Shtëpia e Fëmijës-Sarandë, feston 70-vjetorin e saj

1422
21 tetori shënon 70-vjetorin e hapjes së Shtëpisë së Fëmijëve jetimë në Sarandë. Ky përvjetor shoqërohet me aktivitete të shumta festive, organizuar nga bashkia e Sarandës dhe shoqata e fondacione të ndryshme. Qe viti 1947 kur, diku në hyrje të qytetit, në një godinë dykatëshe të atëhershme, shteti i sapodalë nga Lufta, vendosi të hapte Shtëpinë e Fëmijës, në Sarandë. Krahas plagëve të shumta të Luftës, duhej shëruar edhe kjo plagë shpirtërore për vogëlushët e mbetur jetimë. Brenda një kohe shumë të shkurtër, në këtë banesë jetimoreje, u regjistruan 30-40 fëmijë, shumica jetimë nga të dy prindërit, të vrarë në Luftë apo edhe të vdekur gjatë luftës. Qe viti 1947 dhe brenda vitit 1950, numri i fëmijëve jetimë të regjistruar shkoi në 70, parashkollorë dhe shkollorë. Në vitin 1955, me vendim të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës shqiptare, kjo shtëpi u kthye vetëm për fëmijët shkollorë, status të cilin e gëzon edhe sot, ndërsa fëmijët parashkollorë u strehuan në shtëpinë e fëmijës Elbasan. Në vitin 1957 ishin 50 fëmijë që vazhdonin arsimin e detyruar 7-vjeçar dhe po këtë vit, shtëpia e fëmijës trasferohet nga Saranda në Delvinë, pasi ky qytet qe qendra administrative e asaj kohe. Por nuk do zgjaste shumë dhe në vitin 1959, Shtëpia e Fëmijës, për shkak të kushteve të papërshtatshme, do të rikthehej në Sarandë. Në shkurt të vitit 1960, fëmijët jetimë, hyjnë në ambientet e banesës ku jetojnë edhe sot, banesë që ka një kapacitet prej 100 fëmijësh dhe është dhuratë e shtetit shqiptar për fëmijët me probleme sociale. Por në vitin 1965, numri i këtyre banorëve, i fëmijëve shkollorë arriti në 135. Në vitin 1968, për shërbim të mirë e përkujdesje shembullore, institucini nderohet me urdhrin “Naim Frashëri Klasi II” Në vitin 1972, nderohet me çmimin e parë në festivalin e Shtëpive të Fëmijës zhvilluar në qytetin e Elbasanit. Në 1976 institucioni nderohet me “Urdhrin e Punës” të klasit të Parë. Kjo shtëpi përherë ka pasur një staf profesionist e të përkujdesshëm ndaj atyre që kishin humbur dashurinë prindërore, dhe në një farë mënyre këta ia kompesonin. Falë shërbimit cilësor e profesionist të stafit edukues e përkujdesës të kësaj Shtëpie, viti 2006 do ta gjejë me vlerësimin si “Shtëpia më e mirë për institucionet rezidenciale” për fëmijët e moshës 6-15 vjeç

Agron MEMA
Sigal