“Shtimi i km të rrugëve po na vështirëson punën, duhen mjete të reja dhe fuqi punëtore”

532
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Luan Kasa drejtor i Infrastrukturës Rrugore për Qarkun e Elbasanit: Ja akset problematike

Drejtori i Infrastrukturës Rrugore pranë Drejtorisë së Shërbimit Rajonal të Qarkut Elbasan, Luan Kasa në  një intervistë për “Telegraf”, ka folur për masat që do të merren për emergjencat e dimrit. Gjithashtu, z.Kasa flet për situatën aktuale të rrugëve dhe për mjetet që Prefektura disponon. Shtimi i kilometrave të rrugës ka shtuar nevojën e mjete të reja dhe ka vështirësuar punën thotë ai. Z.Kasa flet gjithashtu dhe për segmentet më problematike, ku sipas tij, kjo për shkak përbërjes gjeologjike krijohen mjaft problem pasi toka përmban shumë ujëra nëntokësore dhe për këtë arsye është vendosur të bëhet një studim gjeologjik.

Zoti Kasa, cilat janë masat e marra për të përballuar emergjencat që lindin gjatë dimrit?

Masat janë marrë nga Drejtoria Rajonale në bashkëpunim me Drejtorinë e Mirëmbajtjes së Rrugëve Rurale. Për të përballuar situatat e emergjencave që sjellin reshjet gjatë dimrit janë mirëmbajtja në gatishmëri të plotë të mjeteve motorike, borëpastrueset, sigurimi i lëndës skorje, kripë të atashuar për rrugët në raste kur ka reshje dëbore dhe shiu, rritja e gjendjeve teknike dhe e sigurisë duke vendosur tabela sinjalistike, mbushjen e gropave me inerte, pastrim turbinash dhe kanalet kulluese anësore, veshja dhe sigurimi i rrëshqitjeve të dheut. Është bërë e mundur ndërtimi i mureve mbajtëseve,  mbajmë në inspektim të vazhdueshëm pjesëve dhe segmenteve problematikë duke i mbajtur në mbikëqyrje për të mos krijuar pengesa në qarkullim. Kemi pasur bashkëpunim të vazhdueshëm me kryetarët e njësive vendore për situatat emergjente që mund të lindin gjatë dimrit, i cili sapo ka filluar.

Cilat janë planet në të ardhmen?

Kemi plane operative paraprakisht po nën kontrollin e vazhdueshëm të volumit të punës që kryejmë duke u parapërgatitur për stinën e dimrit. Mbajtja e korrespodencës së vazhdueshme me zyrën e Emergjencës Civile të Prefekturës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencës Civile pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Situata aktuale është nën kontroll të plotë nga Drejtoria Rurale e Rrugëve si dhe nga të gjitha institucionet përkatëse të shtetit.

Cilat janë segmentet më problematike?

Ka shumë segmente, të cilat përbëjnë pengesë për lëvizjen e mjeteve, siç janë segmentet: Gjinar-Zavalinë, Kërshovë-Kërpicë, Kukur-Lenie, Qukës Bërzeshtë, Lunik-Qendër, Qendër-Dragostujë, Qendër – Qarrishtë, Stravaj-Farret, por kjo vjen si rezultat i përbërjes gjeologjike të tokës, e cila përmban shumë ujëra nëntokësore prandaj dhe ne kemi vendosur që të bëjmë një studim gjeologjik.

A janë të mjaftueshme mjetet e mirëmbajtjes së rrugëve për të përballuar situata që krijohen gjatë dimrit?

Siç dihet Qarku i Elbasanit është gjeografikisht më i madhi në republikë. Ku mbulon me rrugë rurale 650 km rrugë dhe me mjete që ne disponojmë jemi munduar që këtë rrejt ta mbajmë me kushte optimale me këto burime motorike dhe me stafin që ne kemi, por me rritjen e volumit të rrugëve siç janë segmenti Pajovë-Baldushk, Përparimaj-Vrap i Tironës, Rasë- Vlashup që lidh Qarkun e Beratit me Qarkun e Elbasanit, Tujë –Katërlis e mjaft akse të tjera lind nevoja për shtesë mjetesh dhe fuqi punëtore. Me shkrirjen e Drejtorisë së Rrugëve Nacionale na është deleguar neve që me raste të emergjencës të ndërhyjmë me mjetet tona aktuale, ku për ne janë shtuar km dhe është vështirësuar puna jonë, pasi kjo e fundit nuk ka fondet  e veta.

A keni bërë fizibilitet të rrugëve?

Po kemi bërë fizibilitetin e rrugëve dhe janë përfshirë në projektin e FZHSH për të bërë me asfalt dhe tendenca e komunave është dhe rrugët e brendshme që ato i kanë në obligim “delegacioni” i qarkut. Por udhëzimi i Ministrisë së Brendshme është që ato të merren në inventar nga qarku vetëm ato rrugë që lidhin Qarkun e Elbasanit me Qarkun tjetër që kanë një impakt zhvillimi për komunitetin.