ishte pikërisht “Dhënia e kredive vetëm në bazë të deklaratave tatimore”. Sigurisht që ky plan masash është konsultuar në masë të gjerë edhe me bankat e nivelit të dytë dhe unë besoj që ky është momenti që të vendoset një normë e re në marrëdhënien mes bankave dhe kompanive të biznesit. Sot niveli i kredive me probleme është rreth 14.4% (gati 10% më ulet se viti 2013 ku arriti kulmin e 25% të totalit të kredive në ekonomi”, tha Ahmetaj. Sipas tij, aktiviteti kreditues sigurisht që ka një gjallërim, ende modest gjithsesi, por pa diskutim që aftësia paguese e kredimarrësve, është një faktor kyc në sjelljen e bankave në raport me kreditimin. “Me qëllim frenimin e fenomenti të kredive të këqija, dhe nxitjen e kreditimit të shëndetshmen në ekonomi, ne kemi avancuar këtë nismë që besoj është një hap tejet i rëndësishëm që ndihmon edhe sistemin bankar që në vetvete përfaqëson sektorin më transparent dhe të formalizuar të ekonomisë. Dhe ky është elementi i dytë që dua të theksoj. Në këtë fazë aktuale të aksionit tonë kundër informalitetit, ne kemi një fokus të posaçëm tek biznesi i madh, duke bërë një skanim të thellë dhe më kompleks të fenomeneve të riskut që janë shfaqur si rezultat i të gjithë analizave tona të deritanishme. Bilancet fiktive janë absolutisht një nga fenomenet kryesore, që jo vetëm shmangin pagesën e detyrimeve tatimore por reflektojnë edhe pasoja të tjera si deklarimi i pagave tejet të ulëta, në raport me referencën e tregut të punës duke sjellë deformime të shumëfishta në treg”, u shpreh ministri.

Banka Qendrore
Guvernatori Sejko tha se Banka e Shqipërisë ka vlerësuar me seriozitet dhe ka mbështetur në vazhdimësi nismat e ndërmarra për rritjen e formalizimit të ekonomisë. “Plani kombëtar për reduktimin e kredive me probleme përcaktoi vendosjen e kriterit rregullativ, si një detyrë të rëndësishme për Bankën e Shqipërisë, që duke filluar nga viti 2018 veprimtaria e kredidhënies të mbështetet vetëm në deklaratat tatimore. Banka e Shqipërisë e ka trajtuar edhe më parë këtë dukuri nga pikëpamja rregullative, por duke u kufizuar vetëm tek kredimarrësit e mëdhenj të bankave. Koordinimi i veprimeve me organet qeveritare dhe veprimet e përshtatshme të ndërmarra, kanë krijuar hapësirën e nevojshme për ta thelluar këtë masë rregullative në një bazë më të gjerë kredimarrësish”, u shpreh Sejko. Sipas tij, “aktiviteti informal imponon kosto të hapura dhe kosto të fshehura për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare”. 
Sigal