Shtohen KZAZ-të në Durrës, nga 4 që ishin, bëhen 7

743
Sigal

ZGJEDHJET/ Katër zona do të kontrollohen nga Partia Socialiste dhe tre nga Partia Demokratike

Në territorin e Qarkut të Durrësit do të funksionojnë shtatë zona të administrimit të zgjedhjeve, gjë që do të thotë se, në bazë të shortit të hedhur për drejtimin e tyre, katër do të kontrollohen nga Partia Socialiste dhe tre nga Partia Demokratike. Në zgjedhjet e fundit, ato të vitit 2009, Qarku i Durrësit kishte katër zona të administrimit të zgjedhjeve dhe njësitë vendore, bashkitë dhe komunat, ishin të grupuara në këto katër zona. Bashkia e Durrësit, për shkak të madhësisë së saj, përfaqësonte një zonë të vetme të administrimit të zgjedhjeve. Tani, pas shtimit të numrit të zonave të administrimit të zgjedhjeve, territori i Qarkut të Durrësit është i ndarë në shtatë të tilla. Sipas informacionit të marrë, shtimi erdhi pikërisht për shkak të Bashkisë së Durrësit, për shkak të numrit të madh të zgjedhësve që ajo ka. Tani, territori i Bashkisë së Durrësit është i ndarë në tre zona të administrimit të zgjedhjeve. Bashkia e Durrësit ka përafërsisht 159 000 zgjedhës dhe një zonë e administrimit të zgjedhjeve do të ketë rreth 50 000 zgjedhës.

Vendimi për shtimin e numrit të zonave të administrimit të zgjedhjeve

I gjithë territori i vendit ndahet në zona të administrimit të zgjedhjeve, të cilat kanë nga një komision që kryen të gjitha procedurat e nevojshme që lidhen procesin zgjedhor. Por, ajo që në të kaluarën ka rezultuar pak me probleme ka qenë procesi i numërimit të votave, i cili ka qenë i ngadalshëm. Gjatë zgjedhjeve të vitit 2009, vendi kishte 66 zona të administrimit të zgjedhjeve që, automatikisht, do të thotë se ishin 66 vende të numërimit të votave. Për të përshpejtuar procesin e numërimit të votave, me qëllim që i gjithë procesi zgjedhor të zhvillohet më shpejt, më mirë e më rrjedhshëm, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori në shqyrtim vendimin për shtimin e numrit të zonave të administrimit zgjedhor. Versioni i parë ishte që ky numër të bëhej 100, por shumica e cilësuar që kërkohet për marrjen e këtij vendimi nuk u arrit. Vendimmarrja i kaloi Kolegjit Zgjedhor që, pas dëgjimit të mendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të përfaqësuesve të forcave politike, vendosi që, përfundimisht, numri i zonave të administrimit të zgjedhjeve të jetë 89.

Risitë teknike të zgjedhjeve të këtij viti

Përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të këtij viti kanë nisur shumë më herët se sa nisnin gjatë zgjedhjeve të kaluara. Numri i qendrave të votimit pritet të rezultojë më i madh se ai në të kaluarën, pasi nuk do të ketë më shumë se 1 000 zgjedhës për një qendër votimi. Në të njëjtën kohë, shtimi i numrit të zonave të administrimit të zgjedhjeve do të sjellë më shumë vende të numërimit të votave dhe proces më të shpejtë të nxjerrjes përfundimtare të rezultateve. Sa i përket Qarkut të Durrësit, numri i zonave të administrimit të zgjedhjeve është bërë shtatë, nga katër që ishte.

Si formohen komisionet e Zonave të Administrimit të Zgjedhjeve

Komisionet e zonave të administrimit të zgjedhjeve zgjidhen në bazë të një formule të përcaktuar në Kodin Zgjedhor, formulë, e cila lidhet  me nivelin e përfaqësimit të partive politike në Kuvendin e Shqipërisë. Bazuar pikërisht në këtë formulë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e datës 7 janar, përcaktoi përbërjen e komisioneve të zonave të administrimit të zgjedhjeve. Këto komisione kanë shtatë anëtarë dhe përbërja realizohet sipas kësaj formule:

–          dy anëtarë të propozuar nga Partia Demokratike

–          dy anëtarë të propozuar nga Partia Socialiste

–          një anëtar i propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim

–          një anëtar i propozuar nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut

Ndërkohë, me short, caktohet se, cila nga dy partitë politike – partia kryesore e maxhorancës dhe partia kryesore e opozitës – do të ketë të drejtën të përfaqësohet me anëtarin e shtatë, gjë që sjell edhe drejtimin e një komisioni të zonës së administrimit zgjedhor. Në bazë të shortit, njëra prej partive fiton shumicën në komisionet me numër tek dhe tjetra në komisionet me numër çift. Në bazë të shortit të hedhur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, komisionet e zonave të administrimit zgjedhor me numër çift do të drejtohen nga Partia Demokratike dhe ato me numër tek do të drejtohen nga Partia Socialiste.

Qarku i Durrësit, Zonat e Administrimit të Zgjedhjeve

ZAZ 19 –

Bashkia Krujë                          12 543 zgjedhës

Bashkia Fushë Krujë                18 064 zgjedhës

Komuna Bubq                          6 199 zgjedhës

Komuna Cudhi                         2 245 zgjedhës

Komuna Kodër Thumanë        11 349 zgjedhës

Komuna Nikël                          6 943 zgjedhës

ZAZ 20 –

Bashkia Sukth                          18 788 zgjedhës

Komuna Ishëm                        6 187 zgjedhës

Komuna Katund i Ri                11 217 zgjedhës

ZAZ 21 –

Bashkia Manëz                        8 119 zgjedhës

Bashkia Shijak                         10 171 zgjedhës

Komuna Maminas                   5 473 zgjedhës

Komuna Gjepalaj                     4 369 zgjedhës

ZAZ 22 –

Komuna Rashbull                    20 426 zgjedhës

Komuna Xhafzotaj                   12 894 zgjedhës

ZAZ 23 –           Bashkia Durrës Zona 1            49 920 zgjedhës

ZAZ 24 –           Bashkia Durrës Zona 2            52 901 zgjedhës

ZAZ 25 –           Bashkia Durrës Zona 3            50 284 zgjedhës