Shteti shqiptar “i verbër” ndaj biznesit të “vëllait turk”

115

Shkelja e vazhdueshme e legjislacionit shqiptar nga kompania Albtelekom

Drejtuesit e Albtelekom edhe pse kanë vite që operojnë në tregun shqiptar, ende nuk kanë mundur të njohin dhe të respektojnë legjislacionin shqiptar, duke e shkelur shpesh dhe brutalisht atë. Dje në emisionin e mëngjesit të Bashkim Hoxhës “Koha për t’u zgjuar” në News 24, një nga punonjësit e Albtelekom u ankua për mosmarrjen e përfitimeve të tyre si aksionerë.

 Shkelja e ligjit për konsumatorin

Mjafton të përmendim këtu gjobitjen e Albtelekom prej 1 milion dollarësh për shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e konsumatorit” nga Ministria e Ekonomisë. METE ka konstatuar se, operatori Albtelecom është përsëritës në praktikat e tij antiligjore në dëm të konsumatorëve shqiptarë, duke shkelur ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, i cili në pikën 3 dhe 4 të nenit 40 parashikojnë: “faturat për shërbimet e telekomunikacionit, shpërndarë konsumatorit, duhet të përmbajnë informacion të plotë për listën e numrave të telefonave të thirrur, kohën dhe zgjatjen e telefonatave të bëra, numrin e impulseve dhe çmimin total për periudhën e caktuar”, si dhe “faturat e paraqitura konsumatorit, duhet t’i japin atij mundësinë për të verifikuar me përpikmëri llogaritjen e shitjes ose shërbimit të siguruar në një periudhë të caktuar”. Ndërkohë që, përveç telefonisë fikse, abuzime ka dhe në shërbimin e ofruar për internetin. Ligji parashikon që në rastin e një ftese për blerje, siç është ai i ofrimit të shërbimit të internetit, konsiderohet si element thelbësor çmimi, i cili është çmimi përfundimtar i mallit, përfshirë edhe TVSH-në dhe të gjitha taksat e tjera. Albtelecom, në kundërshtim me këtë ligj, ka fshehur vlerën e TVSH-së në tarifat e ofruara për shërbimin e internetit.

Shkelja e ligjit për të drejtën e informimit

Drejtuesit e Albtelekom mesa duket nuk e njohin këtë ligj. Ndaj ne si media duhet të bëjmë detyrën dhe të informojmë drejtuesit e Albtelekom. E drejta e informimit është një nga të drejtat themelore të njeriut e shprehur dhe e garantuar në  Kushtetutë. E drejta për informim materializohet me Ligjin nr.8503. 30.6. 1999 “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare” Sipas këtij ligji, çdo person ka drejtë të kërkojë informacione për dokumentet zyrtare… Autoriteti publik është i detyruar të japë çdo informacion… përveç rasteve kur me ligj parashikohet ndryshe. Media është një nga një nga sektorët më të prekur nga zbatimi i së drejtës së informimit, ku aksesi në dokumentacione është shumë i rëndësishëm për informimin e gazetarëve dhe vërtetësinë e artikullit, apo materialeve të tyre.

Shkelja e ligjit për të drejtat e njeriut (punonjësit)

Punonjësit e Albtelekomit punojnë rreth 6 km larg qendrës, ku ishin më parë. Sigurisht, kushte më të mira pune kanë, por ka disa elementë që të bëjnë të hedhësh dritë: E para, janë larg familjes dhe fëmijëve në shkollë, kopshte, çerdhe etj. dhe nuk i del koha e pushimit për të kontrolluar. E dyta, janë të survejuar jashtë çdo të drejte privatësie nga kamerat në çdo vend pune. Presioni psikologjik i ushtruar dhe të vëzhguar, të duket se i kalon caqet e sigurisë. Vëzhgimi mund të bëhet rreth godinës nga jashtë dhe atje ku është arshiva, ose llogaria bankare, të tjerat jo. Kjo është shkelje.

 Punonjësit s’morën shpërblimin për “suksesin e privatizimit”, sipas ligjit

 Punonjësit nuk morën as dhe një qindarkë, ndonëse ligji shprehet shumë qartë se: “Punonjësit nga suksesi i privatizimit përfitojnë nga 1 deri në 12 paga mujore fitim. Komenti është i tepërt. Përplasjet dhe ecejaket e punonjësve shkuan më kot. Megjithëse kanë kaluar disa vite, ata nuk morën asgjë. Shifra e shpërblimit nuk i kalon 3 mln euro

 Mosmarrja e përfitimeve si aksionerë të punonjësve

Rreth 8000 punonjës ende nuk kanë marrë përfitimet e tyre si aksionerë. Atyre u takon 3 % e aksioneve, por asnjëherë nuk janë shpërblyer, veçse nëse kompania del me humbje dhe nëse është kështu atëherë kjo kompani duhet të shpallë falimentin.

 Albtelekom, lidhje mafioze në biznesin e saj

 Jehona e arrestimit në Turqi e drejtorit të kompanisë Limak&Çalik, Nihat Özdemir, trondit të gjitha bizneset respektive të këtyre dy kompanive, të kompanisë “Çalik” dhe asaj Limak. Kompania “Çalik” ka shtrirë veprimtarinë e saj në Shqipëri me Albtelekomin, Eagle Mobile dhe BKT. Sipas  Gazetës turke Hurriyet, Özdemir është akuzuar, për “krijimin e një organizate kriminale”, për mashtrim, falsifikim të dokumenteve zyrtare, kërcënime dhe përvetësimin e aseteve të fituara me aktivitete kriminale vë në dyshim të gjithë aktivitetin e kompanisë “Çalik”, që gjithashtu ka dhe një suport të madh politik. Sipas një medie në Kosovë, Erdogan, në Turqi është akuzuar nga partia më e madhe opozitare për keqpërdorim të autoritetit të tij si Kryeministër për dobi të kompanisë “Çalik”, ku kryesues është miku i tij Ahmet Çalik dhe Kryeshef Ekzekutiv i korporatës është dhëndri i tij Berat Albayrak. Lidhjet me politikën dhe me organizata të dyshimta e kanë bërë kompaninë “Çalik” një investitor të fuqishëm të cilit nuk mund t’i thuhet “jo”. Të paktën nuk i tha “Jo” qeveria shqiptare kur ia “fali”, praktikisht, Albtelekom-in, kompanisë “Çalik”. Kjo kompani, mesa duket, e ka fituar davanë me qeverinë shqiptare, e cila hesht ndaj zhvatjes që i bëhet qytetarëve shqiptarë dhe dhunimit psikologjik të punonjësve të vet, të cilët janë po qytetarët shqiptarë. Ndërsa Turqia po na tregon sesi vepron një shtet ligjor, ka ardhur koha që dhe shteti ynë të vërë në dyshim dhe të hetojë të gjitha bizneset e “Çalik” në Shqipëri. Ndërsa nga ana e saj, “Albtelekom” ka përgënjeshtruar të gjitha akuzat e ngritura nga mediat turke, mbetet që organet e hetimit të bëjnë punën e tyre.