Shtëpi nga shteti, në 5 vjet 275 milionë USD. Ja qytetet problematike

575
Në pesë vite qeveria ka shpenzuar 275 milionë dollarë për politikat e strehimit. Nga këto vetëm 81 milionë i përkasin kontributit të dhënë nga pushteti vendor, pjesën tjetër të peshës e kanë mbajtur taksapaguesit shqiptarë.
Janë këto disa nga shifrat që zbardh një dokument i fundit i Ministrisë së Zhvillimit Urban i cili fokusohet në detaj tek politikat e strehimit social. Të dhënat janë nxjerrë nga shkëmbimi i shifrave me njësitë vendore por edhe institucionet qendrore.
Një ndër problemet që haset lidhur me strehimin social duket se është baza e dobët e të dhënave. Nga pyetësorët që janë zhvilluar me njësitë vendore ka rezultuar që një pjesë e mirë të tyre nuk kanë të dhëna të sakta për numrin e të pastrehëve.
“Bie në sy mungesa e të dhënave për qytetet e mëdha si Tirana, Elbasani, Lushnja, Fier. Nga bashkitë që kanë plotësuar informacionin, me numër më të madh aplikantësh kemi Durrësin me 4224 aplikime, Korçën me 3735 dhe Sarandën 1082” thuhet në dokumentin e ministrisë.
Pyetësorët kanë reflektuar edhe kërkesën e grupeve vulnerabël për t’u përfshire tek programet e strehimit por sigurisht më i preferuari mbetet ai i banesës me kosto të ulët që të ofronte një kredi më interes të butë.
Programi me numrin më të madh të aplikantëve është Banesa me kosto të ulët ( kredi e lehtësuar) me 8769 kërkesa kurse programi me numrin më të vogël të aplikantëve është programi grante të vogla me vetëm 101 kërkesa.
Nga totali i atyre që kanë aplikuar vetëm 5336 kanë arritur të përfitojnë nga programet e bashkive.
Përtej dëshirës që kanë njësitë vendore për ta parë me prioritet pjesën e strehimit kufizues mbetet elementi financim dhe kjo është listuar nga 50 prej tyre si problemi kyç.
Ministria e Zhvillimit Urban rendit në dokumentin e saj edhe elementët frenues të politikave të strehimit që lidhen me mospasjen në pronësi nga ana e bashkisë të truallit ose objekteve në pronësi të saj për të ofruar strehim social, problemet me pronësinë e truallit(zaptimin) dhe proceset e zgjatura të legalizimit nga familjet që jetojnë në to.
Sigal