Shteti nis kryqëzimin e bizneseve gjermane

162
Kompanitë gjermane japin alarmin, segmentet të caktuara dhe mafia po largojnë investitorët gjermanë
Konkurrenca e pandershme/ Mbi hetimin e thelluar të Autoritetit të Konkurrencës dhe propozimin për marrjen e masave ekstreme ndëshkuese ndaj shoqërisë gjermane EMS Shipping & Trading Gmbh që mund të rezultojnë në mbylljen e aktivitetit dhe largimin e investitorit.
Kompanitë gjermane japin alarmin se struktura të shtetit shqiptar që ushtrojnë aktivitetin në Portin e Durrësit nëpërmjet Autoritetit të Konkurrencës me veprimet e tyre po kërkojnë largimin e kompanive gjermane, të cilat kanë fituar koncesionet dhe kanë bërë investimet në përputhje të plotë me planë biznesin e miratuar nga shteti shqiptar. Kompania gjermane EMS Albanian Port Operator SHPK me administrator Manfred Muller jep alarmin dhe ngre shqetësimin pranë strukturave më të larta të shtetit shqiptar duke filluar nga Kryeministri Rama, Kreut të Kuvendit Ruçi, Erion Braçe Kryetar i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Ulsi Manja Kryetar i Komisionit Për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Damian Gjiknuri Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. E njëjta shkresë me argumentet e shkeljeve të institucioneve shtetërore, dhunës ndaj kompanisë gjermane, shkeljes së marrëveshjes koncesionare të firmosur mes shtetit shqiptar dhe EMS Albanian Port Operator SHPK, futjes së kompanive të tjera brenda objekti dhe territorit ku ushtron aktivitetin kompania e licencuar si koncesionare për këtë shërbim. Është njëlloj sikur kompanisë që ka fituar koncesionin e aeroportit të Rinasit t’i thuash, që ti mbaje koncesionin, por në aeroport do ulen edhe avionë të kompanive të tjera, të cilët do ushtrojnë aktivitet pavarësisht se kontratën e menaxhimit e ka kompania aktuale. Pra shteti jep një koncesion, kompanitë bëjnë llogaritë dhe bilancet paraprake dhe futen në tender. Në mes të kontratës, shteti ndërhyn dhe ia prishë të gjitha bilancet dhe kjo bën që firma që ka fituar koncesionin ose të largohet ose të falimentojë. E vetmja që nuk e kupton këtë shkelje të rëndë dhe abuziviste kundër kompanisë gjermane është Juliana Latifi, Kryetare Autoriteti i Konkurrencës. Nëse Autoriteti i Konkurrencës duhet të ndërhyje, le të shkojë dhe bllokojë kompanitë e naftës që përmbytën shtëpitë, helmuan tokat, prodhimet bujqësore dhe ujin. Por nuk shkon dhe arsyet i di mirë znj. Latifi dhe paraardhësi i saj. Ka edhe qindra raste të tjera dhe për këtë mjafton monopoli tek sigurimet shoqërore, bashkimin e kompanive të sigurimeve të detyrueshme, koncesionet dhe tenderët pa konkurrent etj, për të cilat Telegraf do t’i bëjë prezent edhe në ditët në vijim. Për ta kuptuar qytetarët e zakonshëm se sa gabim po vepron Autoriteti i Konkurrencës nëpërmjet raportit të tij kundër kompanisë koncesionare gjermane EMS Albanian Port Operator SHPK po japim një shembull më të thjeshtë. Po supozojmë se shteti apo një “x” bashki i ka dhënë një firme një linjë autobusësh urban nga Kombinati në Kinostudio. Firma bën një plan biznesi dhe thotë se unë do përdor 10 autobusë, dhe do i shërbej 100 qytetarëve. Mbi bazën e këtij plani biznesi firma nxjerr edhe koston, shpenzimet, detyrimet ndaj shtetit, investimet tek stacionet, blerjen e autobusëve, ofiçinat dhe sigurisht edhe fitimin e vet dhe mbi këto të dhëna jep një çmim, i cili e shpall fitues. Kontrata do jetë për 10 vjet dhe fitimi e shpenzimet e përmendura do të shtrihen brenda këtij afati. Pas 5 vjetësh i teket shtetit apo bashkisë dhe i thotë dy firmave të tjera, që fusni dhe Ju nga 5 autobusë në këtë linjë. Në këtë moment koncesioni nuk ka rrugë tjetër veçse të falimentojë, se udhëtarët që do paguajnë biletën ndahen në tre pjesë dhe bilanci, të cilin shteti vetë ia miratoi firmës së parë fituese bie dhe kjo kompani del jashtë loje. Ka edhe më keq kur bandat dhe mafia i dalin autobusëve të linjës që e fitoi e para dhe i rrahin, i djegin mjetet etj. Identikë është edhe rasti i firmës që në Portin e Durrësit EMS Albanian Port Operator SHPK ka fituar, ka bërë investime dhe tashmë atje futen edhe ca kompani të tjera me qëllimin djallëzor për ta falimentuar. Pikërisht kjo ishte arsyeja që kompania e shtetit gjerman që ligjin e konsideron të shtrenjtë i ka dërguar ankimimin dhe ka vënë në dijeni veç strukturave të shtetit gjerman dhe organizmave të BE edhe znj. Susanne Schűtz Ambasadore e Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Znj. Romana Vlahutin Ambasadore e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri. Në këtë ankesë kompania gjermane shpreh shqetësimin në lidhje me abuzivizmin e shprehur në “Raportin e Hetimit të Thelluar të grupit të inspektimit të Autoritetit të Konkurrencës” dhe kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve më të larta shtetërore dhe ndërkombëtare në Tiranë në drejtim të monitorimit të sjelljes së Autoritetit të Konkurrencës për të parandaluar një vendim të paragjykuar, i cili do të ishte me pasoja për EMS, por edhe më tej për klimën e investimeve në Shqipëri. Mjafton fakti që ky dëm që po i shkaktohet kompanisë gjermane do jetë me pasoja të rënda midis dy shteteve dhe Shqipëria do të përfundojë në arbitrazh ku dënimi dhe gjobat do të jenë të paparashikueshme. 
Ja relacioni i plotë që kompania koncesionare gjermane EMS Albanian Port Operator SHPK bëri publike nëpërmjet administratorit të saj Manfred Muller: 
Lënda: Mbi hetimin e thelluar të Autoritetit të Konkurrencës dhe propozimin për marrjen e masave ekstreme ndëshkuese ndaj shoqërisë gjermane Smaja që mund të rezultojnë në mbylljen e aktivitetit dhe largimin e investitorit. 
I nderuar Zoti Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë,
Të nderuar zotërinj Kryetarë të Komisioneve Parlamentare,
EMS Albanian Port Operator Shpk, nëpërmjet kësaj shkrese kërkon të adresojë pranë jush një situate tepër të rëndë ku Autoriteti i Konkurencës në mënyrë të hapur njëanshme po tenton ndryshimin e kushteve substanciale të kontratës koncensionere me qëllimin e vetëm favorizimin e shoqërive të tjera që operojnë në Portin e Durrësit. 
Konkretisht, EMS Shipping & Trading Gmbh ka marrë më koncesion menaxhimin, operimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin teknik të Terminalit Lindor të Portit të Durrësit. Kontrata me autoritetin kontraktues, Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës (në cilësinë e titullarit të Administratës Detare) është nënshkruar në datë 6 Maj 2013, kohë në të cilën është bërë dhe dorëzimi i inventarit nga Autoriteti Portual Durrës (APD) te shoqëria e projektit, EMS Albanian Port Operator SHPK (“EMS” ose “Koncesionari”) e krijuar për këtë qëllim. 
Koncesionari nëpërmjet Kontratës së Koncesionit të lidhur, ka fituar të drejtat për:
– Menaxhimin, operimin, mirëmbajtjen, përmirësimin teknik për një kohëzgjatje prej 35 vjetësh;
– Operimin e terminalit në drejtim të ngarkim-shkarkimit, depozitimit, magazinimit, lëvizjeve, transportit të mallrave rifuxho, mineraleve, qymyrit etj, dhe mallrave të përgjithshme/gjeneral.

Ndërkohë, ka marrë përsipër edhe detyrimet përkatëse për:
– Investime në vlerën 15 milionë Euro për të gjithë periudhën koncesionare prej 35 vjetësh për përmirësimin teknik, në infrastrukturë (i pakthyeshëm) dhe në mjete për të përmirësuar, jo vetëm pozitën konkurruese të Portit të Durrësit, por edhe cilësinë e shërbimeve ndaj përdoruesve të portit në përputhje me praktikat më të mira Evropiane. Detyrime këto të cilat kanë filluar të implementohen që nga dita e parë e marrjes në dorëzim të Terminalit Lindor dhe sot këto investimet kanë arritur deri në masën 30%. 
Me dhënien me Koncesion të Terminalit Lindor të Portit të Durrësit në përputhje me ligjin Nr. 9130 datë 8.9.2003 “Për Autoritetin Portual” dhe Master Planin e miratuar nga Qeveria Shqiptare me VKM nr. 546 date 28.05.2009, Porti i Durrësit tashmë ka kaluar nga modeli Tool Port (administrim shtetëror) në Landlord Port (administrim privat), me fjalë të tjera kjo nënkupton delegimin e të drejtave për administrimin e infrastrukturës dhe pajisjeve përkatëse nga Porti (shteti) tek subjektet private. Menaxhimi i Terminalit Lindor është rasti konkret që në përputhje me Ligjin për Autoritetin Portual dhe Master në Planin e zhvillimit të Portit i ka kaluar subjektit EMS APO shpk. Koncesionari EMS APO edhe pse po ushtron dhe plotëson të drejtat dhe detyrimet, po përballet me situata të cilat po e vendosin në vështirësi vazhdimësinë e koncesionit si pasojë e veprimeve arbitrare të ndërmarra në mënyrë të vazhduar si nga shoqëritë stivadore që veprojnë në port ashtu edhe nga institucione shtetërore si Ministria përgjegjëse për Transportin, APD dhe Autoriteti i Konkurrencës. Koncesionari duke ushtruar të drejtën që rrjedh nga Kontrata e Koncesionit e lidhur me Shtetin Shqiptar për përpunimin e mallrave në Terminalin Lindor, ofron edhe shërbimin e ngarkim-shkarkimit (stivadore). Në Portin e Durrësit, aktualisht, që nga Maji 2015, e drejta për të ofruar një shërbim të tillë, ofrohet edhe nga dy kompani të tjera të cilat referuar kuadrit ligjor shqiptar, konkretisht Kodit Detar, neni 82, janë të licencuara në kundërshtim të plotë dhe flagrante me ligjin e sipërcituar, i cili shpreh qartë se Autoriteti i ngarkuar nga ligji për licencimin e kompanive që ofrojnë një shërbim të tillë është Administrata Detare dhe jo Autoriteti Portual siç ka ndodhur në rastet konkrete. APD nënshkruan kontrata 10 vjeçare për shërbimet e ngarkim/shkarkimit, pa e pasur ligjërisht këtë të drejtë, pa Konkurs dhe për më tepër në kontratat e reja përfshihet e drejta e kompanive stivadore te ushtrojnë aktivitetin në Terminalin Lindor, pa marrë parasysh që administrimi, menaxhimi dhe operimi i Terminalit tashmë që prej 2 vjetësh i ishte dhënë me koncesion një kompanie private të cilës, APD i ka transferuar të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë. Pavarësisht këtij fakti, këto shoqëri, edhe nëse do të përfitonin kontratën licencë brenda kritereve të parashikuara në ligj, mund të operojnë në zonën e terminalit perëndimor, me të njëjtat kushte teknike, ku regjimi menaxhues është ende sipas fazës së tool port (Administrim shtetëror) që parashikon ligji për autoritetin portual dhe Master Plani i Zhvillimit të Portit. Por, pavarësisht kësaj mundësie që aktualisht po e shfrytëzojnë, në shkelje të ligjit, ato kërkojnë me insistim të kryejnë shërbime stivadore edhe në Terminalin Lindor pa respektuar të drejtat që rrjedhin nga kontrata e koncesionit në të cilën EMS APO shpk është subjekti që ka tagra të plota për kryerjen e këtyre shërbimeve vetë apo nëpërmjet nënkontraktorëve të licencuar në Terminalin Lindor (zona e koncesionit) në përputhje me kushtet e Koncesionit dhe Librin e miratuar të Tarifave të APD. Për arritjen e këtij qëllimi, këto shoqëri stivadore kanë ushtruar deri dhunë dhe kanë cenuar të drejtat që na rrjedhin nga Koncesioni në administrimin e territorit të Terminalit Lindor. Kjo dhunë ka arritur një përshkallëzim të atillë që, Administratori në këto kushte, ka qenë i detyruar të depozitojë padi penale ndaj shoqërive stivadore. Nga ana tjetër, edhe APD-ja, me veprimet dhe mos-veprimet e saj, është vënë tërësisht në shërbim të këtyre subjekteve. Duke shfrytëzuar këtë mbështetje të dhënë nga APD shoqëritë stivadore imponojnë aplikimin e kushteve të marrëveshjeve që kanë ekzistuar përpara dhënies me koncesion të Terminalit Lindor lidhur me ndarjen e tarifave Pas kallëzimit penal, këto shoqëri stivadore janë tërhequr nga veprimet e dhunshme në terminal dhe kanë paraqitur një ankesë tek Autoriteti i Konkurrencës, i cili, për mendimin tonë, në vend që të ushtrojë funksionin e tij si një ent rregullator i tregut, në mënyrë të paligjshme është bërë palë me shoqëritë e mësipërme duke ndërmarrë veprime të cilat çojnë drejt penalizimit të Koncesionarit dhe cenimit të një marrëveshjeje strategjike për sa i përket zhvillimit të Portit të Durrësit. Këtë mendim e mbështesim në faktin se Autoriteti Konkurrencës, pas hetimit paraprak dhe hetimit të thelluar që ka zgjatur mbi 9 muaj, ka njoftuar Koncesionarin mbi raportin përkatës më datë 7 Dhjetor 2017 me propozimet për masat ndëshkuese ndaj EMS APO Shpk duke i lënë vetëm 7 ditë pune kohë për tu shprehur në lidhje me përfundimet e këtij Raporti. Ky raport, për ne, është hapur jo profesional, i drejtë dhe ligjor. Në përmbajtje të tij konstatohet një analizë e cunguar ligjore dhe ekonomike duke e kufizuar konceptin e tregut dhe pozitës gjeografike vetëm në Terminalin Lindor dhe jo në gjithë territorin e Portit të Durrësit, e bërë kjo me të vetmin qëllim, për të arritur në përfundime jo reale dhe në mbështetje të hapur ndaj shoqërive stivadore duke shkelur hapur ligjin organik “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” dhe Kontratën e Koncesionit. Autoriteti i Konkurrencës, nëpërmjet raportit të hetimit të thelluar, propozon masa të atilla, të cilat sjellin ndryshimin e kushteve substanciale të Kontratës Koncesionare dhe si rrjedhojë falimentimin e Koncecionarit dhe largimin e investitorit të huaj. Sa më sipër, kërkohet ndërhyrja juaj në drejtim të monitorimit të sjelljes së Autoritetit të Konkurrencës për të parandaluar një vendim të paragjykuar i cili do të ishte me pasoja për EMS por edhe më tej për klimën e investimeve në Shqipëri. Duke ju falënderuar paraprakisht për mirëkuptimin tuaj, mbetemi në pritje të komunikimit dhe të veprimeve të mëtejshme dhe njëkohësisht shprehemi të gatshëm për çfarëdo lloj informacionin shtesë që do të na kërkohet në lidhje me këtë hetim.
Me respekt, 

Manfred Muller

Administrator
EMS Albanian Port Operator SHPK

Bashkëngjitur:
– Kërkesë për Shtyrje Afati drejtuar Autoritetit të Konkurrencës datë 12.12.2017
– Përgjigje ndaj Kërkesës për shtyrje afati datë 13.12.2017