Shtëpia e të gjithëve

874
Enver CAKAJ
Ishte vërtet shtëpia e të gjithëve. Ajo kishte një emër ndryshe nga shoqet e saj. Nuk pyetën të zotët e shtëpisë se si do të emërtohej, po hapi dyert kanat më kanat në kohën kur kërciste pushka e përflakej vendi. Kjo është shtëpia e Iljaz Liçollarit në fshatin Zabërzan të Skraparit. Historinë e shtëpisë ajo familje e shkroi vetë, pa ditur se bënte histori. Ndokush mund të ngulë këmbë për ta kundërshtuar,sepse për atë shtëpi nuk ka asnjë vendim të organeve kompetente për ta cilësuar si shtëpi bazë lufte. Por ajo është vetëshkruar, sepse në këtë shtëpi ishte vendosur spitali partizan dhe shkolla e parë e fshatit. Çfarë mund të bënte më shumë Iljazi, Hatemi dhe Zabija, se sa të vinin të gjithë shtëpinë dhe ekonominë në shërbim të Luftës, madje t’i falnin dhe një djalë Atdheut të tyre?
Iljazi i përkiste një brezi të hershëm e të vuajtur,që për një shekull luftoi për vendin e tij. Që në vitin 1860 ai u zgjodh kryeplak i fshatit,detyrë që e ushtroi për 34-vjet rresht. Dhe po të mos e kishte dorëzuar vetë për arsye moshe,fshati do ta mbante gjithmonë dorën ngritur për atë njeri. Problemet e fshatit nuk e panë kurrë rrugën gjyqësore për aq kohë sa qe gjallë Lakja, sepse ai i zgjidhte pleqërisht pa lënë asnjë pasojë. Për gjykimin dhe besimin e tij, vinin edhe nga fshatrat e tjerë që të zgjidhnin konfliktet. Kjo bëri që në fshatin Zabërzan të mos kishte asnjë hasmëri. Në shtëpinë e kësaj familjeje bamirëse e patriote është vënë një pllakë përkujtimore,që tregon se atje ka qenë spitali partizan. Tok me mjekun italian D’Alessio dhe atë shqiptar, Sherif Klosi, punonte edhe Iljazi, i cili ishte përdorues i mjekimeve popullore. Gjatë viteve që kryente detyrën e kryeplakut, Iljazi u njoh dhe bashkëpunoi me disa kryepleq të fshatrave, mes të cilëve edhe me Shahin Hoxhën nga Fshati Zgërbonjë, që në ato vite ishte në juridiksionin e Skraparit. Në periudhën e sundimit turk, Iljazi dhe Shahini punonin me të rinjtë, që thirreshin nën armë për të mos u paraqitur nëpër zyrat e mobilizimit, sepse i sërdisnin andej nga s’ktheheshin më. Nga ana tjetër bënin një propagandë në popull,që të mos paguanin taksat e rënda. Për këto arsye Pashai i Beratit kishte marrë masa shkarkimi për dy komandantë poste, të cilët nuk kishin aftësi të ndalonin propagandën e kryepleqve, duke i zëvendësuar ata me bashibuzukë, që dinin vetëm të terrorizonin popullin. Në një mbledhje të kryepleqve, që u organizua në Çorovodë, ku Pashai hodhi akuza denigruese ndaj tyre, që nuk kishin plotësuar kërkesat për mobilizimin e djemve në ushtri, ngrihet Shahin Hoxha, rrëmben karrigen dhe e qëllon komandantin turk duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Mbledhja prishet dhe Shahinin e arrestojnë. Atëherë miku i tij, Iljaz Liçollari, që kishte influencë në gjithë zonën, mbledh kryepleqtë dhe banorët e Çorovodës e rreth saj dhe sulmojnë postën e Çorovodës dhe e lirojnë Shahinin. Ky burrë eshtak e përparimtar, organizoi të gjithë burrat e zonës në mbrojtje të Qeverisë së parë të Ismail Qemalit, para dhe pas shpalljes së pavarësisë, ku ishte vetë pjesëtar i luftës së Vlorës në vitin 1920. Në të gjitha luftërat Iljazi ka qenë organizator për të grumbulluar sa më shumë partizanë në lëvizjen popullore. Ishte kontributi i tij, që në këtë fshat nuk i tradhtoi idealet asnjë zabërzanas. Në shtëpinë e tij, që e kishte mbushur me partizanë të plagosur, u mjekuan Heroi i Popullit Zylyftar Veleshnja, Sadush Myftari, Skënder Malindi, Iljaz Sevrani. Nipin e tij Dajlan Liçollari e dërgoi partizan në Brigadën e 16-të Sulmuese, i cili luftoi e ra në fushën e betejës duke u shpallur dëshmor i Atdheut. 
Si shenjë mirënjohje për këtë familje, ndodhet edhe sot në tavanin e dritares së odës emir i partizanit Halim Xheka, i cili ka bujtur në atë shtëpi. Atë shërbim që bëri kjo familje për djemtë e plagosur në Luftë nuk e harruan. Ajo natë tetori e vitit 1949 do të mbetet kujtim i përjetshëm, kur pa të rihynte në shtëpi Zylyftar Veleshnja dhe shokët e tjerë të Luftës për të shprehur falënderimet e tyre. Ata nuk e kishin harruar dorën e ngrohtë të nënë Sabijes, që u lëmonte e freskonte ballin e nxehtë. Nuk e kishin harruar atë nënë, që gdhiu net të tëra pa gjumë, sepse priste e përcillte djemtë e plagosur të Luftës. Si mund të flinte ajo nënë kur dëgjonte rënkimet e djemve të plagosur rëndë? Ndonëse ajo është ndarë nga jeta që në vitin 1988-,sikurse edhe Iljazi përpara saj, në vitin 1955, kanë mbetur sërish atje, në atë shtëpi, si zotër dhe shërbëtorë të hallexhinjve. Ajo shtëpi edhe mund të rrëzohet, po kontributin e atyre njerëzve nuk ka forcë që ta rrëzojë.
Sigal