Shteti mbyll syrin dhe bëhet palë me antiligjin

598
Një burim tepër i sigurt nga dega e Tatimeve në Elbasan i tha “Telegraf” se “gjysma e bizneseve në këtë qytet por edhe në shkallë qarku nuk paguajnë taksat, dhe për pasojë shteti humbet miliona nga ky pakt me antiligjin”. Dihet se një nga plagët më të rënda të cilat vuan buxheti i shtetit shqiptar është informaliteti. Në sektorin privat ky shqetësim lidhet edhe me korrupsionin, duke bërë që problemi pavarësisht masave shtrënguese të vendosura me ligj të jetë një rreth vicioz, që duket se nuk do të marrë fund. Klasifikime të llojit të biznesit, ndryshime në kohën e pagesës së detyrimeve dhe taksave të biznesit e ndarje të tjera bëhen në mënyrë të përsëritur nga ligjvënësi për të luftuar informalitetin dhe për t’i lënë sa më pak hapësirë abuzimeve në të vërtetë janë një farsë qeveritare. Një nga format më të përhapura të informalitetit është mungesa e regjistrimit të biznesit pranë degës Tatimeve edhe në Elbasan, dhe pasojat reflektohen direkt në buxhetin e shtetit por indirekt edhe në sektorë të tjerë. Në Qarkun e Elbasanit, aktualisht janë të regjistruara mbi 5578 biznese të vogla dhe të shërbimit, por po kaq operojnë në treg në mënyrë abuzive, duke futur në xhep një fitim të pastër si dhe duke hedhur mbi respektuesit e ligjit barrën më të madhe. Duke mos pasur një konkurencë të ndershme, duke mos i trajtuar të gjithë si të barabartë para shtetit dhe ligjit, pronarët e bizneseve përpiqen të gjejnë mekanizma për t’i shmangur detyrimet e tyre, diku nëpërmjet miqësisë, njohjes, ryshfetit e deri te ndikimet politike. Në Qarkun e Elbasanit mbeten të rralla rastet kur merr një faturë të rregullt tatimore nga dyqani ushqimor, ku bën pazarin e përditshëm, nga mjeku privat, dentisti, nga restoranti apo lokali ku qytetari pi kafen çdo ditë. Pavarësisht se xhiroja e këtyre bizneseve varion nga 3 deri 10 milionë lekë në vit, çdo biznes ka gjetur zgjidhje për të operuar në rrugë joformale. Në dyqanin ushqimor ku gjen çdo artikull, ka qytetarë të cilët blejnë deri edhe 1500 lekë të reja mallra të konsumit të përditshëm, por në asnjë rast nuk marrin kuponin tatimor. Thuajse në çdo lagje, në katin e parë të çdo pallati ekziston një dyqan i tillë, ku shitësi të jep si faturë listën e artikujve të blerë me çmimin e shënuar përbri të gjithën me shkrim dore, ndërsa kasën e mban në tavolinë si një relike. E njëjta situatë paraqitet edhe në lokalet, ku mund të konsumosh kafen apo çdo pije tjetër, veçse këtu informaliteti është më i sofistikuar, pasi fatura që i jepet klientit nuk plotësohet me shkrim dore, por nxirret nga kompjuteri. Në faturë mund të gjesh çdo gjë, duke filluar nga emri i kamerierit, data, ora, por askund vlerën e tvsh-së apo elementet e tjerë të kuponit tatimor. I njëjti burim tha se “shumica e lokaleve mjaftohen duke deklaruar 1/2 e xhiros ditore, e cila sipas ekspertëve përkthehet në miliona lekë taksa më pak në vit”. Rol të rëndësishëm në këtë mekanizëm luajnë edhe ekspertët kontabël, të cilët ndjekin hap pas hapi ecurinë e biznesit, blerjet e mallit me faturë dhe shitjet po me faturë rakordimi i të cilave duhet të përputhet për t’i shpëtuar gjobave. Pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Elbasan, monitorimet e biznesit bëhen nga disa inspektorë dhe sipas të dhënave në këtë qark 95 për qind e bizneseve rezultojnë të pajisur me kasë fiskale. “Verifikimi i përdorimit të pajisjes fiskale konsiderohet një prioritet i punës së kësaj drejtorie për bizneset e regjistruara por monitorimi i vazhdueshëm për të gjithë territorin të cilin mbulon Drejtorinë e Tatimeve Elbasan, aktualisht është i pamundur si për shtrirjen territoriale dhe për numrin e vogël të inspektorëve të cilët mbulojnë këto zona”- tha i njëjti burim. Këtë realitet rishtues, që ka brenda korrupsionin, (të inspektorëve tatimorë), e dëshmojnë ata të cilët duan dhe respektojnë ligjin, duke paguar deri në qindarkën e fundit detyrimet, ndërkohë që bizneset e tjera rrinë të qetë pa e vrarë mendjen për inspektorët e Tatimeve, madje krenohen se janë bërë palë me antiligjin. Pa dashur të bëhen publik, tregtarët e disa dyqaneve ushqimorë tregojnë se ndaj tyre ushtrohen kontrolle të vazhdueshme dhe inspektorët janë të vëmendshëm maksimalisht për t’i gjetur në gabim e për t’i gjobitur. Sipas tyre, ata vijnë me lista të parapërgatitura biznesesh apo emra personash fizikë të cilët janë tatimpagues dhe nisin kontrollet ndërsa iu pohojnë atyre se nuk mund të ushtrojnë kontrolle te subjekte të cilat nuk figurojnë të regjistruara askund, duke mbyllur njërin sy atje ku duan e duke i bërë sytë katër tek ta për të justifikuar punën. 
Kontrollet godasin bizneset e rregullta të vogla dhe mbyllin sytë për bizneset informale 
Sipas të dhënave të muajit qershor nga DRT Korçë janë kryer 336 kontrolle, 13 raste me zbulime, 11 prej të cilave gjoba në vlerën totale prej 492.910 lekë dhe 2 konfiskime mallrash për efekt të skadencës. Si përfundim buxhetit të shtetit përveç taksave që këta respektues të ligjit i japin çdo muaj iu shtuan edhe disa miliona lekë nga gabimet apo abuzimet e tyre. Por çfarë ndodh me informalët? Pronarja e një dyqani të vogël ushqimor në Lagjen 15 të qytetit të Korçës, thotë se me vështirësi arrin të nxjerrë një rrogë mujore përmes tregtimit të artikujve ushqimorë. “As bëhet fjalë që të arrij të paguaj taksa. Fitimi im në muaj nuk i kalon 30 000 lekë. Normalisht nëse do të paguaj taksat tatimore, sigurimet, taksat te drejtoria e të ardhurave të bashkisë, jo vetëm që nuk më ngelet gjë por duhet të ve edhe nga xhepi. Inspektorëve herë iu shmangem e herë iu jap diçka me lutje që të më lenë të vazhdoj punën”, – thotë tregtarja. Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm jep alarmin se çdo ditë e më tepër po shtohen bizneset që operojnë në treg në mënyrë informale, çka bën që ata të cilët i paguajnë taksat dhe detyrimet ta kenë të pamundur të përballen me konkurencën dhe të deklarojnë mbylljen ose pezullimin e aktivitetit. Vetëm një vit më parë janë mbyllur rreth 22 000 biznese në rang vendi, ndërsa infomaliteti vijon të jetë në përqindje të lartë. Alarmi është dhënë nga kreu i Shoqatës së Biznesit të Mesëm dhe të Vogël, Albert Nasto, sipas të cilit, prej vitit 2013 biznesi i vogël dhe i mesëm në Shqipëri është duke u përballur me një krizë të ashpër dhe vështirësi të shumta, të cilat janë pasqyruar me mbyllje dhe pezullime masive të aktivitetit. “Prej kohësh biznesi i vogël ka shqetësim të pandarë informalitetin dhe evazionin fiskal. Edhe sot që po flasim informaliteti vijon të lulëzojë dhe është në shkallën e 60-65%. Janë 23 vjet demokraci, 23 vjet aktivitete të bizneseve dhe informaliteti, ndonëse me luhatje të vogla, vijon të jetë në shifra të frikshme. Ky informalitet e bën të pamundur mbijetesën e biznesit. Ne flasim për biznese, të cilat jo vetëm paguajnë taksa por edhe punësojnë dhe në vend janë rreth 160 mijë biznese të vogla në Shqipëri. Me një përllogaritje të thjeshtë të paktën 300 mijë familje sigurojnë të ardhurat e tyre përmes punësimit nga biznesi i vogël”, shprehet Nasto. Kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm bën të ditur se gjatë vitit 2013 në Shqipëri kanë falimentuar rreth 30 % e bizneseve të vogla, shifër e cila nuk ka ndryshuar as në vitin 2014. Ndërsa 2015 ka marrë tatëpjetën dhe njerëzit po diskutojnë mbijetesën. Për Naston, informaliteti që po vijon në shifra të frikshme, është kërcënimi më i madh i biznesit. Sipas tij, ndër vite nuk po merret asnjë masë për t’i dhënë zgjidhje këtij shqetësimi. “Absolutisht asnjë përpjekje nuk është bërë përderisa çdo ditë vijon falimentimi. Deri tani jemi shumë të pakënaqur qoftë nga pushteti lokal edhe nga qeveria. Ne kemi marrë vazhdimisht premtime, por askush nuk i ka vënë në zbatim ato. Nga të dhënat tona informaliteti jo vetëm që nuk po ulet, por po lulëzon. Nuk po shohim ndonjë aksion të madh nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve apo nga instanca të tjera. Ajo që shohim është një punë e “vakët”. Nga fillimi i vitit del se më shumë biznese janë mbyllur se janë hapur. Bëhet fjalë për të paktën 8 mijë biznese të vogla që janë mbyllur brenda 3-mujorit të parë në shkallë vendi. Përveç kësaj, uljes së taksave nga qeveria i del përballë pushteti vendor i cili ka rritur taksat nga 1 deri në 6 herë. Kjo nuk ndihmon biznesin e vogël por duhet urgjentisht të formalizohet ekonomia shqiptare”, pohon më tej Nasto. Ai thekson se bizneset duhet të regjistrohen pasi ky evazion, kjo konkurencë e pandershme, ky informalitet në shifra kaq të mëdha, po dëmton në masë bizneset. Ndërkohë që janë disa biznese të privilegjuara të cilat përbëjnë edhe gropën më të madhe të këtyre viteve tek buxheti i tatimeve të Elbasanit dhe që shumë shpejt do bëhen prezente bashkë me monkukaleshin e administratës lokale që i zhvati 200 mijë euro një biznesi të huaj në Elbasan në këmbim të fshehjes së të ardhurave …
I. Durmishi
Sigal