Shteti duhet të angazhohet në trajtimin e emigrantëve

488
Çdo ditë qindra emigrantë hyjnë në Maqedoni, ndërsa njerëzit të cilët u ndihmojnë emigrantëve në terren thonë se mungon strategji e mirë shtetërore për trajtimin e refugjatëve. Gjevgjelia dhe Tabanoci janë dy vendet kryesore ku mblidhen emigrantët të cilët e kalojnë përmes Maqedonisë. Numri i emigrantëve të cilët kalojnë nëpër Maqedoni rritet çdo muaj. Sipas organizatës joqeveritare “Legis”, 1,200 deri në 1,500 emigrantë e përdorin stacionin e trenit të Tabanocit çdo ditë, shkruan REL. “Për shkak se vendi nuk ka infrastrukturë për të akomoduar një numër aq të madh të njerëzve, aty nuk ka tualete, nuk ka strehë nga dielli dhe shiu, dhe nuk ka shitore për të blerë ujë ose ushqim”, thotë Aleksandra Davidovska, koordinatorja e grupit “T’u ndihmojmë emigrantëve”. Jasmin Rexhepi nga organizata joqeveritare “Legis” thotë se problemi është mungesa e strategjisë kualitative shtetërore për trajtimin e emigrantëve, shteti duhet të përfshihet në këtë punë më shpejt, sepse mund të ndodhë që që organizatat joqeveritare, të cilat bazohen në donacione, mund të mbeten pa resurse. Ai thotë se autoritetet duhet t’i zëvendësojnë vullnetarët në terren ose të paktën t’u ndihmojnë atyre dhe ta mbajnë premtimin që e dhanë para tre javëve. “Të na lejohet të kemi një magazinë te stacioni i trenit, të kemi zyra ose sportele nga ku mund të shpërndajmë ushqim. Asgjë nga këto s’është plotësuar”, tha Rexhepi. Organi koordinues i përbërë nga MPB, Ministria për punë, Ministria e shëndetësisë me Kryqin e Kuq dhe UNHCR, ende nuk është përgjigjur se ç’do të jetë strategjia zyrtare për trajtimin e emigrantëve. Në një debat televiziv, sekretari gjeneral i Kryqit të Kuq, Sait Saiti, tha se në bashkëpunim me autoritetet lokale ata i kanë furnizuar 4,000 njerëz. “Prej kur filluan t’u jepen certifikatat emigrantëve, ne kemi dhënë më shumë se 20,000 pako ushqimore. I kemi furnizuar më shumë se 20,000 njerëz, 4,000 s’është asgjë, ajo është ushqim vetëm për 3-4 ditë, turp është që një organizatë internacionale të thotë se ka kapacitet t’i furnizon vetëm 4,000 njerëz”, tha Rexhepi. Sipas të dhënave të MPB-së, nga 19 qershori janë dhënë më shumë se 16,000 certifikata të azilit.
Sigal