Shtetit që i ikën populli, një ditë mund të shuhet vetë

710
Tranzicioni i tejzgjatur 25 vjeçar, torturues, masakrues, shkatërrues për jetën e shqiptarëve në aspektin ekonomik, psikologjik e të personalitetit shoqëror, i ka detyruar mijëra familje, të “ngarkojnë plaçkat” dhe të… “ikin natën” nga Shqipëria. Prej 2 muajsh sidomos, mijëra shqiptarë personalisht e familjarisht, madje në 7 prefekturat Kukës, Korçë, Elbasan, Shkodër, Peshkopi, Vlorë e Fier, po largohen edhe si fise e fshatra, duke iu drejtuar kufijve, me synimin dhe sakrificën deri njerëzore, ata janë nisur për të shkuar atje ku nuk shpërfillesh e denigrohesh si në Shqipëri. Ata janë nisur për të shkuar, atje ku nuk vidhesh me gjoba si në zyrat e shtetit shqiptar. Ata janë nisur për të shkuar, atje ku nuk zhvatesh me pagesa e nuk vdes si në shëndetësinë shqiptare. Ata janë nisur për të shkuar, atje ku nuk ngelesh “injorant” si në arsimin shqiptar. Ata janë nisur, për të shkuar, atje ku nuk vidhesh si në tatimet, doganat, ujësjellësin dhe OSHEE-nw shqiptare. Ata janë nisur për të shkuar, atje ku bizneset vendase e të huaja, nuk të shkatërrojnë shtëpitë e tokat me dinamit, ku nuk të helmojnë me gaz, ku nuk të zënë “frymën” me ndërtime pa leje. Ata janë nisur për të shkuar, atje ku nuk jetohet si në Shqipëri me ndihmë ekonomike 60 lekë në ditë. Ata janë nisur për të shkuar, atje ku nuk të lënë pa punë nëse nuk je djali, nusja, burri, motra, vëllai, vjehrri apo xhaxhai i shefit të qeverisë, ministrisë, partisë, drejtorisë! Shqiptarët po ikin për të punuar e jetuar atje ku nuk ka shtet, pushtet, qeveri, shtetarë, politikanë, polici e drejtësi si në Shqipëri! Madje këtë shtet po e braktisin edhe romët e egjiptianët, mbasi edhe atyre, shtetarët ua rrëmbyen e ua monopolizuan biznesin e kanoçeve dhe koshat e plehrave! Tre ditë më parë, në mes të Tiranës u hap një “Kënd Fletë-Rrufe” me deklarime publike të shkaqeve që po detyrojnë shqiptarët të ikin Shqipëria. Një nga shkaqet e ngulura si akt-akuzë për shtetin, ishte edhe ky: “Prej 20 vitesh i sëmurë e i papunë, shteti më jep vetëm 60 lekë të reja në muaj ndihmë ekonomike në muaj”. Ky është ligji unanim i bërë në parlament prej SHEIK-ve të politikës shqiptare, siç kanë bërë ligj edhe që pagat e tyre mujore, që t’i kenë 3 milionë lekë në muaj!
Ndihma ekonomike, lëmoshë me 1800 lekë në muaj 
Me çfarë jetojnë shqiptarët dhe familjet shqiptare, që janë pa punë e pa të ardhura? Po ata që janë invalidë? Po jetimët? Po pensionistët që kanë edhe familje të papuna në ngarkim? Po femrat dhe fëmijët e shpëtuar nga trafikimi? Po të papunët që nuk trajtohen as me ndihmë ekonomike? Janë afro 1.3 milionw shqiptarë që përfshihen në këto kategori. Vetëm me ndihmë ekonomike trajtohen 123 mijë familje e persona, ose gjithsej 893 mijë shqiptarë. Qytetari që publikoi shkakun e largimit nga Shqipëria, deklaron se shteti shqiptar i jep vetëm 1800 lekë të reja ndihmë ekonomike në muaj, ose 60 lekë të reja në ditë! Ndërsa një 18 vjeçar, që jeton vetëm i jep vetëm 900 lekë të reja në muaj, ose 30 lekë të reja në ditë! A mund të jetohet me kaq lekë në ditë?! A mund të qëndrohet në Shqipëri për të jetuar me 60 lekë në ditë që jep shteti?! Pa bërë komente, po publikojmë skemën e pagesës së ndihmës ekonomike, të cilën ministri i “Rilindjes” Erjon Veliaj vazhdon e konsideron “arritje madhështore” në mirëqenien e shqiptarëve të papunë! 
– Jepen 1900 lekë ndihmë ekonomik, për anëtarin e parë në renditjen e certifikatës familjare (kryefamiljarin). 
– Jepen 1800 lekë për bashkëshorten, kur nuk është kryefamiljare
– Jepen nga 1260 lekë pagesë në muaj, për anëtarët e tjerë të familjes të cilët janë mbi moshën 18 vjeç. 
– Jepen 900 lekë pagesë në muaj, për anëtarët e familjes që janë në moshën 18 vjeç dhe nën moshën 18 vjeç. 
– Jepen 2600 lekë në muaj, kur familja përbëhet vetëm nga 2 anëtarë pavarësisht moshës.
– Jepen 3 mijë lekë në muaj për viktimat e trafikimit dhe për viktimat e dhunës në familje (pa të ardhura). 
Ja sa “mensa supe” duhen hapur urgjent nëpër qarqe
Rrugët janë mbushur me lypsarë të të gjithë moshave. Burgjet janë të mbushur me hajdutë e grabitës me dhe pa maska që bëjnë krime në emër të varfërisë. Gjykatat kanë super volum nga divorcet prej varfërisë. Varrezat janë mbushur me të vetvrarë prej varfërisë. Qendrat sociale po mbushen me fëmijë të lënë rrugëve, nga prindër që nuk i ushqejnë dot. Sheshet e qyteteve janë mbushur me të papunë. Kjo varfëri masive, ka zbarkuar tashmë në “dyert” e bashkive e komunave të qyteteve, duke kërkuar hapjen e “mensave popullore të supës”. Në mungesë të punës, me një ndihmë ekonomike mujore sa për 1 bukë në ditë, të gjendur përballë shpërfilljes së plotë, varfëria dikton si rrugë shpëtimi ngritjen e “kazanëve të supës”, tamam si në getot e Afrikës. Të parët që kanë kërkuar ushqim mbijetese në “mensa supe popullore” janë 420 familje në Berat, 3200 familje në Tiranë, 1100 familje në Shkodër, 900 familje në Lushnjë, 550 familje në Gjirokastër, 700 familje në Korçë, 1300 familje në Dibër, 250 familje në Pukë, 800 familje në Elbasan, 1000 familje në Vlorë etj. Sipas një studimi social, aktualisht në shkallë vendi nevojiten afërsisht 500 “mensa supe”. Në Durrës, Elbasan, Korçë e Tiranë janë hapur 6 “mensa supe” nga bizneset vendase dhe bamirës të huaj, të cilat ushqejnë secila nga afro 100 fëmijë, 50 invalidë e 30 të moshuar të braktisur.
——————————————————–
Krahasim social me konsumin
– Kryefamiljari përfiton 1800 lekë në muaj (30 ditë), pra 60 lekë të reja në ditë, ose sa 75% të një buke, ose sa 250 gramë gjizë, ose sa 2 bileta urbani.
– Anëtarët e tjerë të familjes në kujdestari ligjore të kryefamiljarit, që janë mbi moshën 18 vjeç, trajtohen me 1260 lekë pagesë në muaj, pra me 42 lekë të reja në ditë, ose sa 1 bidonë ujë 10 litërsh që shitet prej furgonëve ilegalë nëpër lagjet e Tiranës. 
– Anëtarët e tjerë të familjes në kujdestari ligjore të kryefamiljarit, që janë në moshën 18 vjeç dhe nën moshën 18 vjeç, trajtohen me 900 lekë pagesë në muaj, pra me 30 lekë të reja në ditë, ose sa 1 biletë urbani. 
– Familjet e miratuara për të përfituar ndihmë ekonomike dhe që përbëhen vetëm nga 2 anëtarë pavarësisht moshës ose lidhjes së gjendjes civile, përfitojnë nga 2600 lekë në muaj, pra 86 lekë në ditë, ose 1 bukë dhe 2 bileta urbani! 
– Viktimat e trafikimit dhe viktimat e dhunës në familje, trajtohen me 3 mijë lekë në muaj, pra me 100 lekë në ditë, ose sa 1 bukë, 1 kg kripë dhe 1 lëpirëse. 
————————————————————–
Krahasimi me pagat e shtetarëve
1. Ndihma ekonomike mujore e një kryefamiljari shqiptar të papunë, është e barabartë me 1% të pagës së 1 shtetari
2. Ndihma ekonomike mujore e një 18 vjeçari nën moshën 18 vjeç është sa 0.5% e pagës së 1 shtetari.
3. Pagesa e ndihmës ekonomike mujore për 1 person viktimë e dhunës në familje, apo e trafikut është 3 mijë lekë në muaj, ose sa pagesa e larjes ditore të makinës së 1 shtetari
4. Pagesa e ndihmës ekonomike për familjet që përbëhen vetëm nga 2 anëtarë është 2600 lekë në muaj, ose sa 0.7% e pagës së 1 deputeti
5. Ndihma ekonomike ditore prej 60 lekësh të reja, që i jepet 1 kryefamiljari në Shqipëri është 4 herë më vogël, se pagesa zyrtare e pagesës së ndihmës ekonomike që jepet për të varfrit në Somali e cila është 2.4 dollarë në ditë! 
————————————————————————
Ja si jetojnë shqiptarët që duan të largohen nga Shqipëria 
1. Afro 55% të familjeve ishin me jetesë nën nivelin e varfërisë ekstreme (mjerimit). 
2. Afro 30% e familjeve jetojnë në nivelin e plotë të varfërisë zyrtare.
3. Pjesa 15% e familjeve jetojnë sa për “sigurim ushqimi” ditor. 
4. Vetëm 5% e shqiptarëve, jetojnë në luks.
5. Afro 18% e familjeve shqiptare, trajtohen me ndihmë ekonomike.
6. Afro 175 mijë familje të tjera kërkojnë të trajtohen me ndihmë ekonomike, por nuk u jepet. 
—————————————————–
Shqiptarët kanë fuqi blerëse në treg, 4 herë më e ulët se Bosnja
Shqiptarët ikin edhe për faktin, se pagat dhe pensionet që ata marrin janë shumtë ulëta, me fuqi blerësve sa për pak ditë në muaj për ushqim minimal. Pensionet përballojnë vetëm 10 ditë ushqim mbijetese për 1 person. Pagat minimale përballojnë vetëm 17 ditë ushqim për 1 person. Pagat mesatare përballojnë vetëm 15 ditë ushqim minimal për 2 persona. Ndihma ekonomike përballon vetëm 2 ditë ushqim minimal për 1 person. Për të mbajtur “frymën gjallë”, afro 20% e shqiptarëve kërkojnë ushqim mbijetese në… kazanët e plehrave. Ndërsa pagat e larta, që janë privilegj i kupolës shtetërore, dihet se sa fuqi blerëse kanë. Pa bërë komente, po paraqesim një tabelë të publikuar nga “EURO-STAT”, Agjencia e Statistikave të BE, lidhur me fuqinë blerëse të popullit në disa vende, llogaritur me vlerësimin 100 pikë maksimale, sipas mesatares së 28 vendeve të BE. 
– Luksemburgu e ka fuqinë blerëse 298 pikë, ose 199 pikë më lartë se mesatarja e BE.
– Gjermania e ka fuqinë blerëse 281 pikë, ose 181pikë më të lartë mesatarja e BE.
– Holanda, ka fuqi blerëse 134 pikë, ose 34 pikë më të lartë se kuota mesatare e BE. 
– Danimarka, ka fuqinë blerëse 125 pikë, ose 25 pikë më të lartë mesatarja e BE. 
– Irlanda e ka fuqinë blerëse 124 pikë, ose 24 pikë më të lartë se mesatarja e BE.
– Austria e ka fuqinë blerëse 122 pikë, ose 22 pikë më të lartë se mesatarja e BE.
– Italia e ka fuqinë blerëse 107 pikë, 7 pikë më të lartë se mesatarja e BE. 
– Greqia e ka fuqinë blerëse 98 pikë, pra vetëm 2 pikë më të ulët se mesatarja e BE. 
– Kroacia e ka fuqinë blerëse 71 pikë, ose 29 pikë më të ulët se mesatarja e BE. 
– Rumania e ka fuqinë blerëse 55 pikë, ose 45 pikë më të ulët se mesatarja e BE. 
– Bullgaria e ka fuqinë blerëse 43 pikë, ose 57 pikë më të ulët se mesatarja e BE.. 
– Mali i Zi e ka fuqinë blerëse 60 pikë, ose 40 pikë më të ulët se mesatarja e BE.. 
– Turqia e ka fuqinë blerëse 58 pikë, ose 42 pikë më të ulët se mesatarja e BE.. 
– Serbia e ka fuqinë blerëse 49 pikë, ose 51 pikë më të ulët se mesatarja e BE.. 
– Maqedonia e ka fuqinë blerëse 48 pikë, ose 52 pikë më të ulët se mesatarja e BE.. 
– Bosnja e ka fuqinë blerëse 48 pikë, ose 52 pikë më të ulët se mesatarja e BE.. 
– SHQIPËRIA e ka fuqinë blerëse 12 pikë, ose 88 pikë më të vogël se mesatarja e BE dhe 4 herë më të ulët se Bosnja. 
————————————-
Ja disa fakte të tjera sociale-ekonomike
– Në Shqipëri, 95% e krimeve në familje bëhen për shkaqe sociale e varfërie. 
– Në Shqipëri, 70% e krimeve publike, janë me tregues prostitucionin, rrëmbimet, peng-marrjet, dhunimin, mashtrimet, grabitjet dhe vrasjet për bukën e gojës! 
– Në Shqipëri, afro 80% të pasurive kombëtare i zotërojnë njerëzit e pushtet-familjes kryeministrore. 
– Në Shqipëri, financat kombëtare i zotërojnë vetëm 5% e popullsisë (njerëz të pushtetit). 
– Në Shqipëri, 38% e popullsisë është në emigracion ekonomik, për shkak të falimentit të punës dhe nivelit të ulët të jetesës. 
– Në Shqipëri, 30% e të rinjve kanë mbi 10-15 vjet të papunë. 
– Në Shqipëri, prej 20 vjetësh vazhdon të mbahet në “karantinë” të ashpër ndërkombëtare, madje deri tek “buka e gojës”.
– Në Shqipëri, vetvriten çdo vit 50 kryefamiljarë për shkak të varfërisë ekonomike. 
– Në Shqipëri, çdo vit dhunohen 350 femrat për shkaqe të dhunës në familje prej varfërisë ekstreme.
– Në Shqipëri, që prej vitit 8890 janë bërë 6200 divorce, me motiv varfërinë. 
– Në Shqipëri, pensionet mujore minimale në qytet janë 120 dollarë ose sa 1 larje makine shtetari, ndërsa pensionet minimale mujore në fshat janë 80 dollarë.
– Në Shqipëri, 45% e shqiptarëve nuk trajtohen dot me shërbim mjekësor, mbasi prej varfërisë nuk përballojnë koston e këtij shërbimi.
– Në Shqipëri, për shkak të varfërisë bëhen çdo vit afro 12 mijë krime sociale si vrasje, trafik droge, grabitje, vjedhje, përdhunime, vetëvrasje, peng-marrje, prostitucion i organizuar etj. 
————————————————–
Ja si jeton një shqiptar, me 60 lekë ndihmë ekonomike në ditë
– Me 4 lekë bukë
– Me 4 lekë vaj
– Me 4 lekë makarona
– Me 4 lekë oriz
– Me 4 lekë sheqer
– Me 4 lekë kripë
– Me 4 lekë fasule
– Me 4 lekë perime 
– Me 3 lekë sapun
– Me 3 lekë veshje
– Me 3 lekë udhëtim
– Me 2 lekë energji
– Me 2 lekë mish
– Me 2 lekë ujë
– Me 2 lekë fruta
– Me 2 lekë kafe
– Me 2 lekë detergjent
– Me 1 lekë ngrohje
– Me 1 lekë mjekësi
– Me 1 lekë telefon
– Me 1 lekë fatkeqësi
– Me 1 lekë gëzime 
– Me 1 lekë fatkeqësi
– Me 1 lekë “kursim”
————————————
Forca e aftë për punë por e pa punë (Janar-dhjetor 2014)
– Janë 267 mijë e 480 të rinj të aftë për punë, të moshës 16-20 vjeç. 
– Janë 248 mijë e 548 të rinj të aftë për punë, të moshës 21-30 vjeç. 
– Janë 488 mijë e 123 të rinj të aftë për punë, të moshës 31-35 vjeç. 
– Janë 352 mijë e 211 persona të aftë për punë, të moshës 36-45 vjeç. 
– Janë 332 mijë e 128 persona të aftë për punë, të moshës 46-55 vjeç
– Janë 128 mijë e 345 persona të aftë për punë, të moshës 56-65 vjeç. 
– Afro 52% e numrit total të kësaj force pune të pa punë, janë femra!
Sigal