Shteti hesht, banorët në protesta për pasojat e tërmetit

535
Sigal

Banorët e Tiranës nuk marrin bonusin e qirasë, nuk ka dokumentacione të verifikimit të ndërtesave të dëmtuara

 Banorët e Sukthit ngrihen në protestë, të braktisur dhe të harruar pas tërmetit të 26 Nëntorit

Banorët e Tiranës ende nuk kanë marrë bonusin e qirave. Jo vetëm kaq, por asnjë nuk ka ndonjë dokumentacion zyrtar të verifikimit të ndërtesave që janë dëmtuar nga tërmeti. Të gjithë ndihen të braktisur, ndërkohë që shumë institucione bëjnë vetëm “ekskursione” para kamerave, si turistë, pa mbajtur asnjë shënim, pa mbajtur asnjë procesverbal. Banorët të dëshpëruar kërkojnë të rikthehen sërish në shtëpitë e dëmtuara, pasi nuk kanë marrë asnjë qira, nuk janë sistemuar. Siç duket, qeveria emëroi Arben Ahmetaj si ministër i Rindërtimit, vetëm e vetëm, që t’i japë atij një portofol në qeveri, dhe të administrojë edhe ato pak fonde që qeveria mundi të sigurojë për të ndihmuar njerëzit në nevojë, derisa deri tani ko ministri nuk ka bërë asgjë.

 Edhe në Sukth, të braktisur, të harruar

 Banorët e Sukthit në Durrës, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit, flasin për braktisje nga qeveria dhe Bashkia Durrës. Ndaj këtë të premte ata zbritën në protestë, ku akuzuan se vonesat në evidentimin e dëmeve i kanë lënë pa shtëpi dhe pa bonus qiraje. Gati dy muaj pas tërmetit të 26 nëntorit që u dëmtoi shtëpitë, banorët e Sukthit ankohen se janë harruar nga Bashkia Durrës dhe qeverisja qendrore. “Gjatë 5 ditëve kanë ardhur inxhinierët grekë me sy të lirë, kanë parë pallatet, kanë vendosur shiritat dhe u kanë vendosur nga një kryq të verdhë. Që do të thotë që për momentin mos banoni se do vinë ekspertë me aparatura që do na thonë se çfarë do bëjmë me familjet dhe shtëpitë tona”, shprehet një prej banorëve. U ankuan për vonesa në verifikimin e dëmeve çka sipas tyre i ka lënë pa shtëpi e pa bonus qiraje. “Shkova në Bashkinë e Durrësit, nuk është akt konstatimi për të dhënë bonus qiraje. Dhe vlerësimi i dëmeve për t’i rehabilituar këto pallate”, thotë një tjetër i banor. Neglizhenca e pushtetit vendor, sipas banorëve i ka bërë të ngrenë dyshime për selektivizëm politik nga Bashkia e Durrësit. Ndaj Ferdinand Xhaferri, si përfaqësues i opozitës akuzoi Bashkinë e Durrësit dhe qeverinë e Edi Ramës për pa përgjegjshmëri. “Kanë kaluar dy muaj dhe qeveria ende nuk ka përcaktuar, nëse do të shemben apo jo. Sikurse për mijëra banesa të tjera me dëme të konsiderueshme, askush nuk e di se çfarë do të bëhet. Kemi 600 familje që jetojnë në çadra dhe qytetarët duan të dinë se çfarë do të bëhet problemin e tyre. Në Bashkinë e Durrësi janë rreth 4000 mijë kërkesa për bonus qiraje, por vetëm 900 prej tyre sipas të dhënave kanë marrë bonusin e qirasë”, tha ndër të tjera kreu i PD-së, Durrës.

 Raporti i fryrë i qeverisë “1 miliard euro për tërmetin”

 Fatura 1 miliard euro që kryeministri Edi Rama deklaroi si dëm të tërmetit në takimin me homologun italian Conte është rezultat i një raporti të përbashkët mes ekspertëve të Bankës Botërore, Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Komisionit Evropian dhe atyre të qeverisë shqiptare. I njohur me emrin “post disaster needs assesment” ose në shqip “vlerësimi i nevojave post fatkeqësisë”, raporti konfidencial ende nuk ka marrë trajtën përfundimtare dhe është në formën e draftit. Sipas vlerësimit, 700 milionë euro janë dëme në banesat e qytetarëve, të cilat janë shembur plotësisht ose kanë dëmtime të pjesshme. 150 milionë euro është fatura e dëmeve tek fabrikat dhe njësitë prodhuese të biznesit, ndërsa pjesa e mbetur prej 150 milionë eurosh të tjera janë dëme në veprat publike si shkollë rrugë dhe spitale.