Shteti shet çdo muaj 3 milionë euro mallra të sekuestruar, po ato mallra i blen me 12 milionë euro me tendera

600
Përparim HALILI
Skandalet me financat kombëtare nuk kanë fund, madje po gjejnë hapësira të mëdha e të shumta në zyrat e shtetit. Dje, erdhi në “Telegraf” një informacion që konfirmon abuzimin shtetëror që ndodh me mallrat e sekuestruara nga shteti prej krimit të çdo lloji dhe prej abuzimit me mos-zbatimin e ligjit për administrimin e mallrave në treg. Bëhet fjalë për bllokime mallrash nga policia tatimore, policia e anti-krimit dhe nga prokuroria, të cilat i nënshtrohen trajtimit gjyqësor. Sipas ligjit, këto mallra magazinohen në qendrat e ruajtjes së rezervave materiale të shtetit, deri në përfundim të gjykimit. Po çfarë ndodh? Mallrat e sekuestruar me vendim të formës së prerë, të cilat janë të çdo kategorie nxirren në shitje me ankand prej drejtorive rajonale të Rezervave të Shtetit ku janë të magazinuara. Nuk e kemi fjalën për procedurat e shpalljes së shitjes së tyre më ankand, as për realizimin ankandit, përkundrazi kemi konstatuar që drejtuesit e rajonalë të rezervave të shtetit, kanë zbatuar ligjin me korrektesë. Por fjalën e kemi për një absurditet që e urdhëron shteti në lidhje me “modelin” e shitjes së këtyre mallrave të sekuestruara, 30% e të cilave janë automjete e makineri që kushtojnë miliarda lekë! Sipas informacionit që ka ardhur në “Telegraf”, rezulton se mallrat sekuestrohen me çmim tregu, por shiten me 5% e deri me 10% të çmimit të tregut. Nuk i shesin me këto çmime, drejtoritë e Rezervave Rajonale të Shtetit në Tiranë, Elbasan, Durrës, Korçë, Vlorë, Mat e Pukë e as Drejtoria e përgjithshme, përkundrazi ato zbatojnë standardet e përcaktuara sipas ligjit edhe kur nxjerrin në shitje një fije shkrepëse. Skandalin e krijon ligji në fuqi, që “ul vlerën” e mallrave të sekuestruara në shitjen në ankand, deri në 3-5 e 10 herë në raport me vlerën reale që ka malli i sekuestruar! Çfarë ndodh? Në çdo shpallje javore të “Buletini i Prokurimit Publik”, 7 drejtoritë rajonale të Rezervave të Shtetit njoftojnë nxjerrje mallrash në ankand, që nga kancelaritë, produktet ushqimore, veshjet e deri tek automjetet dhe makineritë! Publikojnë edhe çmimet fillestare të ankandeve e pas tyre edhe çmimet e shitjes! Këtu qëndron skandali. Këto mallra të tjetërsuara sipas ligjit në pasuri shtetërore që shiten në ankand, blihen përsëri nga shteti me tender, prej firmave private dhe individëve që i kanë blerë prej shtetit, por me çmime deri 10-20 herë më tepër se sa i kanë blerë në ankandet e zhvilluara prej rezervave të shtetit, madje edhe mallra, makineri e produkte që nuk amortizohen e që nuk kalojnë afatet e skadencës. Çudia nuk është tek çmimet që bëjnë një xhiro fiktive me ligj e VKM, por tek një absurd tjetër. Shteti shet mallra, të cilat, të sekuestruara e të tjetërsuara në pronësi të vet ligjore, por ato ua shet privatëve me “1 lekë” dhe ua blen me tender me “5-7 e 10 lekë” po këto mallra, për të cilat ka nevojë t’i përdorë në shërbimet veta! Sipas llogarive që bëjnë ekspertët, prej 7 drejtorive rajonale të Rezervave Materiale të Shtetit, në zbatim të ligjit dhe me shumë korrektesë prej tyre, në çdo muaj shiten 3 milionë euro mallra me ankand. Por pas shitjes prej shtetit, këto mallra blihen po prej shtetit me vlerë 12 milionë euro prej atyre që i kanë blerë! Pyetja është e thjeshtë: Përse shteti shet mallra të sekuestruara që i nevojiten për shërbimet veta dhe pas 1 jave, muaji e 3 muajve i blen përsëri me çmime disa herë më… të larta?! 
Sigal