Shteti paguan 190 roje sigurie në det, por ata punojnë si shpërndarës çadrash në plazhe dhe roje sigurie në pishinat private

583
Sezoni i plazhit, i cili tashmë është në “pikun” e tij për nga numri i pushuesve, ka një mangësi që po “ha” jetë të shumta njerëzish! Përveç pisllëkut, plehrave që nuk hiqen, shkarkimit të ujërave të zeza, mungesës së tualeteve, mungesës së ekipeve të ndihmës së shpejtë mjekësore lëvizëse, pushtimit të hapësirave të rërës sipërfaqe publike, mungon edhe struktura e sigurisë në det. Pushuesit futen në det, pa pasur përballë as një “vijë kufiri”, as ekipe sigurie që t’i ndalojnë për të mos notuar në distanca të largëta, apo kur deti ka dallgëzim. E përveç këtyre, nuk la as roje detare për t’i vrojtuar e shpëtuar në rast rreziku nga mbytja! Ditën e premte, në Vlorë u mbyt një 14 vjeçar i cili edhe pse kërkoi ndihmë për disa minuta, në det nuk kishte roje detare që ta shpëtonin! Po atë ditë, po në Vlorë, u mbytën dy vajza për shkak se nuk kishin ndihmë e po kështu bashkë me to u mbyt edhe një pushues që tentoi të bënte rolin e rojes detare! Në çdo 2 ditë, njoftohet se në plazhet shqiptare nga veriu në jug, mbyten pushues dhe askush nuk jep llogari, se përse në vijën detare ku pushojnë mijëra njerëz, nuk ka roje detare, ekipe sigurie e grupe shpëtimi në raste rreziku për mbytje! Nga kontakti ynë, me disa kryetarë bashkie në zonat bregdetare, konstatuam këtë skandal: Bashkitë nuk kanë asnjë kompetencë për administrimin e plazheve, përveç pastrimit të mbeturinave! Gjithë plazhet e vijës bregdetare si aktivitet, administrohen nga Ministria e Ekonomisë dhe Turizmit, me urdhër të ministres Milva Ekonomi e cila në shkelje të ligjit, ka spostuar jo vetëm pushtetin lokal, por edhe Drejtorinë e Monitorimit të Bregdetit, duke i lidhur vetë kontratat me subjektet private. Për këtë sezon plazhi, janë paguar 10 milionë lekë të reja, për të vendosur e 100 kulla vrojtimi në plazhe, por realisht, ka vetëm 15 të tilla nga veriu në jug. Plazhi është jashtë “syrit” të vrojtimit dhe sigurisë për jetën e plazhistëve. Ministrja Milva Ekonomi i ka dhënë lejet për zënien e sipërfaqeve të rërës, ajo cakton rojet detare, ajo vjel të ardhurat e çadrave, ajo cakton taksat qendrore të sezonit! Por edhe pse ka marrë në dorë administrimin e plazheve, kjo ministri nuk po i monitoron, nuk po i kontrollon dhe nuk po i administron problematikat që kanë plazhet dhe pushuesit, duke mos siguruara as jetën e pushuesve! Sipas informacionit, kjo ministri ka punësuar për këtë sezon 190 “roje deti” në gjithë plazhet e vijës bregdetare shqiptare. Por mes pushuesve në det, nuk shikon asnjë! Përse? Sipas informacionit, ata paguhen nga shteti për të ruajtur jetën e pushuesve, por shërbejnë privatisht si pjekës misrash, sekserë dhomash plazhi, taksistë, shitës ambulant dhe shpërndarës çadrash e shezlonesh, të firmave që kanë marrë në përdorim sipërfaqen e rërës. Ose siç thuhet nga nuk paraqiten fare në punë në det, mbasi shërbejnë si roje të pishinave të resorteve private! Ministres së Ekonomisë e Turizmit dhe kryeministrit, i kanë shkuar shumë “letra” për këtë shqetësim të madh me kosto shumë jetë të humbura njerëzish, por prej tyre nuk ka as përgjigje, as ndryshim të situatës!
Sigal