Shtegtimi mitologjik i Trojës homerike

2065
Përparim Rexhepi
Kanë kaluar 3202 vjet, kur më 24 prill 1184 para erës së re, Troja e Dardanidëve, u pushtua me dredhi nga ushtria akease. Vazhdimisht publikohen libra, piktura, skulptura, filma etj, për rrethimin 10 vjeçar dhe rënien e Trojës. Një luftë, ku armët ishin primitive, por zemrat dhe mendjet e heronjve homerikë ishin modernë, sikur të jetonin në kohën e sotme, me po atë regjistër të pasur emocional dhe nivel të lartë inteligjence. Theksojmë se shpesh herë akeasit thirren/emërtohen si grekë, kur në fakt nuk ishin të tillë. Poeti i njohur romak, Virgjili tek poema e tij “Eneida” i konsideronte akeasit, por edhe trojanët, si fise pellazge, që flisnin një gjuhë, por me theks të ndryshëm, kurse Kalin e Drunjtë të Odisesë – “Dredhia pellazge”. Një autore greke ( Sofia Soulis, “Mitet greke”, Athinë, 2008) shkruan se “Akejt dhe trojanët ishin pjesëtarë të një race, me të njëjtën gjuhë dhe religjion, me tradita të njëjta dhe me lidhje familjare mes tyre”. Studiuesit italianë pohojnë se emri grek (graeci, sipas emrit të një fisi të vogël në Epir), u përdor për herë të parë nga romakët, kur ushtria e tyre pushtoi Greqinë. Lufta e Trojës, sipas miteve të lashta, u nxit nga Zeusi, i cili ndonëse e porositi vetë Prometeun të krijonte racën njerëzore, u shqetësua nga rritja e madhe e numrit të saj, prandaj vendosi ta pakësonte atë nëpërmjet përleshjes së armatosur mes koaliconit akeas dhe atij trojan. (Siç ka ndodhur/ndodh edhe në kohën tonë). Ndërkohë, sulmet e akeasve nuk patën sukses, sepse Troja ishte e ndërtuar/fortifikuar nga dy perëndi, Poseidoni dhe Apolloni, që punuan sipas urdhrit të Zeusit, meqë i pari mbret i Trojës, Laomedoni, ishte biri i tij (Zeusit). Troja, si galaktika e Qumështit, është e mbuluar nga mjegullnaja vezulluese e miteve, me kundërthëniet brenda kozmosit të saj për elementët më thelbësorë, si vendi ku ndodhet Troja, nëse u zhvillua lufta përreth mureve të saj apo është një fantazi e Homerit, nëse këto mite i sollën me vete popujt emigrues nga Veriu i Evropës apo u krijuan në atdheun e akejve dhe trojanëve etj. Në Greqinë arkaike, kur ende s’përdorej shkrimi, nuk ekzistonte një tekst i njësuar i këngëve epike dhe miteve për Luftën e Trojës. Homeri krijoi një linjë të vetën në interpretimin përmbajtësor dhe artistik të kësaj trashëgime të pasur. Por vazhdimisht ka pasur vërejtje/kundërshtime për veprat e tij. Edhe aktualisht, ka autorë, të cilët vënë në dyshim mjaft elementë, përfshirë edhe vendin, ku ndodhej Troja. Sipas këtyre autorëve, Troja nuk ndodhet në Azinë e Vogël, afër ngushticës së Dardaneleve, por në lokacione të tjera: në trojet ilire në Bosnjen Perëndimore, në vendet skandinave e ato përreth detit Baltik, si dhe në Lindje të Anglisë.
Troja në territorin e fisit ilir të Daorsve ose Dorsejt në Bosnjen e sotme:
Robert Salinas, një studiues meksikan, që mbaroi studimet e larta për filologji në SHBA, në disa libra të tij (“Publiku i Homerit të verbër”, 1985, “Atlasi i gjeografisë së Homerit”, 1992, “Pëshpëritje homerike”, 2006) pretendon se Troja e vërtetë ndodhet në Bosnjën Perëndimore, në anën e djathtë të lumit Neretva, në vendin e quajtur Troja Gabela, ku ruhen gërmadhat e një kalaje të lashtë. Aty banonte dikur fisi ilir i Daorsëve/Dorsejt, që kufizohej në veri me Dalmatët dhe në jug me Ardianët. Sipas studiuesve boshnjakë, këta banorë deri në mes të shekullit XV njiheshin si Druidë. Më pas, ndodhi procesi i njohur i sllavizmit të tyre, si dhe toponimeve të vendit, me përjashtim të emrit Troja.
Duke u mbështetur në informacionin gjeografik të veprave të Homerit, Salinas hodhi hipotezën se lufta e Trojës u zhvillua në luginën e lumit Neretva. Sipas tij, mbretëria trojane shtrihej në një territor të gjerë që përfshinte në lindje, lumin e Cetinës, në jugperëndim, deri në Dubrovnik, në veri, deri tek mali Ivan, madje gjithë Herzegovinën dhe një pjesë të Dalmacisë. Troja gjithashtu përfshinte edhe ishujt Brac, Hvar, Korculu, Mljet, Lokrum etj. si dhe gadishullin Peljesac (Kroaci). Qyteti kryesor, ku u zhvilluan luftimet kryesore, mes akejve dhe trojanëve ishte Troja Gabela dhe kalaja e saj, ku është ruajtur deri në ditët tona edhe porta e famshme Skee e Trojës, që sipas Homerit, ndodhej në anën perëndimorë të qytetit, nga ku shikohej deti. Gjithashtu, në këtë kështjellë ndodhen edhe disa objekte arkeologjike, të ngjashme me ato etruske në Itali. 
Objekte arkeologjike në kalanë e Troja Gabelës.
Virgjili tek “Eneida” i konsideron dardanët, banorët dhe themeluesit e Trojës, etruskë, të emigruar nga Italia, prandaj, sipas tij, Enea u kthye në Itali tek vendi i të parëve. Në këtë rast, më e mundshme duket vendosja e tyre në bregun tjetër të detit Adriatik, pra në Dalmacinë e sotme dhe jo në Azinë e Vogël. Megjithatë, emri dardan është ruajtur tek ngushtica e Dardaneleve. Edhe vendi ku besohet se ndodhet Troja e lashtë në Turqi quhet Truva, pra një variant i emrit Troja. Teoria e Troja Gabelës të ngjall kureshtjen sepse dihet që një Dardani ilire ndodhej në territoret e Kosovës së sotme. Duket më e natyrshme që Enea, pas rënies së Trojës, të jetë nisur nga bregdeti dalmat dhe jo nga Azia e Vogël për të shkuar fillimisht në qytetin e Butrintit, ku banonin fise ilire dhe, më vonë, në Romë. Edhe në një variant tjetër të miteve për Luftën e Trojës (pasi kanë ekzistuar disa të tilla, krahas atij të Homerit) tregohet se Ajaksi, pas shkatërrimit të Trojës, lundroi nga veriu i detit Adriatik dhe ndaloi për të pushuar në ishullin e Sazanit. Studimet e Salinas, që e lokalizojnë Trojën në luginën e lumit Neretva nuk kanë gjetur ndonjë mbështetje në rrethet shkencore në botë, në ish-Jugosllavi dhe në Bosnje. Por disa autorë serbë kanë botuar libra dhe studime, në të cilat pretendohet se Troja ishte e tyre, por u dogj dhe u plaçkit nga fiset greke!? ( Milutin Jaqimoviq). Sipas këtij autori, Troja është Shkodra e sotme, që në mesjetë ishte kryeqyteti i mbretërisë serbe, kur dihet se serbët erdhën nga stepat ruse, në shekullin e VII të erës së re dhe u vendosën në trojet verilindore ilire. Kurse studiuesit tanë nuk e kanë trajtuar ndonjëherë këtë argument. Agjencitë tona turistike që operojnë në Bosnje (Sarajevë dhe Mexhugorje) mund të shtojnë në program vizitat në Troja Gabela dhe “piramidat ilirie”, që pretendohet se janë zbuluar në qytetin Visoko, 20 km larg Sarajevës, nga arkeologu boshnjak, Osmanagiç, pasi ato ndodhen në trojet e dikurshme ilire ose protoilire. 
Troja në vendet balltike dhe ato skandinave:
Sipas studiuesit italian, Felice Vinci në librin e tij “Homeri në Baltik. Origjina Nordike e Odisesë dhe Iliadës” (botuar më 1995 dhe ribotuar më 1998, 2002, 2004 dhe 2008), Troja ndodhej në territoret përreth detit Baltik dhe në vendet nordike, si Finlanda, ku në fillim të mijëvjeçarit të dytë, para erës së re, fillimisht banonin fiset akeje. Aty janë zhvilluar luftërat, që u këndoi më vonë Homeri. Këta popuj, pas ftohjes së madhe të motit, u detyruan të emigrojnë drejt jugut të Evropës, në vendet më të ngrohta. Fillimisht nëpërmjet lumit Dnjepër, drejt Detit të Zi, pastaj në detin Egje, Greqinë kontinetale dhe ishujt e saj. 
Të ardhurit e rinj themeluan qytetet mikene (varret më të lashta mikene janë të pasura me qelibar Baltiku), duke i riemërtuar me toponimet e atdheut të mëparshëm në Veri, por jo në mënyrë shumë të ngjashme, për shkak të diferencave mes dy vendeve. Këto fise/popuj do të sillnin me vete edhe legjendat, folklorin dhe tregime e tyre tradicionale gojore, ndër të cilat edhe Sagën për Luftën e Trojës, që do të zhvillohej, jo rreth shekullit XIII para erës së re, si besohet, por rreth shekullit XVIII, para erës së re. Pas tetë apo nëntë njëqind vjet të transmetimit gojor, rreth shekujve VIII dhe VII p.e.s, poezitë e recituara nga Homeri do të shkruheshin e përjetësoheshin në dialektin arkaik jonian.

Vinci do të përdorë si argument teorinë e njohur se popullsia mikenase konsiderohet jo vendase, por e ardhur nga veriu i Evropës dhe që mbërrit në Greqi, rreth shekullit XVII-XVI, para erës së re. Ai gjithashtu i referohet disa studiuesve indianë, sipas të cilëve, popujt indo-evropianë, që u nisën nga India, fillimisht u vendosën në veri të Evropës, pastaj emigruan në thellësi të saj. Argumenti kryesor, ku mbështetet teoria e Vincit është mospërputhjet që zbulon ai mes gjeografisë së përshkruar nga Homeri në veprat e tij dhe veçorive të terrenit të Mesdheut, e vënë re edhe nga Straboni. Përshkrimet gjeografike tek “Iliada” dhe “Odisea” do të përshtaten, sipas Vincit, me ato të Evropës Veriore, kurse përshkrimi i klimës ngjan më shumë me rajonet e Baltikut. Sipas Vincit, klima e përshkruar në poemat homerike është e ftohtë, shpesh me mjegull dhe me stuhi të furishme. Personazhet janë përshkruar të veshur me rroba të trasha/rënda dhe kurrë nuk jepen të djersitur, për shkak të temperaturave të larta që kanë vendet e Mesdheut.
Vijon


Sigal