Shqiptaro-amerikani: Si më ndaloi policia ditën e protestës

1314
Sigal

E vërteta pse më ndaloi ditën e protestës policia e Himarës

 

FLET PËR “TELEGRAF” SHQIPTARO- AMERIKANI ALEKO BALA

Shqiptaro-amerikani Aleko Bala u ndalua nga policia e Himarës një ditë para protestës së fundit të Opozitës së Bashkuar dhe më pas u shoqërua dhe u mbajt në ambientet e DRQVL me ora të tëra pa arsye bindëse. Por ajo që nënkuptohet qartë është fakti se Alekua është protestuesi më aktiv dhe i pa munguar nga demokratët e Himarës. Nga ana tjetër shkak është bërë edhe parulla që Alekua mbante në shtëpi dhe donte ta shpaloste në protestë para kryeministrisë. Teksti i parullës” HIMARA AUTOKTONE- NUK GJUNJËZOHEMI PARA OLIGARKËVE” duket se ka ngjallur shqetësim në qarqe të larta të politikës sa kanë zhurmuar korridoret që ajo parullë të mos shfaqej në protestë. Aleko u lirua pas publikimit të lajmit në gazetën ” TELEGRAF”. Po si ka ndodhur në të vërtetë? Aleko flet ekskluzivisht për gazetën ” TELEGRAF”.

Kur të ndaluan?

Në radhë të parë faleminderit ” TELEGRAF”-it që sensibilizoi për ngjarjen. Isha duke lozur tavëll në qendër të Himarës, tek lokali i Keti Neranxit.

Po më para të kishin kërkuar gjë?

Po, më morën në telefon dhe më pyetën se ku isha. U thashë se, jam ku të dua dhe e pyes, se kush je ti që më merr në telefon. Ai më thotë se është shefi i krimeve të Himarës. Kanë ardhur nga Tirana, nga qeveria dhe duan të flasin me ty. U them, që kaq i rëndësishëm jam unë që kanë ardhur nga qeveria të flasin me mua. Artur fol hapur me mua, ku e ke hallin? Më thotë që duhet të vish se s’bën. I them që nuk vij dot se jam larg. Takohemi të hënën pas protestës. I thashë hapur. Më thotë, mirë të hënën, kështu e lamë. Në pasdite dola për kafe dhe po luaja tavëll. Në këtë moment më afrohet një polic dhe më thotë se më do pak, më do shef Arturi, i cili ndodhej 10 metra më tutje. Më ripërsëriti se kanë ardhur dy veta nga Tirana dhe të kërkojnë ty. I them po, po vij. Shkuam në komisariat dhe më thotë që ata personat nga Tirana kanë ikur ndaj do shkosh në Vlorë dhe neve jemi të detyruar të të shoqërojmë.

 Po pse e gënjyet policinë në fillim?

Se më ka dalë shumë herë në rrugë. Më ka ndaluar dhe kontrolluar vetëm mua. Nuk doja t’i jepja shpjegime, ndaj dyshoja…

Po më pas ç’ ndodhi?

Para se të niseshim i them që nuk kam punë në Vlorë, por ma kthen se duhet me patjetër. I them që po iki se një luan i uritur…do ta shikosh se çdo them dhe për ty në Vlorë…kam qenë i burgosur politik dhe nuk jam trembur kurrë. Më futën në furgon dhe më shpunë në Vlorë. Isha në furgon të policisë me 4 policë. Kam qëndruar në furgonin e policisë, në oborrin e komisariatit, nga ora 21 deri në 04 të mëngjesit. Më pas erdhi një oficer i policisë gjyqësore dhe më mori në pyetje në prezencë të policit të Himarës. Më thotë se është oficer gjyqësor, vetëm kaq u prezantua pa emër, dhe ti do përgjigjesh vetëm për ato që do të të pyes unë. Jam i detyruar të të marr në pyetje. I them, zotëri unë nuk do të flas pa avokat, këtë ma garanton ligji. Kam avokatin tim. Për këto që do të pyes unë, më thotë, nuk ka nevojë për avokat, e përmban ligji. I them me këmbëngulje që dua avokatin tim, ndryshe duhet ta ndërprisni këtë lodër kundër meje. Më nxjerr një libër dhe më thotë, ja ku i ke ligjet, do të t’i lexoj? Jo, jo i them, se i di ligjet. Megjithatë po të përgjigjem dhe pa avokat.

Përse ju pyeti?

Më pyeti se ku kam qenë në datën 2 qershor. I përgjigjem se nuk duhet të më pyes me data se nuk mbaj protokoll apo ditar se ku shkoj përditë. Nuk mban mend. Më pyet se ku e ke hallin të të përgjigjem unë. Pastaj më tha se a kam qenë në protestën e Tiranës që u zhvillua në datën 2 qershor dhe i përgjigjem që “po kam qenë në protestë” . Vazhdoi me pyetjen se çfarë kisha bërë në protestë dhe a kisha hedhur “molotov” mbi policinë ose tjetër ç’ kisha bërë. I përgjigjem shefit, se çfarë kam bërë në protestë t’i them unë. Unë jam nënshtetas amerikan dhe për ngjarjen e sotshme kam njoftuar edhe ambasadën time në Tiranë me bisedë telefonike. Kur vete në protestë di të protestoj në mënyrën më demokratike siç i ka hije një shtetasi amerikan. Protestoj si një njeri i lirë kundër padrejtësive që më bëhen mua dhe shoqërisë. Unë kam një parullë zotëri që e kam shpalosur në protestë. Më pyeti se ç’thoshte parulla dhe unë e sqarova. Mbasi mbaruam, ma lexoi dhe e firmosa. Ishin vetëm fjalët që kishim thënë. U ngrit dhe iku duke më thënë se mbaroi me mua dhe të tjerë do vinin të më merrnin.

Të bënë presion apo përdorim dhune?

Jo. Absolutisht asnjë lloj presioni apo dhune, si policia e Himarës, ashtu dhe ajo e Vlorës. U sollën korrekt. Pasi iku shefi, më morën e më futën në birucë. Pas një kohë vjen një polic i Vlorës. Më merr dhe më shoqëron në zyrën e n/drejtorit të policisë së Vlorës. As ai nuk ma tha emrin, vetëm detyrën që kryente. Hyri drejtë e në temë: Kam informacion se ju keni goditur policinë e rendit në protestat e Tiranës. I them që e keni gabim zotëri se nuk keni asnjë provë që e fakton këtë, pasi nuk e kam bërë një gjë të tillë. Nuk ndodh kurrë që unë të vë dorë mbi policinë. Jetoj 20 vjet në Amerikë dhe i di mirë rregullat kur më thërret policia. Aq më shumë që ambasada ime më urdhëron që të mos kundërshtoj policinë. Më nxirrni një fakt nëse keni. Më thotë që pse kini shfaqur egërsi në protesta, çfarë të ka shtyrë?

I them që pushtetin që keni e keni edhe nga unë. Më mbajti me pyetje rreth 1:30 minuta. Dhe ky u soll korrekt. Kur ika më tha se bindet dhe beson tek fjalët që i kisha thënë dhe shpejt do dalësh. Dhe pas gjysmë ore më lëshuan. Policat më çuan tek autobusi i Himarës duke më thënë që po të doja mund të vija në protestë, po unë isha i dërrmuar dhe u ktheva në Himarë. Ata ja arritën qëllimit, parulla nuk u shpalos dot në protestë.

 

Bisedoi Agron Mema