Shqiptarët nuk “shkulen” nga juridiku! Ja kush është dega më e kërkuar nga maturantët

117
Ndonëse tregu i punës është i tejngopur nga juristët, avokatët dhe noterët, Fakulteti i Drejtësisë mbetet më i preferuari nga maturantët edhe këtë vit, pas degës Administrim Biznesi të Fakultetit Ekonomik.
“Vendin e parë e mban Administrimi i Biznesit, që shoqërohet më pas me Fakultetin e Drejtësisë. Më tej vijon Psikologjia, e kështu me radhë”, thotë Rezana Vrapi, drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Provimeve.
Edhe shkencat e Telekomunikacionit janë degë të prefruara nga maturantët. Ndërkohë që dega më e vështirë është ajo e mjekësisë, të cilën ndonëse shumë e duan, nuk e arrijnë të gjithë.
“Një nga degët që na rezulton si më e vështira, por shumë e kërkuar nga ana e maturantëve, është padiskutim Mjekësia e Përgjithshme, që shoqërohet më pas nga të gjitha degët e Mjekësisë si Farmacia apo Stomatologjia. Kjo për faktin se Universiteti i Mjekësisë në Tiranë ka vendosur një notë mesatare mbi 8.5, gjë që nuk lejon maturantët nën këtë mesatare që të aplikojnë. Vetëm maturantët me mesatare shumë të lartë mund ta kapin këtë lloj dege. Edhe nëse ka maturantë me mesatare 8.5 apo 8.6 që aplikojnë, gjasat për ta fituar këtë degë studimi janë të kufizuara, për shkak se këtu konkurrojnë maturantët më të mirë të të gjithë Shqipërisë”, tha më tej Rezana Vrapi.
Ndërsa si universitete, më i preferuari nisur nga aplikimet e maturantëve, në vend të parë është Universiteti i Tiranës, e më pas vjen Universiteti i Mjekësisë, duke pasuar me Politeknikumin.