Shteti i ka falur “Kurum” 838 milionë lekë gjoba në vitin 2014

640
Skandalet që kompania turke “Kurum”, ka krijuar si rekord krimi ekonomiko-financiar gjatë veprimtarisë së saj prodhuese në Shqipëri, mbajnë si “suport” mbështetës edhe vulën dhe firmën e shtetit shqiptar. Nuk ka mundësi, që një firme e tillë si “Kurum”, që prej 23 vitesh po helmon 370 mijë banorë në qarkun e Elbasanit, të vazhdojë lirshëm aktivitetin “vrasës” të jetës, të mjedisit dhe prodhimit bujqësor e blegtoral të zonës dhe të mos preket nga ligji! Nuk ka mundësi, që një firmë si “Kurum” e cila, prej 23 vitesh “”bashkë me hekurin, çelikun, gëlqeren, oksigjenin dhe nënproduktet e përpunuara të hidrokarbureve, të prodhojë edhe skandale e të rënda financiare me financat e shtetit dhe të mos preket nga ligji! Ajo që çudit, por që tashmë është fakt që njihet e që nuk çudit as ligjin, as shtetin, as drejtësinë, ka lidhje me faktin e rëndë e të turpshëm që “Kurum” vazhdon të ushtroj veprimtari antiligjore në Shqipëri, jo vetëm ne prodhimin e hekurit dhe shkrirjen e skrapit, por edhe në grumbullimin ilegal të skrapit deri nga Serbia, Bullgaria, Maqedonia e Rusia me letra false. Fakti tjetër skandaloz që e detyron shtetin shqiptar, të largoj urgjent kompaninë “Kurum” nga Shqipëria është realiteti, që kjo kompani me profil tipik mafioz, në kundërshtim të plotë me ligjin shqiptar të mjedisit, kryen përpunimin e skrapit me proces teknologjik primitiv, duke shpërndarë në mjedis publik, në toka, në ujëra, në shkolla, në kopshte fëmijësh, në spitale 100 mijë metër kub pluhur vrasës, që prodhon 48 mijë tonë mbetje skorjesh skrapi dhe 30 mijë tonë mbetje plastike, të cilat i hedh çdo vit në lumin Shkumbin e për të cilat në datën 8 prill 2015, iu bllokua aktiviteti nga ISHM (Inspektorati Shtetëror i Mjedisit) dhe u gjobit me 10 milionë lekë, me kusht që brenda datës 20maj 2015, të plotësonte gjithë detyrimet mjedisore dhe kushtet teknologjike të përpunimit të lëndës së parë (skrap) dhe prodhimit të hekurit.
Këtë nuk e ka realizuar ende, madje jo vetëm kaq, por “banda”me emrin “Kurum“ ka shpërfillur shtetin duke vijuar punë me furnizimin me skrap deri në 380 tonë në ditë, me përpunim skrapi, me hedhje mbetjesh të skorjeve në lumin Shkumbin, me ndezje furrash e shpërndarje gazrash helmues natën. Mjafton kaq që shteti të veproj urgjent. Por nuk vepron. Dhe skandali që provon se shteti jo vetëm nuk e largon, por e përkëdhel dhe e mbështet me koncesione këtë firmë që prodhon miliardat për vete dhe vdekjen për 370 mijë banorët e Elbasanit, Kujtojmë që “Kurum”, kjo kompani nuk ka zbatuar asnjë pikë të marrëveshjes koncesionare të vitit 1993, kur shteti shqiptar i ka falur të drejtën për të operuar me aktivitet metalurgjie në ish-kombinatin Metalurgjik në Shqipëri. Pse? Kush e lejon të abuzoj me ligjet e shtetit shqiptar? Kush nuk e detyron të mos zbatoje detyrimet fiskale tatimore, doganore, mjedisore e deri pagesat e energjisë elektrike dhe taksat vendore për aktivitetin që ushtron (Bradashesh)? Kur nuk e çon përpara drejtësisë për vepra krimi ekonomik e financiar? Kur e çojnë në organet e drejtësisë, kush nuk e ndëshkon? Kush ndërhynë për të mos e bërë objekt të dosjeve hetimore kriminale edhe kur kapet “me presh në duar”? si i justifikon drejtësia, dosjet e pa hapura, ose dosjet e hapura e të mbyllura të krimeve të “Kurum”? përse hesht shteti? A ka përfituar “Kurum” nga heshtje dhe pazaret që ka bërë me bosët e shtetit shqiptar dhe çfarë konkretisht?
Shteti i ka falur kompanisë “Kurum” 838 milionë lekë gjoba vetëm në vitin… 2014
Sot gazeta “Telegraf”, po publikon një nga skandalet shtetërore që kanë favorizuar kompaninë turke “Kurum”, duke i falur gjoba në shuma kolosale. Nuk janë gjoba të zakonshme, por gjoba që kanë si motiv, veprimtarinë mjedisore “vrasëse”” të jetës së njerëzve dhe produkteve ushqimore në bujqësi, blegtori e agrobiznes dhe veprimtarinë e krimit ekonomik që ka ushtruar (dhe ushtron ende) kjo kompani. Siç dihet, kompania “Kurum” është gjobitur dy herë nga Inspektorati Qendror Teknik (IQT) për aktivitet shkrirës e përpunues të hidrokarbureve pa certifikatë prodhimi, pa asnjë të dhënë, dhe sipas verifikimeve në shkelje të plotë të parametrave teknik e mjedisorë. Eshtë gjobitur edhe nga Ministria e Mjedisit, nga Drejtoria e Tatim-Taksave dhe doganave. Por çuditërisht nuk ka paguar asnjë gjobë. Madje edhe “gjysmë” gjobe që iu rrëmbye nga Drejtoria e Doganave në Elbasan, kompania “Kurum”, me “avokatinë” klienteliste të “duarve të pista” të shtetit shqiptar e çoi çështjen për ta rrëzuar në Gjykatën e Lartë, për ta finalizuar në favor të firmës “Kurum”, çështje e cila ka numrin Nr. 31003-01003-00-2009 të Regjistrit Themeltar, me Nr. 00-2014-485 të Vendimit (48), zhvilluar në seancën gjyqësore të datës 28.01.2014. Është një gjyq, që “Kurum” e ka hapur me “bekimin” e mbrojtësve të tij brenda “kullës” së shtetit shqiptar, për të mos paguar gjobën e vendosur nga Dega e Doganës Elbasan, në datën 10 tetor 2013, për shkelje të konstatuara gjatë kontrollit të magazinës doganore të kompanisë “Kurum Internacional”, për fshehje të produktit hekur e çelik, duke e gjobitur në vlerën 66 milionë, 694 mijë e 408 lekë detyrim doganor të munguar (fshehur) si dhe 259 milionë, 653 mijë e 856 lekë penalitete ligjore, për abuzimin e bërë si ndëshkim tatimor, ose gjithsej me 326 milionë, 348 mijë e 264 lekë gjobë, baras me 2.3 milionë euro. 
Ka edhe gjoba në vlera të mëdha, të cilat “Kurum” nuk i ka paguar e madje i janë falur prej shtetit. Gazeta “Telegraf”, po publikon disa nga 84 gjobat që ka pa shlyer “Kurum”, 72 prej të cilave nuk i ka paguar, duke mos iu kërkuar nga shteti shqiptar, ose duke iu falur. Po flasim konkretisht. “Kurum” është gjobitur nga Inspektorati Qendror Teknik (IQT) me 7 milionë lekë në datën 2 prill 2014, me nur. Gjobe 118, mbasi ushtron aktivitet pa certifikatë prodhimi për të dhënat e pikës së flakërimit në shkrirje, për të dhënat e përqindjes së squfurit, për pikën e flakërimit minimal për përqindjen maksimale të përqindjes së squfurit, për mos matje të tyre për shkak të mungesës së aparateve matës teknologjik. Po në datën 20 gusht 2014, me gjobë nr. 5616 “Kurum” është gjobitur përsëri nga Inspektorati Qendror Teknik (IQT) në vlerën 100 milionë e 66 mijë lekë, për të njëjta shkaqe si në gjobën e datës 2 prill 2014. por nuk i ka paguar këto gjoba, duke iu zhdukur edhe “”letrat”nga Inspektorati Qendror Teknik (IQT)! Vazhdojmë më tej, me skandalin, që shtetit i ka falur kompanisë “Kurum” gjoba ne vlera gjigande me shkresa zyrtare, madje për krime financiare që ka bërë me detyrimet fiskale ndaj shtetit, duke falsifikuar faturat e prodhimit, importit, eksportit, shitjes dhe furnizimit me lëndë të parë skrap. Po flasim konkretisht. Në listën zyrtare të subjekteve të gjobitur nga shteti, të cilët nuk kanë shlyer gjobat është futur edhe “Kurum”, duke e përfshirë në Ligjin Nr. 39/2014, miratuar në Parlamentin Shqiptar, në datën 17. 04. 2014. Sipas kësaj amnistie, që padrejtësisht e me klientelizëm bosësh të shtetit ka përfituar edhe “Kurum”, kësaj kompanie i janë falur 3 gjoba, konkretisht në vlerat 350 milionë, 590 mijë e 776 lekë të vjetra, 330 milionë, 883 mijë e 663 mijë lekë të vjetra, 30 milionë, 385 mijë e 979 lekë të vjetra. Shuma totale e gjobave të falur shkon në 838 milionë lekë! Sa për saktësim gjobat, që “Kurum” është ndëshkuar se ka mashtruar me fatura false shtetin shqiptar në tatime, dogana, rimbursim TVSH-je! Po bëjmë një krahasim: Me 838 milion lekë gjoba, të vjedhura nga arka e shtetit shqiptar prej “Kurum” dhe që shteti ia fali preferencialisht kompanisë “Kurum”, ndërtoheshin 43 banesa sociale, 2 spitale rajonale, ose 4 shkolla! 
Sigal